Sport

Marclei, braziliani që synon të lërë gjurmë në futbollin kosovar

Skuadra e Ulpianës, që është kthyer në Superligën e Kosovës në futboll pas më shumë se një dekade, vetëm në xhiron e pestë e ka shijuar fitoren e parë në elitë. Të dielën, Ulpiana e befasoi skuadrën e Gjilanit në shtëpi duke e mposhtur me shifrat 3:2.

Më i merituari për këtë fitore të ekipit nga Lipjani ishte sulmuesi nga Brazili, Marclei Santos, i cili edhe u shpall lojtari më i mirë i xhiros së pestë nga Federata e Futbollit e Kosovës. Në fitoren ndaj Gjilanit, Marclei shënoi dy gola nga penalltia, ndërsa “hat-trickun” ia mohoi shtylla. Ai po ashtu asistoi në golin vendimtar.

Marclei, që ka karrierë të gjatë e të begatë, tani është në kuotën e tri golave këtë edicion në elitë pas pesë ndeshjeve të luajtura. Insiston se ky është vetëm fillimi, kurse premton edhe më shumë gola për Ulpianën deri në fund të këtij edicioni.

32-vjeçari shpreson që me golat e tij ta ndihmojë Ulpianën ta ruajë statusin e anëtares së Superligës edhe për edicionin tjetër. Marclei Cesar Chaves Santos thotë se dëshira e tij është që të jetë një prej golashënuesve më të mirë të këtij kampionati.

“Jam i kënaqur me formën personale në start të këtij edicioni dhe mund ta ndihmoj edhe më shumë Ulpianën me gola të tjerë për të arritur synimet. Për këtë po punoj shumë në çdo stërvitje dhe jam i vendosur për ta mbajtur premtimin”, është shprehur Marclei të martën për KOHËN.

Ky është edicioni i dytë i brazilianit në Superligën e Kosovës, ndërsa Ulpiana është skuadra e tretë për të cilën luan. Ai verën e shkuar iu bashkua Feronikelit, për t’u larguar pas gjashtë muajve te Arbëria e Dobrajës. Pasi Arbëria ra nga elita, Marclei firmosi kontratë njëvjeçare me Ulpianën.

“Ulpiana është klubi im i tretë në Kosovë dhe mendoj se e njoh kampionatin pasi kam luajtur edhe me Feronikelin e Arbërinë. Prej Feronikelit u largova për shkak se nuk kisha hapësirë të mjaftueshme dhe iu bashkova Arbërisë, ekip që për fat të keq u largua nga Superliga. Dëshira ishte ta ndihmoja Arbërinë, por shkova në gjysmë të sezonit”, thotë Marclei. “Kështu që kur mora ofertën e Ulpianës nuk hezitova aspak, edhe pse kisha oferta nga klubet e tjera të Kosovës. Tek Ulpiana e pashë mundësinë që mund ta ndihmoj shumë ekipin me përvojën time dhe golat”.

Marclei është i bindur se Ulpiana ka skuadër për të mbetur në elitë. Aktualisht Ulpiana ka tubuar katër pikë dhe zë vendin e tetë në tabelë. Sulmuesi pranon se nuk do të jetë lehtë, kurse vlerëson se këtë kampionat Superliga është dukshëm më e fortë.

“Kemi ekip të mirë dhe besoj se mund të sigurojmë mbetjen. Megjithatë, ky sezon është shumë i fortë për shkak se të gjitha ekipet kanë investuar shumë. Po ashtu, gara është shumë më e organizuar, sidomos me futjen e sistemit VAR. Ka edhe më shumë vende për dalje në Evropë, që do të thotë se konkurrenca është shumë e fortë. Ne jemi gati për të dëshmuar se meritojmë të jemi pjesë e Superligës”, ka insistuar Marclei.

Ai tregon se është ambientuar mirë në Kosovë dhe dëshira e tij është që të qëndroj edhe më gjatë dhe të dëshmohet si golashënues i vërtetë. 32-vjeçari para se të transferohej në Kosovë ka bërë karrierë nëpër klube të ndryshme të Brazilit, pastaj në Kuvajt, Tajlandë, Vietnam e Indonezi. Para se t’i bashkohej Niklit, Marclei kishte ndërruar plot 20 skuadra gjatë karrierës. Dhe ndryshimi i tri skuadrave në Kosovë vazhdon trendin e lëvizjes së tij.

“Isha në Brazil kur verën e shkuar mora një propozim për t’iu bashkuar Feronikelit. Ishte një mundësi e mirë të transferohesha në Evropë dhe ta sfidoja veten në një shtet tjetër. Gjithmonë më kanë pëlqyer sfidat dhe transferimin në Kosovë e pashë si mundësi të mirë në karrierë”, u shpreh Marclei. “Synimi im është që të mbetem në Kosovë edhe pas përfundimit të këtij edicioni. Më pëlqen vendi shumë dhe dua ta stampoj emrin tim si njëri prej golashënuesve më të mirë në histori të futbollit kosovar. Mbi të gjitha, duke pasur parasysh përvojën time, dua t’i ndihmoj në çdo aspekt klubit në të cilin luaj”.

Pas fitores ndaj Gjilanit, Marclei ka kthyer sytë nga ndeshja e ardhshme e Ulpianës, ajo me Dukagjinin që zhvillohet në fundjavë. Marclei synon të shënojë sërish dhe t’ia sigurojë Ulpianës fitoren e dytë rresht.