Sport

Mbyllen pjesët e para, pa gola në derbin gjilanas

Janë mbyllur pjesët e para të tri ndeshjeve të para të xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll, që po luhen të mërkurën.

Derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës që po zhvillohet në stadiumin me bar sintetik në Gjilan, nuk ka dhuruar gola në 45 minutat e para, ndërsa më shumë nga loja pati skuadra e Dritës. Madje qëlloi shtyllën me Almir Kryeziun pas gjysmë ore lojë.

Kjo ndeshje mund të jetë edhe vendimtare për titull kampioni. Në rast të barazimit në këtë ballafaqim, Ballkani edhe matematikisht do ta siguronte titullin e kampionit.

Në mënyrë që festa të shtyhet për të paktën ditën e enjte, Gjilani duhet t’i marrë pikët e plota.

Pa gola është mbyllur edhe pjesa e parë në Klinë në stadiumin “18 Qershori”, në ndeshjen ndërmjet Dukagjinit dhe Ulpianës.

Ndërkohë, Prishtina ka realizuar katër herë përballë Feronikelit të rënë nga Superliga.

Sadam Sulley (12’, 40’), Agim Zeka (17’) dhe Oto John (42’), ishin shënuesit e katër golave të pjesës së parë.