Prishtina e ka fituar derbin e javës së 27-të të Superligës së Kosovës në futboll si mysafire e Ballkanit me rezultat 1:0 dhe ka vazhduar seriozisht garën për titull të kampionit.
Triumfi i Prishtinës ndaj Ballkanit të dielën në Suharekë, erdhi nga një autogol i Armend Thaqit, i cili në minutën e 35-të shënoi në portën e skuadrës së tij në tentim për ta larguar topin. Thaçi në edicionin e kaluar ishte kapiten i Prishtinës.
Tani Prishtina është e treta me 54 pikë, një më pak se Ballkani që zë vendin e dytë dhe katër më pak se Drita që i prin klasifikimit.
Kjo fitore e ekipit nga kryeqyteti erdhi në javën e fundit të fazës së tretë të garave. Kështu, gara për titull të kampionit do të vendoset vetëm në fazën e fundit të garave. Deri fund të edicionit 2020/2021, kanë mbetur edhe nëntë xhiro për t’u zhvilluar në të cilat do të përcaktohet kampioni, ekipet që do të luajnë në garat evropiane, dy skuadrat që do të bien direkt nga elita dhe një ekip që do të luajë në barazh.
Në tri edicionet e fundit të elitës së futbollit kosovar, dy herë titulli i kampionit është përcaktuar në xhiron e fundit. Kjo mund të ndodhë sërish.
Skuadrat që po luftojnë për titull të kampionit, Drita, Ballkani dhe Prishtina, do ta kanë nga një ndeshje të ndërsjellë në fazën e fundit.
Drita do ta presë Prishtinën në kuadër të xhiros së 30-të, kurse në javën e 34-t skuadra gjilanase është nikoqire e Ballkanin në stadiumin e qytetit në Gjilan. Pra, kampionia në fuqi, Drita, të dyja ndeshjet ndaj rivalëve direkt për titull i luan në shtëpi.
Ndërkohë, Prishtina do të jetë nikoqire e Ballkanit në kryeqytet në xhiron e 36-të, të fundit të kampionatit.
Në tri ndeshje të luajtura ndërmjet Dritës dhe Ballkanit, Drita ka fituar në shtëpi me shifrat 2:1. Ndërkaq, Ballkani ka triumfuar si vendas, 2:0, dhe një tjetër takim në Suharekë është mbyllur 0:0.
Drita ka barazuar dy herë me Prishtinën, 0:0 në Gjilan dhe 1:1 në kryeqytet, derisa ka edhe një humbje në “Fadil Vokrri”, 2:0.
Ballkani e ka mposhtur njëherë Prishtinën në Suharekë, 2:1, kurse ka pësuar dy humbje nga ekipi kryeqytetas, 2:1 në Prishtinë dhe 1:0 në Suharekë, të dielën.
Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, deklaroi pas ndeshjes së fituar kundër Ballkanit se është shumë i lumtur me pikët e fituara. Ai shtoi se mesfusha ka qenë vendimtare që ia dolën të triumfojnë.
“Ishim përgatitur për një derbi të vërtetë, për një luftë sportive në mesfushë dhe e arritëm qëllimin. U thashë futbollistëve se duhet të luftojmë të shënojmë një gol për barazim apo fitore dhe doli që ai autogol të jetë vendimtar për fitoren. Ajo ndeshje ndaj Gjilanit tregoi se ishte vetëm një ditë e keqe dhe nuk ishte fati në anën tonë. Kemi bërë një ndeshje të mirë. Kemi fituar mesfushën për ta mposhtur Ballkanin. Kemi luftuar për të shënuar një gol dhe ishte një autogol. Menaxhuam mirë rezultatin, uroj lojtarët për paraqitjen dhe fitoren”, theksoi Ramadani.
Trajneri nga Maqedonia e Veriut theksoi se për skuadrën që ai drejton dhe dy ekipet tjera që janë në garë për titull, Dritën dhe Ballkanin, nëntë ndeshjet e radhës deri në fund, do të jenë nëntë finale.
“E nisëm mirë vitin, fituam Superkupën dhe tani jemi edhe në garë për Kupën e Kosovës. Janë nëntë finale për ne, por edhe për Dritën edhe Ballkanin dhe shpresojmë që në fund të dalim mirë”, deklaroi Ramadani.
Ndërkaq, trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi, u shpreh pas ndeshjes se autogoli i shënuar ka ndikuar shumë në skuadrën që ai drejton. Shkëmbi premton se deri në fund Ballkani do të luftojë për titull të kampionit.
“Ndikoi autogoli për të keq, por që nuk kemi bërë lojë të mirë në ato minuta. Nga ana psikologjike, goli ndikoi për të keq dhe nuk arritëm të dalim në lojën tonë. Ballkani do të jetë në luftë për titull të kampionit deri në fund. Janë shumë pikë në lojë, janë edhe nëntë ndeshje dhe jam i bindur që do të dalim me sukses në këto takime”, tha Shkëmbi.
Për Prishtinën ishte fitorja e shtatë si mysafire në këtë kampionat, derisa Ballkani pësoi disfatën e dytë në shtëpi. Suharekasit ishin mposhtur dhe nga Gjilani, 4:0.
Pikë të plota ka arkëtuar edhe Feronikeli, skuadër që e ka mposhtur Llapin me rezultat të thellë 4:0. Llapjanët u paraqitën me ekipin e dytë ndaj Feronikelit.
Golat e fitores për Feronikelin i shënuan Marko Miliçkoviq (44’, 77’ ), Marko Simonovski (86’) dhe Albert Dabiqaj (90+2). Kjo fitore e dërgon Feronikelin në vendin e pestë në tabelë me 34 pikë, një më shumë se Llapi që renditet i gjashti.
Xhiroja e 27-të dhe e fundit për fazën e tretë të garave, do të mbyllet të hënën me duelin, Gjilani – Besa, që do të luhet nga ora 15:00.
Rezultatet ********
Java - 27
Arbëria – Drita 1:3
(D. Zabërgja 22’ – F. Alidema 27’, P. E. Irogue 33’, B. Haxhimusa 63’)
Drenica – Trepça ’89 2:0
(B. Zabërgja 37, D. Rapo 70’)
Ballkani – Prishtina 0:1
(A.Thaqi 44’ – autogol)
Feronikeli – Llapi 4:0
(M. Milckoviq 44’, 77’, M. Simonovski 86, A. Dabiqaj 90+2)
E hënë – 15:00
Gjilani – Besa
(Arbitra: V. Kastrati, A. Bullatovci, D. Rexhepi, E. Zasella)
1. Drita 27 - 58 pikë
2. Ballkani 27 - 55
3. Prishtina 27 - 54
4. Gjilani 26 - 37
5. Feronikeli 27 - 34
6. Llapi 27 - 33
7. Trepça'89 27 - 32
8. Drenica 27 - 30
9. Arbëria 27 - 27
10 Besa 26 - 10