Talenti shqiptar i boksit Reshat Mati shpreson që të ketë përkrahje të madhe nga tifozët shqiptarë më 7 mars në Manchester, kur do të boksojë në një duel në gjashtë raunde në kategorinë velter. Për Matin do të jetë hera e parë që bokson jashtë SHBA-së në boksin profesionist. Mati vlerësohet si një prej boksierëve më të talentuar shqiptarë, ndërsa ai është pjesë e promotorit të famshëm botëror Eddie Hearn, që është edhe promotor i superyllit Anthony Joshua.
Mati 21-vjeçar, që njihet me nofkën “Ariu Shqiptar”, ka fituar gjashtë meçet e deritashme, katër prej tyre me ndërprerje. Ende nuk është caktuar kundërshtari i tij për meçin e 7 marsit.
“Mezi po pres të tregoj shkathtësitë e mia. Ndonëse ende nuk e di kundërshtarin, unë po pres me padurim të ngjitem në ring. Kam marrë shumë mesazhe nga tifozë shqiptarë se do të vijnë të më përkrahin. Shpresoj të shoh numër të madh të tifozëve shqiptarë dhe do të kem emocione të veçanta të luftojë para tyre dhe shpresoj t’i bëjë krenarë gjithë shqiptarët”, ka deklaruar Mati për “Koha.net”.
Mati 21-vjeçar qysh në rini është marrë me shumë arte marciale. Por, tash është i vendosur të vazhdojë karrierën vetëm në boksin profesionist. Ndryshe nga shumë boksierë profesionistë që po planifikojnë të marrin pjesë në kualifikime për Lojërat Olimpike “Tokio 2020” në mars, Mati është i përqendruar vetëm në karrierën në profesionizëm.
“Përqëndrimi im është vetëm në boksin profesionist. Është ende herët për të caktuar ndonjë synim. Por, natyrisht se shpresojë që të arrijë në majë të boksit profesionist”, ka thënë Mati.
Deri më tash asnjë boksierë profesionistë shqiptarë nuk ka arritur të fitojë ndonjë nga katër titujt më të mëdhenj të boksit profesionist (WBC, WBA, WBO dhe IBF), ndonëse për tituj kanë luftuar Luan Krasniqi, Haxhi Krasniqi, Shpend Abazi, Edis Tatli e së fundi edhe Shefat Isufi.
Mati po ashtu do të pëlqente që në të ardhmen të luftonte edhe në Shpipëri.
“Sigurisht se do të pëlqeja të luftoja në Shqipëri, por kjo varet nga promotori/menaxheri im”, ka thënë Mati.