Ikona e futbollit argjentinas Diego Maradona mori kujdes shëndetësor "të mangët dhe të pamatur" para vdekjes së tij, ka rënë në përfundim një panel ekspertësh mjekësorë, njofton BBC.
Prokurorët në Argjentinë i kërkuan panelit të hetojë ekipin mjekësor të Maradonës pas vdekjes së futbollistit në nëntor të vitit të kaluar.
Maradona vdiq nga një sulm në zemër në shtëpinë e tij në Buenos Aires, në moshën 60 vjeçare.
Ai kishte një operacion të suksesshëm pas mpiksjes së gjakut në tru në fillim të nëntorit dhe do të trajtohej për varësinë nga alkooli.
Një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, Maradona kishte një jetë personale të trazuar nga varësia nga kokaina dhe alkooli.
Vdekja e Maradonas, i cili udhëhoqi Argjentinën në lavdinë e Kupës së Botës në 1986, zhyti botën e futbollit në zi, dhe ngriti pikëpyetje në lidhje me trajtimin e tij mjekësor.
Disa ditë pas vdekjes së tij, prokurorët argjentinas filluan hetimet për mjekët dhe infermierët e përfshirë në kujdesin e tij.
Në mars, prokurorët mblodhën një panel prej 20 ekspertësh mjekësorë për të shqyrtuar shkakun e vdekjes së Maradonës dhe për të përcaktuar nëse kishte pasur ndonjë neglizhencë.
Në një raport me 70 faqe, paneli ka thënë që Maradona ishte sëmurur rëndë rreth 12 orë para vdekjes së tij. Gjatë kësaj periudhe ai "nuk u monitorua siç duhet", shtoi raporti.
Duke cituar raportin, gazeta argjentinase Clarín ka thënë se paneli akuzoi ekipin mjekësor të Maradonës se po i linte mbijetesën "fatit".
Ekspertët mjekësorë thanë se Maradona mund të kishte një shans më të mirë për të mbijetuar po të ishte trajtuar në një institucion mjekësor sesa në shtëpinë e tij, raportoi gazeta.
Paneli arriti në përfundimin se veprimi i ndërmarrë nga ekipi shëndetësor i Maradonas ishte "i papërshtatshëm, i mangët dhe i pamatur".
Mjeku personal i Maradonës, Leopoldo Luque, 39 vjeç dhe psikiatri i tij janë midis profesionistëve mjekësorë që po hetohen nga prokurorët. Këta të fundit do të vendosin më vonë nëse do të ngrin aktakuzë kundër ekipit mjekësor të legjendës argjentinase.