Sport

Mastersi, gara e preferuar e Distria Krasniqit

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, të premten kthehet në tatami. Xhudistja kosovare do të garojë në Budapest të Hungarisë. Do ta kërkojë suksesin në Mastersin e vitit 2023 në xhudo. Mastersi konsiderohet prej garave më të forta në xhudo. Konkurrenca vlerësohet të jetë e njëjtë me atë të Kampionatit Botëror dhe të Lojërave Olimpike.

Të drejtën e paraqitjes në Masters e kanë vetëm xhudistët më të mirë në kategori. Pra është garë elitare. Është po ashtu garë shumë e pëlqyer nga Distria.

Si pak xhudistë të tjerë, 27-vjeçarja e ka fituar Mastersin katër herë. Në këtë garë për herë të parë garoi në St. Petersburg të Rusisë në vitin 2017 dhe u rendit e pesta. U kthye në Guangzhou të Kinës në dhjetor të vitit 2018 dhe triumfoi në kategorinë deri 48 kilogramë. Kampione ishte edhe në Qingdao të Kinës në dhjetorin e vitit 2019. Prapë garoi në kategorinë deri 48 kg, njëjtë si në Doha të Katarit, në janar të vitit 2021. Edhe në Doha ishte kampione. Në dhjetor të vitit të kaluar u paraqit në kategori tjetër, por fitoi medalje me ngjyrë të njëjtë. Ishte e artë në 52 kilogramë, në Mastersin në Jerusalem.

Në Budapest, Distria e kërkon titullin e pestë në Masters.

Ajo pas Lojërave Olimpike në Tokio, të mbajtura në verën e vitit 2021, ka kaluar nga kategoria deri 48 kg në kategorinë deri 52 kg. Ndryshimin e ka përballuar me sukses të plotë. Tashmë është e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kg. Dhe rrjedhimisht bartësja e parë në Masters. Në këtë kategori ende më e mira është japonezja Uta Abe, që është e vetmja top-xhudiste që nuk merr pjesë në Masters.

“Ka disa garuese që do ta sfidojnë Distrinë. Përkrahjen e shikuesve do ta ketë Reka Pupp e Hungarisë. Krasniqi megjithatë llogaritet favorite ndaj saj. Por Distria do ta kërkojë Diyora Keldiyorovan e Uzbekistanit, prej së cilës pësoi në finale të Grand Slamit në Tbilisi. Distria kërkon titullin e pestë në IJF Masters”, ka shkruar Unioni Evropian i Xhudos.

Distria nuk ka garuar nga fillimi i majit. Në Botërorin në Doha ishte renditur e pesta, duke pësuar nga Uta Abe në gjysmëfinale dhe Odette Giuffrida e Italisë për medalje të bronztë.

Të premten garon edhe kampionia tjetër olimpike, Nora Gjakova. Ajo e kërkon suksesin në kategorinë deri 57 kilogramë.

Të shtunën garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë dhe Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë.