Sport

Mateu Alemany, drejtori sportiv i Barcelonës që po balancon shpenzimet e klubit

Barcelona mbetet e përfshirë nga problemet financiare, por drejtori sportiv i klubit nga La Liga, Mateu Alemany, po arrin të forcojë ekipin e Xavi Hernandezit, duke ulur faturën e pagave të larta. Përtej talljeve të atyre që tallen me trazirat financiare të Barçës, Alemany ka bërë një punë tejet të vështirë për të arritur në këtë pikë. Në javën e kaluar, drejtori sportiv ka arritur të bëjë shkurtimet e nevojshme për shpenzimet jashtë kontrollit të Barcelonës për të regjistruar ardhjen e re nga Manchester City.

Barcelona e transferoi Ferran Torresin për 55 milionë euro, duke e ditur se do të duhej të bënte lëvizje të tjera për të arritur të regjistronte në mënyrë që sulmuesi i krahut të luante. I tërë ky presion ishte mbi drejtorin sportiv Alemany.

Rikuperimi i Torresit nga lëndimi dhe koronavirusi pas prezantimit të tij në “Camp Nou” i dha Alemanyn afat për një ndeshje – barazimi me Granadan 1:1 – për ta dëshmuar veten. Lëvizja e parë ishte huazimi i Philippe Coutinhos te Aston Villa për pjesën tjetër të sezonit, me brazilianin gjithashtu duke pranuar një ulje të pagës për të realizuar lëvizjen. Xavi Hernandez i kishte dhënë brazilianit një shans për të dëshmuar vlerën e tij, por shpejt e kuptoi se ai nuk mund të mbështetej te Coutinho, as në mesfushë, e as në sulm. Për fat të mirë, Alemany gjeti zgjidhjen te Aston Villa, një shtëpi të re pothuajse ideale për nënshkrimin rekord të klubit, një ekstravagancë e dështuar e epokës Josep Maria Bartomeu. Me vrimën e Jack Grealish ende të paplotësuar dhe ish-shokun e tij të skuadrës te Liverpool, Steven Gerrardin, tani si trajner, Coutinho u drejtua në stadiumin “Villa Park” për të provuar të ringjallë karrierën e tij.

Marrëveshja, me klubin nga Premier League që paguan rreth 65 për qind të pagës së Coutinhos dhe pjesa tjetër e fshirë, hapi pjesën më të madhe të rrugës për regjistrimin e Torresit. Kishte ende një marrëveshje tjetër për t'u bërë që ta shtynte regjistrimin e spanjollit. Spekulimet sugjeruan një largim të Yusuf Demirit, i cili nuk mund të luajë përsëri për Barcelonën pa e aktivizuar një klauzolë blerjeje të detyrueshme prej dhjetë milionë eurosh që ata kanë për lojtarin. Austriaku ka të ngjarë të largohet ende, por Alemany punoi me Samuel Umtitin për të rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2026, gjë që i dha Barcelonës liri të mjaftueshme për të regjistruar Torresin. Marrëveshja e re për një lojtar, që është bërë një i përjashtuar, në klub u pa me shumë skepticizëm në disa qarqe, por është një operacion i projektuar me zgjuarsi nga Alemany. Ai shpërndan paratë që Barcelona i detyrohet Umtitit në kontratën e tij të mëparshme, e cila ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2023, në vend të kësaj, gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Sipas raportimeve, ajo manovër u dha atyre diferencën që u nevojiteshin jo vetëm për të regjistruar Torresin, por edhe për të vendosur Nico Gonzalezin dhe Gavin në kontrata me ekipin e parë. Këto lëvizje mund të jenë të rëndësishme për shkak të rregullave të La Ligas për të pasur shtatë lojtarë të ekipit të parë në fushë në çdo kohë. Duke qenë se dyshja, e regjistruar përkatësisht me Barcelonën B dhe Juvenil A, janë lojtarë kyç tashmë, kjo do t'i lejojë Xavit të përdorë lojtarë të tjerë të rinj me më shumë liri. Mund të inkurajojë gjithashtu Umtitin që të marrë një huazim nga Barcelona dhe të ketë minuta diku tjetër përpara se të kthehet për të dëshmuar veten dhe për të fituar vendin e tij. Klubet e tjera do të jenë në gjendje ta përballojnë huazimin e tij, pasi me pagën e tij të mëparshme kjo dukej e pamundur.

Një efekt tjetër pozitiv është se regjistrimi i Torresit i heq një pjesë të pushtetit agjentit të Ousmane Dembeles, Moussa Sissokos. Një marrëveshje e re për anësorin, duke shpërndarë në këtë mënyrë amortizimin e kostos së transferimit të Dembeles, kishte qenë metoda e preferuar e Barcelonës për të zgjidhur situatën e Torresit dhe i dha Sissokos mundësinë për të kërkuar një pagë më të lartë. Tani, Barcelona mund të marrë frymë lehtë dhe të pranojë vetëm një marrëveshje me Sissokon për Dembelen sipas kushteve të tyre, duke e kthyer situatën me presion të lartë në një situatë të relaksuar.

“Alemany është një vrasës”, i tha një burim i afërt të përditshmes spanjolle “Marca” kur Laporta ia besoi atij postin e drejtorit sportiv në muajin mars të vitit të shkuar. “Shumica e njerëzve tundin pemën dhe shpresojnë që frutat të bien, por jo ai. Ai shkon drejt saj dhe merr mollën që dëshiron”.

Presidenti dhe drejtori i tij sportiv kanë mbajtur një marrëdhënie të mirë që kur Alemany ia shiti Laportas sulmuesin e Mallorcas, Samuel Eto'o, në vitin 2004. Ish-presidenti i Mallorcas dhe drejtori sportiv i Valencias punon me një qetësi të madhe, e cila është në kundërshtim me paraqitjen më bombastike të Laportas. Kjo do të thotë që mesazhet nga të dy janë shpesh krejt të ndryshme, edhe pse ata ndajnë një skenë së bashku.

“Gjithçka është e mundur”, tha Laporta për ardhjen e Erling Haalandit te Barça verën e ardhshme, ndërsa Alemany është gjithmonë më i kujdesshëm dhe me këmbë në tokë. Megjithatë, puna e tij deri më tani ka qenë e jashtëzakonshme. Nuk ishte e lehtë për të “mbushur këpucët” e Ramon Planesit, duke pasur parasysh punën e tij të mirë me blerjet me kosto të ulët të Ronald Araujos dhe Pedrit, por Alemany ka qenë ndoshta nënshkrimi më i mirë i epokës së Laportas deri më tani. Pas largimit të dhimbshëm, por ekonomikisht jetik të Lionel Messit, ai bëri mirë që i hoqi pagat e Antoine Griezmannit me një lëvizje në fund të afatit kalimtar të verës te Atletico Madridi, duke shkarkuar gjithashtu Miralem Pjaniqin e padëshiruar te Beshiktashi. Shitja e Emerson Royalit te Tottenhami duket gjithashtu një vendim i mirë dhe nuk kanë munguar as Junior Firpo dhe Francisco Trincao. Tani, Alemany ka dorëzuar Torresin, një lojtar i kërkuar shprehimisht nga Xavi, i cili do të jetë në gjendje të shtojë fuqinë e sulmit që i nevojitet Barcelonës për të siguruar një përfundim në top-katërsh. Për më tepër, në kohë të vështira, Alemanuy i ka dhënë Laportas shkak për optimizëm kur bëhet fjalë për ardhjen e mundshme të emrave më të mëdhenj në rrugë.