Sport

Malisheva udhëton për pikë në Skënderaj

Te Drenica janë të vendosur që t’i kthehen fitores në xhiron e shtatë të Superligës së Kosovës në futboll. Trajneri Tahir Lushtaku ka insistuar se ka ardhur koha që Drenica t’i arkëtojë tri pikë të reja, pas humbjes dhe barazimit që i regjistroi në dy ndeshjet e fundit.

Fitoren Drenica po e kërkon në ndeshjen ndaj Malishevës, skuadrës që nuk di për disfatë në tri ndeshjet e fundit.

Dueli mes Drenicës dhe Malishevës zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj dhe nis prej orës 15:00. Drenica zë vendin e katërt në tabelë me 11 pikë, sa i ka edhe Malisheva që është e dyta por me goldallim më të mirë.

Drenica në këtë duel futet pas barazimit 1:1 fundjavën e shkuar në udhëtim te Llapi. Me fitore eventuale e mban hapin me skuadrat e kreut. Tabelës i prin Ballkani me 12 pikë të mbledhura. Ballkani është ekipi i vetëm që nuk di për humbje këtë edicion në elitën e futbollit kosovar.

Lushtaku ka insistuar se Malisheva është kundërshtare tejet e papërshtatshme. Ai beson se Drenica do ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas pasi do ta ketë përkrahjen e tifozëve nga tribunat.

“E kemi parasysh që përballë kemi Malishevën që është një kundërshtar tejet i papërshtatshëm dhe mund të na shkaktojë telashe. Mirëpo unë besoj se futbollistët e ekipit tim në këtë ndeshje do ta japin maksimumin për t’u kthyer te fitorja”, është shprehur Lushtaku të martën për KOHËN. “Pavarësisht se i kemi pikët e barabarta, ne futemi në këtë takim vetëm për fitore. Jemi të kompletuar dhe kjo është e rëndësishme. Jam i bindur se do të japim gjithçka nga vetja dhe do të dalim fitues nga ky takim pasi duam të qëndrojmë në pjesën e epërme të tabelës”.

Malisheva nuk ka humbur prej xhiros së tretë, kur pësoi në shtëpi nga Drita (1:0). Në tri ndeshjet e fundit Malisheva ka dy fitore dhe një barazim. Luajti pa gola kundër Ballkanit në xhiron e fundit kurse mposhti Feronikelin (1:0) dhe Llapin (3:0). Këto rezultate kanë bërë që Malisheva mos të udhëtojë me “flamur të bardhë” drejt Skenderajt.

“Atmosfera në ekip është mjaft e mirë, pasi në ndeshjet që i kemi luajtur deri më tani kemi bërë paraqitje shumë të mira, përfshirë edhe atë ndaj Ballkanit ku na mungoi fati për të fituar. Normalisht ne në çdo ndeshje udhëtojmë për fitore, e po ashtu edhe ndaj Drenicës do të synojmë pikët e plota. E kemi parasysh se do të jetë vështirë por jemi përgatitur mjaft mirë. Ekipi është i kompletuar dhe gati për të luftuar në fushë”, ka thënë kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu.

Të mërkurën do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera të xhiros së shtatë. Në Suharekë, Ballkani e pret Feronikelin, ekip që ka pësuar humbje në dy ndeshjet e fundit, duke pranuar pesë gola. Ndërkohë, Gjilani, që në xhiron e kaluar e fitoi derbin ndaj Dritës, do të përballet në shtëpi me Llapin që ende nuk ka shënuar fitore këtë edicion dhe zë vendin e fundit në tabelë me tri pikë.

Superliga – VII

E mërkurë (15:00)

Drenica – Malisheva

Ballkani – Feronikeli

Gjilani – Llapi

E enjte (15:00)


Dukagjini – Drita

Prishtina – Ulpiana

 1. Ballkani 6 3 3 0 8:4 12

 2. Malisheva 6 3 2 1 8:3 11

 3. Drita 6 3 2 1 5:3 11

 4. Drenica 6 3 2 1 7:6 11

 5. Gjilani 6 2 3 1 7:5 9

 6. Prishtina 6 2 2 2 9:6 8

 7. Feronikeli 6 2 0 4 4:8 6

 8. Ulpiana 6 1 2 3 7:10 5

 9. Dukagjini 6 0 3 3 4:7 3

10. Llapi 6 0 3 3 2:9 3