Prishtinë, 11 shkurt - Dukagjini është skuadra e fundit që ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Në ndeshjen e 1/8 së finales, e cila u zhvillua të enjten në Klinë, Dukagjini e ka mposhtur 2 Korrikun me rezultat 3:1. Ky duel u luajt në fushën me bari sintetik me pajtimin e të dyja klubeve, pasi stadiumi “18 Qershori”, ku ishte planifikuar të zhvillohej ndeshja, nuk ishte në gjendje të mirë pas reshjeve të shiut.
Dukagjini, që po drejtohet me sukses nga trajneri Armend Dallku, ia doli që të shënojë dy herë në pjesën e parë. Futbollisti me përvojë në futbollin kosovar, Mark Milicaj, i kaloi klinasit në epërsi në minutën e 17-të.
Për 2:0 realizoi Labinot Osmani në minutën e 44-t. Osmani, po ashtu është emër i njohur i futbollit kosovar dhe ish-golashënuesi më i mirë i Superligës.
Golin e tretë për Dukagjinin e shënoi kapiteni Altin Merlaku nga penalltia në minutën e 64-t. Ndërkaq, të vetmin gol për 2 Korrikun nga Prishtina e realizoi Euron Leci, tetë minuta para fundit të ndeshjes.
Me kalimin e Dukagjinit në çerekfinale, numri i ekipeve të Ligës së Parë që kanë arritur në këtë fazë ka shkuar në tri, kurse pesë skuadra janë të Superligës.
Në çerekfinale janë kualifikuar Prishtina, Llapi, Drenica, Feronikeli, Trepça ’89, Istogu, Dukagjini dhe A&N.
Shorti për këtë fazë do të tërhiqet në javën ardhshme.
Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, ka deklaruar për KOHËN se kalimi në mesin e tetë ekipeve më të mira nuk ka qenë i lehtë. Ai theksoi se është shumë i kënaqur me angazhimin e të gjithë lojtarëve.
“Normalisht që loja ka qenë e vështirë. Ne bëmë një lojë të kënaqshme. Rezultati ka mundur të jetë edhe më i thellë në bazë të rasteve që kemi pasur. Ne jemi të kënaqur me kalimin e këtij rrethi dhe do të presim kundërshtarin me qetësi”, tha Dallku. Sipas tij, gara e skuadrës që drejton do të varet shumë edhe nga kundërshtari i radhës. Për Dallkun, më e rëndësishme është inkuadrimi në Superligë.
“Synimi ynë është inkuadrimi në Superligë. Kurse në Kupë do të shohim, në varësi të kundërshtarit do t’i bëjmë ato lëvizjet tona. Por, po e përsëris, synimi ynë është Superliga, do të mundohemi të arkëtojmë sa më shumë pikë për ta arritur elitën. Në Kupë do të varet shumë edhe nga kundërshtari i radhës”, deklaroi Dallku.
Ai foli edhe për zhvillimin e ndeshjes në fushën me bari sintetik, për shkak të kushteve jo të mira të stadiumit “18 Qershori”. Sipas Dallkut, edhe 2 Korrikut i konvenoi që të luajë në fushën me bari artificial.
“Me koordinimin e të dyja ekipeve, ndeshja është luajtur në fushën me bari sintetik. Ne i kishim bërë të gjitha përpjekjet që ndeshja të luhet në fushën e stadiumit tonë, aty ku i luajmë ndeshjet si vendas, por për shkak të reshjeve të shiut gjatë natës së kaluar dhe sot gjatë ditës ishte e pamundur të luanim në atë fushë. Edhe 2 Korrikut, edhe neve na konvenoi që të luajmë në fushën me bari sintetik”, u shpreh trajneri i Dukagjinit.
Dukagjini, që ishte kampion i Kosovës në sezonin 1993/1994, ka qenë edhe dy herë në finale të Kupës, në vitet 1992 dhe 1994, por nuk ia ka dalë asnjëherë që të fitojë Kupën e Kosovës. Aktualisht bën gara në Ligën e Parë, Grupi A dhe renditet në pozitën e parë me 26 pikë, aq sa ka edhe Malisheva që është e dyta. Së bashku me Malishevën dhe A&N janë kandidatët kryesorë nga kjo ligë për t’u inkuadruar në Superligë.
Befasinë më të madhe në 1/8 e finales së Kupës e ka bërë Istogu i Ligës së Parë që e ka eliminuar Gjilanin.