(Përditësuar - 14:57) - Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani ka shënuar një tjetër fitore ndaj Malishevës. Pasi e eliminoi nga çerekfinalja e Kupës të enjten e kaluar, Ballkani të dielën mposhti Malishevën edhe në kampionat. Ballkani triumfoi me rezultatin 2:0, në ndeshjen që u zhvillua në Suharekë, në kuadër të javës së 24-t të Superligës në futboll. Me fitore Ballkani mbetet në pozitën e parë me 51 pikë, kurse Malisheva është në vendin e katërt me 41 pikë.
Ballkani shënoi gol në minutën e 3-të. Por, goli i kapitenit Edvin Kuç u anulua me VAR. Pjesa e parë përfundoi pa gola. Pesë minuta pasi nisi pjesa e dytë, Ballkani realizoi golin e epërsisë. Nazmi Gripshi realizoi në minutën e 50-të pas asistimit të Lumbardh Dellovës. Golin për 2:0 e shënoi Mamadou Danfa. Ai shënoi në portën e zbrazët pas asistimit të Bleart Tolajt. Dy minutë më vonë, Tolaj qëlloi shtyllën. Malishevën në edicionin aktual e mposhti edhe më 29 shtator të vitit të kaluar. Pati fituar 3:2.
Ndeshjen në Suharekë e përcolli edhe seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda. Foda muajin e kaluar u emërua përzgjedhës i Kosovës.
Feronikeli 74 shënon fitoren e parë në stinorin pranveror
Feronikeli 74 e ka shënuar fitoren e parë në stinorin pranveror. Skuadra nga Drenasi e ka fituar ndeshjen e xhiros së 24-t në udhëtim te Liria në “Përparim Thaçi”, me rezultatin 2:0. Për Feronikelin 74 ishte fitorja e parë, pas tri humbjeve e dy barazimeve në stinorin pranveror. Ndërkohë, Liria e pësoi disfatën e pestë. E ka edhe një barazim. Të dy golat, mysafirët i shënuan në pjesën e dytë. Robert Rrahmani realizoi në minutën e 47-të, kurse Ibrahim Cervadiku shënoi në minutën e 73-të. Nga minuta e 67-të, Liria luajti me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Diellor Besenit. Feronikeli 74 ka 26 pikë në vendin e shtatë, ndërsa Liria në vendin e fundit mbetet me 10 pikë.
(Përditësuar - 14:30) - Ballkani e ka shënuar edhe golin e dytë në ndeshjen kundër Malishevës. Golin për 2:0 e shënoi Mamadou Danfa.
Ai shënoi në portën e zbrazët pas asistimit të Bleart Tolajt. Dy minutë më vonë, Tolaj qëlloi shtyllën.
E Feronikeli 74 e ka shënuar edhe golin e dytë kundër Lirisë. Në minutën e 73-të shënoi Ibrahim Cervadiku. Nga minuta e 67-të Liria po luan me një lojtar më pak në fushë. Diellor Beserni u ndëshkua me karton të kuq. Feronikeli '74 po kryeson 2:0.
Ballkani ka kaluar në epërsi në ndeshjen kundër Malishevës.
Golin e epërsisë 1:0 e shënoi Nazmi Gripshi në minutën e 50-të me asistim të Lumbardh Dellovës.
Kjo ndeshje e javës së 24-t po luhet në Suharekë.
Ndërkohë gol ka shënuar edhe Feronikeli 74 ndaj Lirisë.
Robert Rrahmani shënoi në minutën e 47-të për 1:0, në ndeshjen që po luhet në Prizren.
Mbyllen pa gola pjesët e para në Suharekë e Prizren
Pa gola janë mbyllur pjesët e para të dy ndeshjeve të xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll Ballkani – Malisheva dhe Liria – Feronikeli 74. Ndeshja Ballkani – Malisheva po luhet në Suharekë, kurse Liria – Feronikeli 74 në Prizren. Ndeshjen në Suharekë po e përcjell nga afër seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda.
Ballkani shënoi gol në minutën e 3-të. Por, goli i kapitenit Edvin Kuç u anulua me VAR.
Ndërkohë, portieri i Lirisë, Stivi Frashëri i Lirisë priti penalltinë e Florent Avdylit në minutën e fundit të pjesës së parë.
