Sport

Me kthimin e Millakut, Dukagjinit i kthehet fati

Skuadra e Dukagjinit shënoi fitoren e parë në Superligë këtë edicion, në ndeshjen e nëntë.

Të shtunën ekipi nga Klina mposhti Ferizajn me rezultat 4:1. Klinasit kanë edhe gjashtë humbje dhe dy barazime. Ende renditen të fundit në tabelë me pesë pikë.

Në triumfin e parë të Dukagjinit kontribuoi edhe futbollisti Met Millaku. Mesfushori u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, duke shënuar rikthimin në fushë pas tetë muajsh. Millkau ishte lënduar në fillim të vitit në ndeshjen kundër Gjilanit, ku kishte këputur ligamentin kryqëzor.

“Unë hyra në lojë në pjesën e dytë në fitoren ndaj Ferizajt dhe ishte rikthim shumë i mirë. Të rikthehem në fushë pas një kohe të gjatë dhe atë me fitore, është ndjenjë e mirë. I falënderoj të gjithë që më kanë përkrahur kur jam lënduar dhe tani që jam rikthyer. Përkrahja ka qenë e madhe dhe motiv për mua”, tha Millaku të hënën për KOHËN.

Ai thekson se periudha e shërimit nuk ka qenë aspak e lehtë. Thotë se dëshira e madhe për futbollin dhe klubin kanë qenë motiv që ta kalojë këtë pengesë.

“Unë u lëndova në ndeshjen e Kupës ndaj Gjilanit më 5 shkurt. Këputa ligamentin kryqëzor. Ka qenë lëndim i rëndë dhe është dashur të operohem. Nuk kam mundur të paraqitem në fushë për gati tetë muaj dhe ka qenë shumë e vështirë që të jem kaq shumë kohë jashtë. Ka qenë periudhë mjaft e vështirë faza e shërimit e deri te rikthimi i plotë në fushë. Por dëshira e madhe për këtë sport dhe dëshira e madhe për ta ndihmuar skuadrën drejt objektivave kanë bërë që t’ia dal”, u shpreh Millaku.

24-vjeçari mendon se Dukagjini nuk e meriton pozitën e fundit, në bazë të asaj që ka treguar në fushë. Millaku është i bindur se skuadra do të vazhdojë me rezultate pozitive.

“Sigurisht se askush në klub nuk jemi të kënaqur me rezultatet që i kemi arritur. Një fitore në nëntë ndeshje është shumë pak, duke e ditur se skuadra është paraqitur shumë mirë në shumicën e ndeshjeve. Në shumë ndeshje edhe fati nuk ka qenë me ne. Dukagjini ka merituar më shumë nga ajo që ka treguar në fushë dhe besoj që tani e tutje do të kemi vetëm rezultate pozitive. Kemi ekip cilësor dhe lojtarë me përvojë të madhe”.

Met Millaku është rritur te Dukagjini si lojtar. Ka luajtur edhe te Feronikeli, ku i ka fituar titullin, kupën dhe Superkupën e Kosovës në vitin 2019.