Kur trajneri i Brazilit, Tite, përfshiu emrin e veteranit Dani Alves në listë për Kupën e Botës, reagimet në mbarë vendin ishin nga zemërimi në zhgënjim. Selektori i Brazilit, i cili është përballur me pak kritika në gjashtë vjetët e tij në detyrë, e arsyetoi zgjedhjen me një ton të ulët dhe jo shumë të sigurt.
“Kriteret për Daniel Alves janë kriteret për të gjithë”, tha Tite. “Ka të bëjë me shpërblimin e aftësive individuale, fitnesit dhe aspektit të tij mendor. Ashtu si të tjerët”.
Vetë Alves, megjithatë, e kuptoi se shumë nuk e donin atë në skuadër për Katar.
“Unë nuk jam këtu për t'i kënaqur të gjithë”, tha ai nëpërmjet një reagimi me video.
Inati nuk ka asnjë lidhje me të kaluarën e shkëlqyer të mbrojtësit të djathtë, por prania e një lojtari 39-vjeçar, i cili ka pasur vështirësi të luajë për ndonjë klub vitin e kaluar, zbuloi mungesën e opsioneve që Brazili ka në të dy krahët e mbrojtjes.
Opsionet më të mundshme të Tites për titullarë janë mbrojtësi i djathtë, Danilo, i cili është bërë më shumë një qendërmbrojtës te Juventusi, dhe Alex Sandro, një lojtar me pak histori si një mbrojtës i majtë tipik brazilian që vrapon lart e poshtë.
As Danilo dhe as Alex Sandro nuk konsiderohen dy nga më të mirët në botë në pozitat e tyre, siç ishin paraardhësit Cafu, Roberto Carlos, Marcelo dhe Alves i një dekade më parë. Në të njëjtën kohë, dyshja nuk i ka shkaktuar shumë telashe Brazilit në mbrojtje, duke qenë pjesë e një skuadre që pësoi vetëm pesë gola në kualifikimet e Amerikës së Jugut.
Alves dhe Alex Telles pritet të jenë rezervistë në Katar, me Eder Militao që mund të luajë gjithashtu si mbrojtës i djathtë dhe mesfushori Fabinho si mbrojtës i majtë.
“Ata janë në rregull”, tha ish-mbrojtësi i majtë i Brazilit, Junior, tani një komentator televiziv, për opsionet e Tites. “Ata nuk janë lojtarë që do të jenë në krye të detyrës gjatë gjithë kohës. Ata janë më të kujdesshëm. Por unë nuk shoh ndonjë zgjedhje tjetër që do të ishte më mirë të fillojë në këtë moment”.
Gjatë vitit të kaluar, Tite humbi dy opsione të tjera që mund të kishin ndihmuar. Fagner, një mbrojtës i djathtë 33-vjeçar që zëvendësoi Alvesin e dëmtuar katër vjet më parë në Rusi, pati një sezon të dobët te Corinthiansi. Ish-mbrojtësi i majtë i Sevillas, Guilherme Arana, pësoi një lëndim në gju në shtator, duke e përjashtuar atë nga Kupa e Botës.
Trajneri i Brazilit gjeti pak arsye për ta kthyer Renan Lodin, i cili u huazua te Nottingham Foresti pasi pati vështirësi në Atletico Madrid. Lodi u fajësua për humbjen 1:0 të Brazilit nga Argjentina në finalen e Kupës së Amerikës 2021, me golashënuesin Angel di Maria që tha se e dinte se braziliani “flinte pak” gjatë ndeshjeve. Mbrojtësi i majtë nuk gjeti ndonjë simpati nga Tite pasi humbi një thirrje në fillim të vitit sepse nuk ishte vaksinuar kundër COVID-19.
Mbrojtësi i djathtë i Brazilit në Kupën e Botës, kushdo qoftë ai, mund të përballet me presion të shtuar duke luajtur përkrah mbrojtësit 38-vjeçar Thiago Silva. Silva nuk ka qenë stabil si zakonisht te Chelsea. Kishte një paraqitje të tmerrshme në humbjen 4:1 ndaj Brightonit në Premier League muajin e kaluar. Një mbrojtës i djathtë që mund të ndihmojë edhe Silvan me përvojë mund të jetë çelësi për të shmangur pësimin e golave në Katar.
Cafu, i cili ishte në ekipin fitues të Kupës së Botës të Brazilit në vitin 2002, tha se mbrojtja e Silvës është një nga arsyet pse Tite përfundimisht do të përdorë Militaon si mbrojtës të djathtë gjatë Kupës së Botës. Ai gjithashtu beson Brazilit do të luajë mirë në Katar, pavarësisht mungesës së opsioneve në prapavijë.
“Nuk e di pse kemi këtë mungesë lojtarësh për ato pozicione. Por nuk është vetëm për Brazilin, këtë e shohim edhe në klube”, tha Cafu. “Trajnerët po përshtatin mesfushorët në atë pozicion, sepse ata nuk dinë të punojnë në mënyrë specifike me mbrojtësit e djathtë dhe të majtë. Gjithashtu, është e padrejtë të krahasohen këta lojtarë me ne. Kushdo që luan sot si mbrojtës i djathtë apo i majtë ka shumë përgjegjësi. Ata duhet të zëvendësojnë njerëzit që bënë histori për Brazilin”.