Sport

Me palestrën e rinovuar, KB Bashkimi synon të jetë konkurrent i fortë në sezonin e ri

Me konfirmimin e trajnerit, drejtuesit e Bashkimit kanë nisur ndërtimin e ekipit për sezonin 2022/23 në Superligën e Kosovës në basketboll. Darko Raduloviq do të jetë në krye të Prizrenit edhe për sezonin e ri, në të cilin synojnë rezultate dukshëm më të mira se në edicionin 2021/22. Raduloviq ishte në krye të Bashkimit në fund të sezonit të shkuar dhe arriti ta sigurojë pjesëmarrjen në plejof, ndonëse një gjë e tillë nuk ishte e sigurt për ekipin deri në xhiron e fundit të pjesës së rregullt. Pasi kanë siguruar trajnerin nga Maqedonia e Veriut edhe për një sezon, Bashkimi ka transferuar edhe lojtarin e parë vendor. Qendra Fisnik Rugova, që sezonin e fundit ishte pjesë e Rahovecit, do ta bartë fanellën e Bashkimit. Rugova në Kosovë ka luajtur edhe te Peja e Sigal Prishtina dhe ka fituar çdo trofe që mund të fitohet në basketbollin kosovar. Megjithatë, krerët e klubit kanë në mendje edhe disa vendorë të tjerë, të cilët pritet t’i zyrtarizojnë ditëve në vijim. Muhamedali Janjeva e Altin Morina pritet të jenë përforcimet e radhës te Bashkimi, gjë që është konfirmuar edhe nga drejtori gjeneral i klubit, Arlind Kaçaniku. Janjeva edicionin e shkuar ishte kapiten i Sigal Prishtinës, kurse Morina që u aktivizua fillimisht te Rahoveci dhe më pas te Ponte Prizreni. Kaçaniku zbuloi se janë në kontakte edhe me reprezentuesin e Kosovës, Lis Shoshin, por nuk dha shumë detaje për këtë çështje.

“Po besoj se shumë shpejt do të zyrtarizohen edhe të tjerët pas Fisnik Rugovës. Jemi në negociata të avancuara me Janjevën e Morinën dhe besoj se do të arrijmë marrëveshje. Kemi pasur kontakte edhe me Shoshin, por nuk ka ende asgjë konkrete”, ka thënë Kaçaniku të shtunën për KOHËN. “Po ashtu, kemi vazhduar edhe me trajnerin dhe së bashku jemi duke hulumtuar tregun për ta kompletuar ekipin”.

Pasi të kompletohen me vendorë, te Bashkimi do të nisin të forcohen edhe me lojtarë të huaj. Sipas Kaçanikut, po synohen lojtarë cilësorë që do ta bëjnë dallimin në parket për shkak se synimi është që Bashkimi të ketë një ekip konkurrues për sezonin e ri, i cili sipas tij pritet të jetë i fortë bazuar në reagimet e klubeve të tjera elitare deri më tani.

“Po synojmë të krijojmë një ekip të mirë dhe po shpresojmë të gjejmë lojtarë të tjerë kualitativë. Sa u përket lojtarëve të huaj, përzgjedhjen e tyre do ta bëjë trajneri. Sigurisht, se synojmë lojtarë që do ta bëjnë diferencën”, ka shtuar Kaçaniku. “Është më se e sigurt se në edicionin e ri duam të bëjmë një ekip konkurrencës për të bërë më të mirën këtë edicion”.

Krahas Superligës, skuadra e Bashkimit në sezonin e ri synon të paraqitet edhe në Ligën Ballkanike. Kaçaniku ka thënë se po presin dritën e gjelbër nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) për pjesëmarrje në këtë garë rajonale. Herën e fundit, Bashkimi në BIBL është paraqitur në edicionin 2017/18 kur edhe doli nënkampion. Në po të njëjtën edicion, Bashkimi e pati fituar titullin e parë të Kosovës në basketboll në histori të klubit.

“Po ashtu, synojmë të luajmë edhe në Ligën Ballkanike. Do të paraqesim kërkesën dhe po besoj se do të jemi pjesëmarrës nga sezoni e ri në BIBL”, ka shtuar Kaçaniku.

Rezultatet e mira në edicionin 2022/23 për Bashkimin janë më se të domosdoshme, pasi palestra “Sezai Surroi” në Prizren është rinovuar dhe ka marrë tërësisht një pamje tjetër. Në këtë palestër ditë më parë ka përfunduar Kampionati Evropian i Divizionit C për gjeneratën U16 nën organizimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

“Palestra është rinovuar dhe ka nevojë edhe për disa rinovime për të qenë gati për kampionat. Mund të them që jemi të kënaqur me rinovimin e palestrës ‘Sezai Surroi’ dhe ndeshjet nga sezonin i ri do t’i luajmë në palestrën e rinovuar që është një gjë shumë e mirë dhe që e kemi pritur për një kohë të gjatë”, ka pranuar Kaçaniku.

Pjesën e rregullt të edicionit të shkuar, Bashkimi e përfundoi në pozitën e gjashtë me 40 pikë, një më shumë se Rahoveci që mbeti i parafundit dhe nëpërmjet ndeshjeve të plejautit e konfirmoi pjesëmarrjen në elitë edhe për sezonin 2022/23. Në 28 ndeshje të luajtura sezonin e fundit, Bashkimi regjistroi 12 fitore karshi 16 humbjeve. Edicionin e nisi me trajnerin nga Kroacia, Branimir Paviq për ta mbyllur me Raduloviqin. Ndërkohë, në garat e plejofit, u eliminua në serinë çerekfinale nga skuadra e Pejës me rezultatin e përgjithshëm 2:0.