Mentor Mazrekaj mendoi se do ta gjente shpejt një skuadër të re në Kosovë pas largimit nga klubi i futbollit, Llapi, në dhjetorin e vitit të kaluar. Dera për Mazrekajn ishte mbyllur nga skuadrat në Kosovë. Thotë se është paragjykuar nga e kaluara e tij. Kjo situatë e shtyu Mazrekajn të mendonte edhe tërheqjen nga futbolli, që e shihte si opsionin më të mirë të mundshëm. Megjithatë, ai thotë se bëri mirë që nuk i vari “këpucët në gozhdë”.
Madje, insiston se po ndihet i “rilindur” në Shqipëri. “Të gjitha ekipet më refuzonin, më paragjykonin për të kaluarën dhe thashë me vete që nuk do ta lus më askënd, sepse asnjë skuadër në Kosovë nuk më pranonte. Pushova gjashtë muaj dhe fillova të mendoj të mos kthehem më në fushë pas largimit nga Llapi. Mirëpo, më ra mirë që fillova sërish të luaj, sepse nuk mund të rri pa futboll”, ka pranuar Mazrekaj të shtunën për KOHËN.
Në fakt, Mazrekaj nuk gjeti qetësinë pas kthimit nga Shqipëria në Kosovë në vitin 2017. Sulmuesi i krahut nuk e arriti shkëlqimin që e kishte te Partizani i Tiranës. Para se të bëhej pjesë e Llapit, Mazrekaj luajti edhe për Prishtinën, Ferizajn, 2 Korrikun. Ndërsa, si përforcim e prezantoi edhe Flamurtari i Prishtinës. Ai provoi të bënte karrierë edhe në Norvegji. Luajti pak për ekipin Fortuna Oslo, por që u largua shpejt nga shteti skandinav. Mazrekaj u largua nga Llapi pas vetëm gjashtë muajve, përkatësisht ishte pjesë e ekipit nga Podujeva prej gushtit të vitit 2019 deri në janar të vitit 2020. Tetë muaj të tjerë: janar – gusht, Mazrekaj i kaloi pa skuadër.
Në muajin gusht të vitit të shkuar, Mazrekaj u bashkua me Laçin, ekip që garon në Kategorinë Superiore të Shqipërisë. Tani, Mazrekaj te skuadra e Laçit po vlerësohet si lider. I ka shënuar dy gola dhe ka bërë po aq asistime në 13 ndeshje të luajtura këtë edicion në elitën e futbollit të Shqiptar. Madje, dy gola dhe një asistim i dha kundër skuadrës ku kishte shkëlqyer vite më parë – Partizanit të Tiranës. E më i merituari për “rilindjen” dhe kthimin e Mazrekajt në Shqipëri është ish-trajneri i Dritës, Shpëtim Duro. Këtë të fundit, Mazrekaj e kishte pasur edhe trajner te Partizani, ekip për të cilin kishte luajtur katër vjet (2013-2017).
“Në kalimin tim te Laçi, sebep u bë profesor Shpëtim Duro. Ai ua ka rekomanduar emrin tim drejtuesve të klubit dhe kështu u bëra pjesë e Laçit. Nuk e kam mendar as vet një fillim të tillë pas një pauze të gjatë. Por, me gjithë mend e them se më duket vetja si një lojtar i rilindur. Ndihem më mirë se kur kam pasur 24 apo 25 vjet”, thotë Mazrekaj 31-vjeçar.
Talentin e Mazrekajt e pati zbuluar trajneri Gazmend Haliti, atëbotë trajner në shkollën e futbollit Ramiz Sadiku. Brenda një kohe të shkurtër, Mazrekaj u bë pjesë e klubit më të trofeshëm në Kosovë, Prishtinës. Ai te Prishtina luajti për pesë vjet (2008-2013) dhe arriti të fitoj trofe. Paraqitjet e mira dhe shkëlqimi i tij me fanellën e Prishtinës, sollën edhe transferimin e Mazrekajt te Partizani i Tiranës. Edhe të Partizani, ai tregoi paraqitje të mira dhe u bë lojtari më i preferuar në klub. E tani, Mazrekaj po shpreson që suksese të shijoj edhe me fanellën e Laçit. Megjithatë, ai pranon se pranon se në Kosovë nuk i ka ecur ashtu siç kishte menduar.
"Nuk e di, në Kosovë nuk më ka ecur asgjë si duhet. Nuk e di arsyen as vet, por kështu e ka nganjëherë futbolli. Ndonjëherë, gjërat nuk ecin ashtu siç i mendon”, thotë Mazrekaj, i cili në futbollin e Kosovës ka fituar gjithçka që mund të fitohet.
Sukseset nuk i kanë munguar as në kampionatin shqiptar. Është një nga lojtarët më të pëlqyer në Shqipëri.
“Iu kam hyrë shumë njerëzve në zemër me lojën time. Do të doja të bëhesha kampion edhe në Shqipëri. Këtë arritje e dua personalisht. Shqipëria më ka dhënë shumë. Të gjitha vitet më të mira në futboll i kam kaluar në Shqipëri”, është shprehur Mazrekaj.
Mazrekaj e kupton që Laçi këtë edicion ka mbetur prapa në garën për titull, por thotë se do të ishte i lumtur nëse me këtë ekip do të arrinte pjesëmarrjen në kupat evropiane në sezonin e ardhshëm.
“Synimet i kishim për titull të kampionit, por patëm një start jo të mirë dhe na mbetet të shohim gjatë rrugës. Por, edhe pjesëmarrja në Evropë është e mirë dhe do të konsiderohet si sukses. Ka shumë ndeshje për t'u luajtur deri në fund dhe neve na mbetet të shpresojmë dhe të arrijmë rezultate sa më të mira”, ka thënë Mazrekaj.
Pas 15 xhirove të zhvilluara këtë edicion në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, Laçi renditet i katërti në tabelë me 21 pikë të grumbulluara. Prin Vllaznia e Shkodrës me 35 pikë, e përcjellë nga Partizani e Teuta që kanë nga 26 pikë të mbledhura.