Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon të insistojë që të rrisë cilësinë në futbollin e femrave e po ashtu ta masivizojë lojën në mesin e vajzave. Për këtë së fundi ka zgjedhur një formë jo shumë të zakonshme. Ka kohë që synohet masivizimi dhe rritja e futbollit të femrave, por pak është arritur. Numri i lojtareve mbetet i vogël e po ashtu në ligë me përjashtimin e dy-tri skuadrave mungon cilësia.
Me vendim të FFK-së, 20 lojtare të secilit klub të Ligës së Parë dhe të Ligës U16 do të paguhen çdo muaj gjatë kalendarit të garave. Po ashtu paga mujore do të ketë edhe për trajnerët e ekipeve. Kjo është bërë e mundur përmes projektit “Subvencionimi në zhvillimin personal të lojtareve”, i përkrahur nga UEFA dhe FIFA.
“Drejtuesit e FFK-së ua paraqitën përfaqësuesve të klubeve detajet e këtij projekti, por njëherësh kërkuan nga ta që të jenë sa më të sinqertë e korrekt dhe këto mjete financiare të shpërndahen te futbollistet, ngase ndryshe projekti do të dështojë. Njëherësh nga klubet u kërkua të rrisin nivelin e organizimit, në mënyrë që të rritet edhe cilësia e ligës. Nga ky projekt 20 lojtare të secilit klub të Ligës së Parë (femrat) do të përfitojnë çdo muaj gjatë kalendarit të garave nga 150 euro, derisa trajneri i skuadrës nga 250 euro. Ndërkaq te klubet e Ligës U16 lojtaret do të subvencionohen me nga 100 euro, kurse trajneri me nga 250 euro”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Institucioni më i lartë i futbollit në vend ka kërkuar transparencë nga të gjithë në mënyrë që të jetësohet projekti. Nëse do të ketë parregullsi, FFK-ja mund ta ndalë këtë projekt.
KOHA ka provuar të marrë edhe një prononcim nga Vjollca Krasniqi, e cila është përfaqësuese e futbollit të femrave në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, në lidhje me detajet tjera për projektin që ka për qëllim zhvillimin e futbollit femëror. Por ajo nuk u është përgjigjur thirrjeve të gazetës gjatë së hënës.
Trajneri i skuadrës Kosova Vr., Ilir Sopi, ka thënë për KOHËN se kjo që ka bërë FFK-ja duhet përgëzuar. Ai ka konfirmuar se në klubin e tij nuk ka pasur pagesa mujore për lojtarët.
“Është diçka shumë e mirë për futbollin e femrave. Vetë ideja e këtij projekti është diçka që duhet të vlerësohet lart. Kjo do të ndikojë shumë pozitivisht, pasi dihet që shumica e klubeve nuk kanë mundësi t’i paguajnë lojtaret me paga. Njëjtë është edhe te klubi ynë. Qoftë edhe 1 euro nëse na jepet, duhet të jemi falënderues. Deri më tani vetëm na është konfirmuar se do të ketë pagesa për lojtaret dhe trajnerët. Detajet e tjera nuk i dimë ende, sigurisht për këto po punon FFK-ja dhe drejtuesit e klubeve. Unë jam i përqendruar te ekipi dhe mund t’ju them se në momentin që është dhënë ky lajm ka filluar të ketë interesim edhe më të madh”, u shpreh Sopi.
Ai mendon se pagesa e lojtareve në baza mujore do të ndikojë edhe në ngritjen e cilësisë në futbollin femëror.
“Kjo do të ndikojë edhe në ngritjen e cilësisë, pasi edhe vajzat do ta marrin më me seriozitet futbollin. Duhet përgëzuar Federatën e Futbollit të Kosovës për këtë projekt. Shpresojmë të zgjasë sa më shumë ky projekt dhe projektet e tjera që janë në të mirë të futbollit. Ne garantojmë që do të jemi transparentë me pagat që dedikohen për lojtare”, tha Sopi.
Vendimit të FFK-së për pagesa të lojtareve në bazë mujore i është gëzuar shumë edhe ish-futbollistja, tani trajnere te A&N, Blerta Kaçiu. Ajo ka deklaruar se kjo do të jetë një simulim për vajzat që të merren me futboll.
“Vendimi për pagesa mujore për lojtare nga ana e Federatës është shumë i qëlluar për arsye të stimulimit dhe rritjes së interesimit të vajzave për futboll, kur e dimë që jemi pak mbrapa në këtë aspekt. Ky është një hap shumë i qëlluar nga Federata, që e falënderoj dhe uroj që kjo mos të jetë përpjekja e fundit për stimulimin dhe përkrahjen e lojtareve qoftë nga federata apo edhe klubet gjegjëse”, u shpreh Kaçiu.
Ajo tregon se pagesat për futbollistet te A&N janë simbolike. Kaçiu thotë se interesimi tani e tutje do të jetë i madh.
“Lojtaret marrin pagesa mujore simbolike në klubin ku jam trajnere unë, A&N. Patjetër që do të ndikojë shumë pozitivisht kjo iniciativë për avancimin dhe ngritjen qoftë të cilësisë, qoftë të pjesëmarrjes sa më aktive të femrave në futboll. Interesimi nuk është që ka munguar edhe shumë, mirëpo gjithmonë arsye për heqje dorë nga lojtaret ka qenë mospagesa”, deklaroi Kaçiu, skuadra e së cilës është e treta në renditje dhe është në garë për titull.
Liga e Parë numëron njëmbëdhjetë skuadra këtë edicion. Ndërkaq pjesë e Ligës U16 janë 13 ekipe.
Kampione dhe fituese e Kupës së Kosovës vitin e kaluar ishte Mitrovica, e cila është edhe lidere aktuale e kampionatit me 34 pikë, tri më shumë se Kosova Vr, që është e dyta.