Për një periudhë të shkurtër këtë javë, aeroplani që transportonte Romelu Lukakun nga Londra në Romë nëpërmjet Brukselit ishte fluturimi më i ndjekur në botë. Pothuajse 50,000 njerëz – të gjithë me gjasë tifozë të përkushtuar të Romës – zgjodhën aeroplanin “Gulfstream G650” për ta përcjellë në faqen “Flight Radar 24”. Ishte ky një paralajmërim se sa do të thoshte marrëveshja e huazimit të Lukakut për edicionin 2023/24, si për Romën ashtu edhe tifozët e saj të tërbuar. Rreth 5,000 tifozë të veshur me ngjyrat “verdh e kuq” kishin dalë në aeroportin “Ciampino” të Romës për të pritur Lukakun dhe menaxherin e përgjithshëm të Romës, Tiago Pinto, në kryeqytetin italian të martën.
“Mirëpritja që kam marrë nga ky klub dhe tifozët e tij më ka emocionuar dhe më ka dhënë edhe më shumë motivim për të dhënë gjithçka për ekipin tim të ri”, tha Lukaku, kur u prezantua të enjten.
Prej kohës kur Gabriel Batistuta u transferua për të ndihmuar Romën të fitonte titullin e saj të fundit në Serie A në vitin 2001, ardhja e një qendërsulmuesi nuk është festuar kaq shumë në ekipin italian sesa kjo e Lukakut.
“Kohët e fundit kam pasur mundësinë të flisja me pronarët dhe më ka bërë përshtypje ambicia e tyre”, tha Lukaku.
Për një ekip që ishte mbështetur për shumë vjet në sistemin e tij të fortë të të rinjve për të zhvilluar yjet e tij më të mëdhenj - Francesco Totti, Daniele de Rossi dhe Lorenzo Pellegrini - epoka e pronarit të klubit, Dan Friedkin, është shënuar nga ardhja e një emri të madh të huaj para secilit prej tri edicioneve të fundit. Trajneri i famshëm Jose Mourinho u punësua në vitin 2021, ish-sulmuesi i Juventusit Paulo Dybala u ble vitin e kaluar dhe tani Lukaku ka zbritur në “Qytetin e përjetshëm”. Rezultatet kanë qenë të mira deri më tani, me paraqitje të njëpasnjëshme në finalet evropiane – Roma fitoi Ligën inauguruese të Konferencës në vitin 2022 dhe humbi finalen e Ligës së Evropës nga Sevilla edicionin e kaluar – por edhe përfundimet e njëpasnjëshme në vendin e gjashtë në Serie A. Me Lukakun, i cili ka shënuar 78 gola në 132 ndeshje në të gjitha garat për Interin gjatë tri nga katër edicionet e fundit, Roma ka të ngjarë të mos jetë plotësisht e kënaqur pa një përfundim në “top katërshe” dhe një rikthim në Ligën fitimprurëse të Kampionëve. Klubi që ende operon sipas një marrëveshjeje me UEFA-n për shkak të shkeljeve të ferplejit financiar, Roma ka dëshpërimisht nevojë për t'u kualifikuar në garë më të lartë të Evropës në mënyrë që të balancojë më mirë librat e saj përpara se të përfundojnë kufizimet në vitin 2027 - viti që do të shënojë njëqindvjetorin e klubit dhe gjithashtu kur ai shpreson të hapë një stadium të ri. Pra, nuk është për t'u habitur që kontrata e Lukakut prej 7 milionë eurosh thuhet se përfshin një klauzolë bonusi prej 400,000 eurosh të lidhur me kualifikimin në Champions - përveç objektivave personale si golat e shënuar dhe paraqitjet. Me Napolin, Milanin, Interin dhe Juventusin të gjithë më të vlerësuar në letër, megjithatë, arritja në top katërshe e Romës do të jetë një sfidë.
“Të dish se Lukaku ka zgjedhur Romën mund të na sjellë vetëm kënaqësi të madhe”, tha Pinto. “Me ardhjen e tij, ne fitojmë më shumë përvojë, profesionalizëm dhe një përpjekje për të fituar”.
Roma ka vetëm një pikë nga dy ndeshjet e saj hapëse, por do të shpresojë që euforia rreth ardhjes së Lukakut ta çojë drejt fitores ndaj Milanit në stadiumin “Olimpico” të premten. Lukaku, megjithatë, do të jetë në stol për këtë ndeshje pasi një mosmarrëveshje me Chelsean do të thotë se ai nuk ka bërë asnjë stërvitje të organizuar kohët e fundit. Lukaku ishte lidhur me një transferim te Juventusi, por kjo dështoi për shkak të protestave të tifozëve në Torino. Lukaku do të ribashkohet me Mourinhon pasi luajti nën urdhrat e tij në në Chelsea (2013-14) dhe te Manchester Unitedi (2017-18). Sfida më e madhe e Mourinhos me Lukakun mund të jetë rikthimi i belgut në formë. I konsideruar për një kohë si një nga sulmuesit më të mirë në botë, Lukaku - golashënuesi më i mirë te Belgjika - është kritikuar për nivelin e tij të përgatitjes fizike në edicionet e fundit. Por, prania e tij në zhveshtoren e Romës mund të jetë kyç pasi Mourinho humbi të besuarin e tij, Nemanja Matiqin, i cili u largua për te Rennesi pas një mosmarrëveshjeje me trajnerin. Është një edicion kyç për Romën me kontratat për Mourinhon, Pinton dhe tani Lukakun që iu skadojnë qershorin e ardhshëm.