Sport

Medalja në Grand Slam, dëshmi që Nora po ecën në drejtimin e duhur

Nora Gjakova ka fituar tjetër medalje të argjendtë në rrugëtimin drejt lojërave olimpike “Parisi 2024”. Të premten xhudistja kosovare u rendit e dyta në Grand Slamin në Astana të Kazakistanit. Nora shfaqi formë të lartë deri në finale, ku u ndal nga francezja Sarah Leonie Cysique.

Muajin e kaluar, Nora u rendit e shtata në Botëror. Në mars ishte e dyta në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë. Në nëntor të vitit të kaluar u rendit e treta në Grand Slamin në Baku të Azerbajxhanit. Ndërsa në tetor ishte e dyta në Grand Slamin në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Pas lojërave olimpike “Tokio 2020”, ku u shpall kampione, Nora nuk ka fituar medalje të artë. Por është në rrugën e duhur.

“Nora është duke ecur mirë. Sot është rrahur mirë. Në finale thjesht pësoi nga një moment pakujdesie. Jam i kënaqur me Norën. Ka pauzuar një vit e më pas kaloi lëndimin, por prapë po merr rezultate të mëdha. Natyrisht, disa gjëra duhet të përmirësohen ende, kryesisht për shkak të lëndimit. Por përfundimisht është duke ecur në drejtimin e duhur”, ka thënë për KOHËN, Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo.

Nora ka operuar krahun dhe ka pushuar gjatë për këtë arsye. Por ajo po e gjen formën optimale para se të nisë viti i fundit i kualifikimeve për Paris.

Nora Gjakova ishte bartësja e parë në kategorinë deri 57 kilogramë. Ditën e nisi me fitore ndaj letonezes Anastasija Sokirjanska. Më pas e mposhti polaken Julia Kowalczyk. Në gjysmëfinale e mposhti holandezen Julie Beurskens. Finalja me francezen Cysique ishte e fortë. Francezja realizoi hedhje të bukur për fitore me “Ippon”.

Nora tani ka dy fitore e tri humbje me francezen e papërshtatshme. Por e ka mposhtur atë në skenën më të madhe, në finale të Lojërave Olimpike që u mbajtën në vitin 2021. Cysique ishte bartësja e dytë të premten në Kazakistan.

Me suksesin e së premtes, Nora ka fituar edhe 700 pikë për ranglistën botërore. Ajo aktualisht është e teta në ranglistë në kategorinë 57 kg, por pritet të përparojë. Trajneri Driton Kuka ka treguar që Nora me suksesin në Kazakistan e ka të sigurt normën olimpike. Gara e saj tani është për renditje sa më të mirë. Sa më lart në renditje, rruga drejt podiumit bëhet më e përshtatshme.

Ish-xhudistja hungareze, Hedi Karakash ka bërë analizën e ditës së parë të garave në Grand Slamin në Kazakistan. Ajo ka garuar në të kaluarën në kategorinë deri 57 kilogramë.

“Duket që Nora po kthehet në nivelin më të mirë të saj, hap pas hapi, pas vitit sfidues 2022. Ndoshta kjo është një kthesë e duhur për Norën, derisa viti i fundit i kualifikimeve për Paris po afron. Finalja në kategorinë e Norës, në fakt kategorisë sime po ashtu, ishte përsëritje e finales së Lojërave Olimpike të Tokios”, ka shkruar Karakash.

Të shtunën në Astana garojnë edhe Akil Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka. Akili e Loriana nuk e kanë shortin më të përshtatshëm, por natyrisht synojnë medalje. Medaljen e synon edhe Laura, që është bartësja e dytë në kategorinë deri 63 kilogramë.

Akili garon në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa Loriana në kategorinë deri 70 kg. Për të dy gara vlerësohet me shumë rëndësi. Akili e Loriana po mbledhin pikë për normë olimpike.