Sport

Me shkëlqim te Ballkani, Hamidi synon përfaqësuesen algjeriane

Walid Hamidi e shënoi golin e qetësisë në fitoren e madhe të Ballkanit ndaj Dinamos së Zagrebit në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

Sulmuesi algjerian u bë pjesë e historisë së suharekasve të enjten mbrëma, pas fitores 2:0 ndaj gjigantit kroat të futbollit.

Ai la gjurmë në fitoren e parë të Ballkanit në “Fadil Vokrri”, në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Edicionin e kaluar Ballkani nuk kishte fituar asnjë ndeshje në shtëpi në fazën e grupeve.

Ndaj Dinamos, Hamidi rrëmbeu një top afër vijës anësore, iu afrua portës dhe e përfundoi në mënyrë brilante aksionin e nisur vetë në minutën e 83-të. Ishte një tjetër paraqitje e mirë e Hamidit, që vetëm në muajin gusht iu bashkua Ballkanit. Ai u transferua nga Shkupi, skuadër tjetër shqiptare.

“Goli i shënuar ndaj Dinamos së Zagrebit i kushtohet të gjithë ekipit, pasi jemi si familje dhe kemi grup fantastik”, ka thënë Hamidi të premten për KOHËN.

Hamidi është 26-vjeçar dhe luan në krahun e djathtë të sulmit. Për katër vjet ishte pjesë e elitës së futbollit të Algjerisë, te skuadra e MC Oranit dhe JSM Skikdas.

Shkupit i ishte bashkuar në vitin 2021 dhe luajti për dy edicione me skuadrën shqiptare.

Ndaj Dinamos së Zagrebit kishte luajtur edhe me Shkupin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, në edicionin e kaluar. Shkupi ishte eliminuar. Të enjten mbrëma Walid Hamidi doli triumfues.

“Jam shumë, shumë i lumtur për këtë sukses. Jam shumë i kënaqur që iu bashkova Ballkanit pasi pritja ka qenë shumë e mirë dhe po ndihem si në shtëpi”, ka shtuar algjeriani.

Hamidi dëshiron që me paraqitjet e mira te Ballkani ta fitojë besimin edhe te Përfaqësuesja e Algjerisë. Natyrisht synon të arrijë edhe më shumë suksese me suharekasit.

“Synimi im është që të luaj për Përfaqësuesen e Algjerisë, por për ta arritur këtë duhet të punoj shumë pasi konkurrenca është shumë e madhe. Uroj që të kemi edhe sa më shumë suksese me Ballkanin dhe ëndrra ime të bëhet realitet”, u shpreh Hamidi.

Suksesin më të madh deri tani në karrierë Hamidi e ka me Shkupin në edicionin 2021/22, kur e fitoi kampionatin në Maqedoninë e Veriut.

Ai në 70 ndeshje të luajtura me shkupjanët pati gjashtë gola të shënuar e shtatë asistime.

Me Ballkanin ka zhvilluar ndeshje në elitën e futbollit të Kosovës, por ende nuk ka shënuar gol. Po fiton hapësirë gjithnjë e më të madhe. Kontributi i tij në fushën e lojës është vlerësuar shumë nga trajneri Ilir Daja.