Sport

Maxhuni në Evropian me Finlandën, shpreson për suksese të tjera

Edon Maxhuni do të luajë në Kampionatin Evropian vitin e ardhshëm. Ai do të bëhet basketbollisti i katërt shqiptar që do të paraqitet në një ngjarje të madhe evropiane.

Kualifikimin Maxhuni e konfirmoi të dielën me Përfaqësuesen e Finlandës, pas fitores ndaj Gjeorgjisë me rezultatin 78:70.

Finlanda si e treta në Grupin E, ia doli që të kalojë në Evropian. Pas gjashtë ndeshjeve, Finlanda grumbulloi nëntë pikë, duke regjistruar tri fitore dhe tri humbje.

Pjesë e këtij suksesi të finlandezëve është edhe basketbollisti kosovar Edon Maxhuni.

Maxhuni, 21-vjeçar, ishte i rëndësishëm në dy ndeshjet vendimtare, ndaj Zvicrës dhe Gjeorgjisë, duke kontribuar për të siguruar kualifikimin tutje.

Takimin ndaj Zvicrës, basketbollisti kosovar e mbylli me 17 pikë, katër kërcime dhe një asistim. Në takimin ndaj Gjeorgjisë, Maxhuni luajti për 18 minuta duke kontribuar me 11 pikë dhe tri asistime.

Fundori thotë se e ka pritur kualifikimin me Finlandën.

“Është një emocion i veçantë të sigurosh kualifikimin në një evropian. Kemi pritur që të kualifikohemi pasi kemi pasur dy ndeshje tejet të rëndësishme. Kemi arritur dy fitore të cilat na e mundësuan kualifikimin tutje. Kam qenë shumë i motivuar dhe në fund puna e madhe që kemi bërë është shpërblyer. Është ndjenjë fantastike të jesh pjesë e një suksesi të tillë”, deklaroi Maxhuni për KOHËN të dielën.

Në dy takimet e fundit Maxhuni ishte një ndër lojtarët kryesorë. Ai bëri paraqitje të mirë ndaj Zvicrës, në ndeshjen vendimtare për të siguruar kualifikimin.

21-vjeçari thotë se ka shfrytëzuar në maksimum çdo mundësi që i është dhënë nga trajneri për të kontribuar në fitore.

“Më gëzon fakti që kam arritur të paraqitem sa më mirë në këto takime e në veçanti atë me Zvicrën që kishte rëndësi të madhe për të siguruar kualifikimin tutje. Jam munduar që në maksimum të shfrytëzoj minutat që kam pasur në parket për ta ndihmuar ekipin. Besoj që në të ardhmen do të kem besim edhe më të madh edhe nga trajneri dhe do të shfaq potencialin tim”, potencoi Maxhuni.

Kampionati Evropian do të zhvillohet vitin e ardhshëm në katër shtete të ndryshme si Çekia, Gjeorgjia, Gjermania dhe Italia.

Për Maxhunin kualifikimi në Evropian është një ëndërr e realizuar. Mirëpo basketbollisti i talentuar shpreson që të vazhdojë me formë të lart në skuadrën e tij Parnu Sadam, në kampionatin estonez, për të qenë pjesë e skuadrës në Evropian. “Tash do të kemi kohë të mjaftueshme për të menduar për Kampionatin Evropian, pasi do të mbahet në vitin tjetër. Sigurisht që do të jap maksimumin të paraqitem sa më mirë në ekipin tim, që të jem pjesë e skuadrës në këtë ngjarje të madhe të basketbollit. Dua të shfrytëzoj këtë kohë që të përmirësohem edhe më shumë për të qenë pjesë e Finlandës. Kemi një skuadër me lojtarë kryesisht të rinj dhe besoj se kjo do të jetë një gjë pozitive për ekipin. Synimet e mia janë që të jem pjesë e ekipit dhe shpresoj që deri atëherë gjërat të shkojnë në mënyrën më të mirë”, theksoi Maxhuni. Pjesëmarrja në Evropian do të jetë mundësi e mirë në karrierën e Maxhunit për të treguar talentin.

“Të them të drejtën të jesh pjesë e ndonjë kompeticioni të tillë është një gjë e rëndësishme për karrierën e një basketbollisti. Këtë do të mundohem ta shfrytëzoj në maksimum, të kem paraqitje sa më të mira për të treguar cilësitë të cilat i kam. Kampionati Evropian dihet se ka një rëndësi të madhe në paraqitjen dhe zbulimin e lojtarëve të rinj me potencial. Kjo do të jetë një motivim shtesë që të paraqitem në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Në të kaluarën në Eurobasket kanë luajtur basketbollistë si Dardan Berisha me Poloninë dhe Kenan Spahiu e Ermal Kuqo me Turqinë.