Shifra e Etrit Berishës prej 113 ndeshjeve në Serie A do të rritet në edicionin e ardhshëm të kampionatit italian në futboll. Por Berisha do të luajë në skuadër dukshëm më të vogël se që ishin ato ku ka arritur shifrën e 113 ndeshjeve. Portieri i Kombëtares së Shqipërisë ka luajtur 38 ndeshje për Lazion e 75 tjera për Atalantan. Prej të shtunës është pjesë e SPAL-it.
Në të vërtetë Berisha është huazuar nga Atalanta te SPAL-i për një vit, por SPAL-i është i obliguar të blejë lojtarin pas një viti, nëse përmbushen kushte të caktuara, të cilat nuk janë bërë të ditura, shkruan sot Koha Ditore.
Me Berishën fillon lëvizja e portierëve reprezentues shqiptarë në këtë verë. Portierët e tjerë të Kosovës e Shqipërisë pritet të ndryshojnë mjedis këtë verë.
Thomas Strakosha po shfaq formë të lartë te Lazio dhe starton te Shqipëria sa herë është i gatshëm.
Edhe Strakosha pritet të lëvizë këtë afat kalimtar. Për të po interesohen ekipe të mëdha angleze si Arsenal e Newcastle United.
Madje është raportuar të dielën se Newcastle United është i gatshëm të ofrojë 36 milionë funte për Strakoshën.
Te Kosova ka kohë që portier i parë është Arijanet Muriq. Muriq te Manchester City edicionin e kaluar ishte vetëm rezervist, ndërsa fitoi rastin vetëm në disa ndeshje për Kupë.
Kampioni anglez, City, do ta huazojë Muriqin këtë verë, por e vlerëson atë me rëndësi për të ardhmen. Nottingham Foresti i kategorisë së dytë angleze vlerësohet favorit për shtatlartin Muriq.
(më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)