Sport

Me të artën në Masters, Distria dëshmoi se është gati për lavdinë olimpike

Kur turneu i xhudos të nisë në Lojërat Olimpike të Tokios, në fund të korrikut, konkurrenca në kategorinë deri 48 kilogramë mund të jetë maksimalisht si në Mastersin që po mbahet në Doha të Katarit.

Si në asnjë kategori tjetër te xhudistet dhe xhudistët, në kategorinë deri 48 kilogramë kanë garuar të hënën dhjetë të parat në ranglistën botërore. Në Lojëra Olimpike kualifikohen 18 të parët në ranglistë botërore, me kusht që mos të jenë dy xhudistë nga i njëjti vend. Kjo nënkupton se në Olimpiadë konkurrenca nuk mund të jetë më e fortë se në Masters, të paktën sa u takon emrave të xhudisteve pjesëmarrëse.

Në një konkurrencë maksimalisht të fortë, Distria Krasniqi është shfaqur e pandalshme. Në një bisedë për KOHËN, të martën, 25-vjeçarja ka pranuar se në asnjë moment nuk është ndier e rrezikuar nga kundërshtaret.

Distria Krasniqi ishte bartësja e parë në kategorinë deri 48 kg. E fitoi medaljen e artë dhe tashmë do të forcohet në pozitën e parë të ranglistës botërore. Natyrisht, rivalet do të jenë në formë më të lartë në turneun olimpik. Por në formë më të lartë do të jetë edhe Distria. Ajo tashmë e di përafërsisht se çka i duhet për të siguruar lavdinë olimpike.

Distria gjatë të hënës ka realizuar hedhje në të gjitha katër fitoret e arritura. Vetëm njërën prej fitoreve nuk e ka arritur para kohës së rregullt. Ka fituar edhe ndaj xhudisteve me të cilat kishte bilanc negativ nga e kaluara.

“Këtë vit e fillova shumë mirë, me medaljen e artë në Masters. Kjo tregon që jam e përgatitur mirë dhe gati për këtë vit olimpik. Konkurrenca ishte shumë e fortë, kanë marrë pjesë më të mirat e kategorisë. Të njëjtat garuese do të jenë edhe në Lojërat Olimpike”, ka thënë Krasniqi të martën.

Të hënën medalje të bronzta fituan Majlinda Kelmendi (52 kg) dhe Nora Gjakova (57 kg). Të martën Akil Gjakova u rendit i shtati në kategorinë deri 73 kg. Të mërkurën garon Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kg.

Distria ishte xhudisjta e ditës së parë, ndërsa konkurrenca në kategorinë e saj ishte më e forta.

“Kjo konkurrencë aq e fortë më ka dhënë motiv shumë të madh që të dëshmojë që jam pretenduese për medalje olimpike dhe që jam ndër më të mirat në këtë kategori. Gjatë gjithë ditës isha e fortë mendërisht dhe nuk jam ndier e rrezikuar për asnjë moment, pavarësisht konkurrencës që ishte shumë e fortë dhe që kam pasur të ndeshem me garuese me të cilat kam humbur në të kaluarën”, ka shtuar Krasniqi.

Image

Ajo është zhvendosur në kategorinë deri 48 kilogramë për të ndjekur ëndrrën olimpike. Një kohë ka pasur telashe me peshë, por tashmë e ka stabilizuar atë. Dhe ka kohë që nuk largohet nga podiumi.

Vitit 2021 do të jetë i mbushur me gara të mëdha. Deri në korrik zhvillohet Evropiani, Botërori dhe Lojërat Olimpike. Janë edhe disa gara të nivelit Grand Slam.

Në Masters ftohen 36 xhudistët më të mirë në secilën kategori. Xhudistët e ranguar më poshtë nuk mund të marrin pjesë. Pra është garë elitare. Rangohet menjëherë pas Botërorit.

Distria për herë të tretë rresht e fiton këtë garë, për të dëshmuar vazhdimësinë që ka.

“Është medalja e tretë e artë në Masters. Më pëlqen shumë kjo garë, sepse nuk mund të marrë pjesë kush ka dëshirë, vetëm më të mirët e kategorive. Ky fakt më jep shumë motiv që të marr medalje në një garë të tillë kaq të fortë”, ka shtuar Krasniqi.