Sport

Me tri blerje, Newcastle nuk ka synime të mëdha

Kylian Mbappe nuk i është bashkuar ende. Nuk ka asnjë shenjë që Lionel Messi të bëhet pjesë e “Toon Army”. Ndërkohë, Erling Haalandi është zhvendosur diku tjetër në Premier League. Rezulton se është shumë herët për Newcastle Unitedin, klubi i cili papritmas ka pronarët më të pasur në futboll, për të qenë destinacioni i ri për “galaktikët” e këtij sporti.

Në të vërtetë, duke pasur parasysh biznesin e tij të ulët në tregun e transferimeve këtë verë, Newcastle nuk po tregon asnjë shenjë të dukshme se do të ketë suksese të mëdha sezonin e ri, përkundër përkrahjes nga fondi sovran i Arabisë Saudite. Ashtu si zgjedhja e ngjyrave për uniformën e tretë të ekipit që u zbulua së fundmi. Me një kreshtë jeshile, logo dhe zbukurim në një fanellë të bardhë, që ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme me uniformën e Përfaqësueses së Arabisë Saudite. Ose prania e një sponsori të ri në mëngët e fanellave që do të përdoren për sezonin e ardhshëm. Do të jetë “noon.com”, i përshkruar si “destinacioni kryesor i blerjeve në internet në Lindjen e Mesme”.

Mund të jetë më i ngadalshëm sesa parashikohej gjerësisht, por ndryshimi po ndodh në Newcastle, gati një vit qëkur Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite përfundoi një blerje prej 300 milionë funtesh të klubit nga Anglia Verilindore pasi i ofroi garanci Premier Leagues.

Ishte një nga blerjet më të zgjatura dhe më të diskutueshme në historinë e futbollit anglez, duke ngritur menjëherë shqetësimet për përdorimin e sporteve për të ndriçuar imazhin e Arabisë Saudite dhe për të minimizuar shqetësimet për çështjet e të drejtave të njeriut. Me ardhjen e pronarëve të rinj, misioni i trajnerit Eddie Howe ishte ta shpëtonte klubin nga rënia, gjë që edhe e bëri, i ndihmuar nga blerja e një numri lojtarësh në afatin kalimtar të janarit.

Ndërsa dy prej tyre ishin relativisht të profilit të lartë në Angli, mbrojtësi i djathtë Kieran Tripper dhe mesfushori i Brazilit, Bruno Guimaraes, të tjerët - mbrojtësit Dan Burn dhe Matt Targett (huazim) dhe sulmuesi Chris Wood - vështirë se mund të quheshin transferime magjepsëse.

Tre lojtarët e nënshkruar këtë verë nuk janë as ata që rrëmbejnë titullin, edhe nëse qendërmbrojtësi holandez, Sven Botman, është shumë i vlerësuar nga klubi francez Lille dhe portieri Nick Pope – i bashkuar nga Burnley i rënë nga kategoria – është një lojtar i rregullt tek Anglia. Tjetri ishte Targett, këtë herë në një marrëveshje të përhershme. Ata që drejtojnë Newcastlen nuk kanë ndërmend thjesht të hedhin shumë para te lojtarët më të mirë në botë. Së pari, Premier League ka rregulla të ndershme financiare që e ndalojnë atë të ndodhë. Së dyti, Newcastle nuk ka ende një marrëveshje sponsorizimi për të mbështetur shpenzimet më të mëdha. Megjithatë, ato me siguri do të vijnë. Pritet që Newcastle të kalojë në gjysmën e parë të ligës këtë sezon, dhe ndeshjen e parë e luan në shtëpi kundër Nottingham Forestit të shtunën.

“Kjo nuk më frikëson, por është potencialisht një sfidë për ne - si i përshtatemi atij presioni”, tha trajneri Howe. “Ne nuk kemi frikë nga kjo, ne e dimë se vjen me territorin. Por unë mendoj se pritjet janë rritur”.

Një vend në Champions League mund të mos jetë për disa vjet të tjera, por kjo duket gjithashtu e pashmangshme. Më pas, lojtarët më të mirë të botës mund të tundohen nga ofertat për t’u bashkuar ekipit në të ardhmen. Kishte një aluzion se çfarë mund të ndodhte kur Newcastle luajti miqësore parasezonale kundër dy skuadrave gjermane - Mainz dhe Muenchen 1860.

Një pjesë e tifozëve të dy skuadrave protestuan kundër ndeshjes me Newcastleit, megjithëse kjo nuk i ndaloi ndeshjet të vazhdonin. Ndërkohë, Newcastle vazhdon të forcojë stafin e tij në prapavijë për t'u bërë një ekip më efikas dhe profesional.

Ka pasur pak zhgënjim në tregun e transferimeve – sulmuesi i vlerësuar i Reimsit, Hugo Ekitike, së fundmi zgjodhi PSG-në para Newcastleit. Por, skuadra e Howet duket të jetë në formë të mirë për sezonin e ri. Sigurisht, frika e rënies nga kategoria është një gjë e së kaluarës. Në vend të kësaj, ka një entuziazëm që Newcastle së shpejti do të jetë një forcë për t'u llogaritur.