Sport

Me dy ndeshje Ballkani del në vend të parë, Shkëmbi thotë se skuadra ka potencial për më shumë

Ballkani e ka rrëmbyer pozitën e parë në tabelë pas fitores së arritur të dielën kundër Feronikelit me shifrat 1:0, në kuadër të xhiros së 20-të të elitës së futbollit kosovar.

Dy fitore në po aq ndeshje në stinorin pranveror kanë bërë që suharekasit ta largojnë Dritën nga vendi i parë pas një kohe të gjatë. Edhe një herë vendimtar në triumfin e Ballkanit ishte sulmuesi kryesor i skuadrës, Mirlind Daku. Për Dakun ishte goli i 22-të dhe ai vazhdon të mbetet larg shënuesi më i mirë i Superligës.

Me gjithë kalimin në pozitën e parë dhe formën e mirë, trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi, ka thënë për KOHËN se ende është herët. Sipas tij, atmosfera është shumë e mirë dhe motivi te lojtarët është shumë i madh.

“Jam shumë i kënaqur me fitoren që e kemi arritur kundër Feronikelit. Jemi në pozitën e parë për momentin, por është shumë herët të flasim. Fillimi është i mbarë, nga dy ndeshje kemi arritur të marrim gjashtë pikë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu”, tha Shkëmbi.

Trajneri nga Shqipëria e pranon se Ballkani ende nuk e ka arritur formën që ai kërkon. Shkëmbi beson se me punë serioze do të arrijnë atë që duan.

“Është vetëm fillimi. Do të punojmë shumë për të arritur atë që duam. Jam i kënaqur me motivimin e lojtarëve. Ata po japim maksimumin për të arritur rezultate pozitive. Por mund të them se kemi shumë punë për të bërë. Loja që unë dua ende nuk është arritur dhe na duhet të punojmë shumë për të arritur atë që duam”, u shpreh Shkëmbi.

Nën drejtimin e Shkëmbit, Ballkani ia doli që të mposhtë Besën e Pejës në udhëtim me rezultat 3:0 si dhe Feronikelin të dielën 1:0. Në dy ndeshje kampionale, ekipi nga Suhareka ka shënuar katër gola dhe nuk e ka pësuar asnjë.

Megjithatë, Ballkani nuk ia doli që të kalojë në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Në ndeshjen e 1/8 së finales u mposht nga Llapi pas ekzekutimit të penalltive.

Bledi Shkëmbi mori drejtimin e Ballkanit në janar të këtij viti. Ai e zëvendësoi të shkarkuarin Ismet Munishi, i cili u largua duke i lënë suharekasit në vendin e dytë si dhe në garë për titull të kampionit. Ballkani nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit dhe as Kupën e Kosovës. Këtë sezon synon trofeun më të çmueshëm të futbollit kosovar dhe daljen në Evropë, për herë të parë në histori. Për t’i arritur të gjitha, ekipi është përgatitur në Shqipëri dhe në Antalia të Turqisë. Edhe në fazën përgatitore Ballkani rreshtoi fitoret ndaj skuadrave serioze.