Sport

Me përforcime nga jashtë, Arbëria synon mbetjen në Superligë dhe befasinë në Kupë

Arbëria ishte në mesin e ekipeve që befasuan për të mirë në stinorin vjeshtor të Superligës së Kosovës në futboll. E ardhur nga Liga e Parë dhe në sezonin debutues, skuadra nga Dobraja e Madhe e Lipjanit ia doli t’u marrë pikë edhe ekipeve që po luftojnë për titull të kampionit, si Drita, Prishtina e Gjilani. Me 21 pikë, lipjanasit renditen në pozitën e gjashtë, pozitë që në fund siguron qëndrimin në Superligë. Por në pranverë gjërat bëhen më të vështira për skuadrat pa traditë.

Për ta arritur objektivin, ekipi që po drejtohet nga trajneri Arbnor Morina, ka bërë katër përforcime deri të dielën, kur skuadrat e tjera kanë lëvizur fare pak.

Lojtarët që do ta veshin fanellën e Arbërisë në pranverë janë Anes Hot, sulmues boshnjak me prejardhje shqiptare, i ardhur nga Pelisteri i Maqedonisë së Veriut, Aldin Axhoviq, mesfushor nga Mali i Zi, së fundmi pjesë e Ballkanit, Elmir Lekaj nga Shqipëria, mbrojtës i krahut të djathtë, si dhe Marclei Cezar – Santor, braziliani që ishte pjesë e Feronikelit në vjeshtë.

Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, ka thënë për KOHËN se arsyeja që kanë sjellë lojtarë nga jashtë vendit ka të bëjë me kontratat që lojtarët në Kosovë kanë me ekipet e tyre. Sipas tij, skuadra që ai drejton do të fillojë përgatitjet më 5 janar, kurse fazën e fundit planifikon ta kryejë në Turqi.

“Përforcimet janë jashtë Kosovës. I kemi realizuar për shkak të kontratave të futbollistëve në Kosovë që kanë me klubet e tyre. Fazën përgatitore do ta fillojmë më 5 janar në Kosovë. Nëse gjithçka është në rregull me pandeminë, më 15 janar do të udhëtojnë drejt Antalyas së Turqisë për fazën përgatitore, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për stinorin pranveror”, tha Morina.

I pari i shtabit teknik te Arbëria theksoi se synimet i kanë të qarta, të mbesin në Superligën e Kosovës në futboll. Morina nuk e fsheh synimin që ka në Kupë, e ku shpreson që të arrijë deri në finale.

“Qëllimi është që të krijojnë një ekip stabil dhe të mbetemi në Superligën e Kosovës në futboll. Ndërkaq, në Kupë, synojmë që të shkojmë sa më lart që të jetë e mundur, pse jo të luajmë edhe në finale të Kupës”, u shpreh Morina.

Skuadra elitare e futbollit kosovar i ka kryer shumicën e përforcimeve që i kishte planifikuar për afatin dimëror. Megjithatë, gjatë javës do të jetë edhe së paku një lojtar që do t’i bashkohet ekipit nga Dobraja e Madhe.

Lajmin e ka konfirmuar për KOHËN drejtori sportiv i Arbërisë, Labinot Gashi. Sipas Gashit, në Kosovë kanë pasur pak mundësi që të transferojnë lojtarë.

“Shumicën e transferimeve që kemi planifikuar, thuajse i kemi përfunduar. Gjatë këtyre ditëve do ta prezantojmë edhe një lojtar dhe pastaj do të fokusohemi vetëm në punë. Kemi punuar maksimalisht për prurjet e reja, pozitat që na janë nevojitur. Nuk është që ka pasur zgjidhje të shumta në Kosovë, sepse shumica prej lojtarëve vetëm se kanë kontrata me klube, prandaj kemi hulumtuar për lojtarë jashtë Kosovës, por kryesisht që kanë eksperienca në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, tha Gashi.

Dobraja e Madhe është fshati i vetëm në Kosovë që e ka një ekip në kategorinë më të lartë të futbollit kosovar. Për Arbërinë, është hera e parë që po garon në Superligë. Kjo skuadër është ballafaquar me probleme infrastrukturore në stinorin vjeshtor. Për shkak se stadiumi në Dobrajë është duke u rinovuar, kurse ai në Lipjan nuk i plotëson kushtet, Arbëria është detyruar të luajë se vendëse jashtë territorit të Komunës së Lipjanit. Fillimisht ndeshjet si vendëse i ka luajtur në Obiliq, kurse më pas është zhvendosur në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë. Pavarësisht të gjithave, Arbëria renditet në mesin e tabelës. Pas 18 ndeshjeve në Superligë, ka arritur 6 fitore, 3 barazime dhe ka pësuar 9 humbje. 17 gola të realizuara dhe 20 të pësuara, është bilanci i ekipit të Arbërisë.