Te skuadra e Malishevës janë të vendosur që me rezultate pozitive në Superligën e Kosovës në futboll, të vazhdojnë edhe pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare. Megjithatë, për Malishevën nuk do të jetë aspak lehtë vazhdimi i kësaj serie duke pasur parasysh se përballet me kampionin në fuqi, Ballkanin. Dueli mes Malishevës dhe Ballkanit e hap xhiron e 15-të të elitës së futbollit kosovar. Luhet të premten prej orës 13:00 në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë dhe është ndeshja e vetme që është në program këtë ditë.
Në katër ndeshjet e fundit, Malisheva nuk di për humbje. Ka regjistruar dy fitore dhe dy barazime, të cilat e kanë ngritur në pozitën e katërt në tabelë me 20 pikë, 12 më pak se Ballkani që është lider dhe ekipi i vetëm pa humbje këtë edicion. Mbrojtësi i krahut, Arbër Pira, ka thënë për KOHËN se te Malisheva janë optimistë për një rezultat pozitiv ndaj Ballkanit, ndonëse ekipin nga Suhareka e vlerësojnë lart. Pira ka insistuar se gjatë dy javëve të pushimit ndërkombëtar kanë pasur kohë që të përgatiten mirë dhe janë maksimalisht të gatshëm për rifillimin e Superligës.
“Kemi punuar mirë këto dy javë sa ishin ndeshjet e përfaqësueseve dhe mendoj që do të arrijmë të mbajmë këtë seri të mirë të rezultateve. Skuadra e Ballkanit është e fortë dhe ka lojtarë të mirë individualë. Por besoj që do të arrijmë rezultat pozitiv, sepse edhe Malisheva ka një grup të mirë të lojtarëve”, është shprehur Pira.
Në anën tjetër, te Ballkani synojnë fitoren e 11-të këtë edicion. Aktualisht, ekipi i Ilir Dajës ka 10 fitore e dy barazime, si dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara se Malisheva. Megjithatë, te Ballkani vlerësojnë Malishevën, ekip për të cilin thonë se është shumë i fortë, sidomos kur luan në shtëpi. Kështu është shprehur mbrojtësi i djathtë i Ballkanit, Armend Thaqi për KOHËN.
“Rikthehemi pas pauzës dyjavore dhe shkojmë te Malisheva që është një skuadër shumë e fortë në terrenin vendas. Ka individë shumë të dalluar që mund të godasin gjithmonë. Ne si ekip kemi punuar maksimalisht në këtë pauzë dhe synimi është të vazhdojmë me serinë e mirë që e kishim edhe para pushimit pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë synimin tonë. Na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Ne do të japim gjithçka për fitore që të jemi edhe më të qetë në vazhdim”, shtoi Thaqi.
Ndeshjet e tjera të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës do të zhvillohen në vikend. Të shtunën dhe të dielën do të zhvillohen nga dy ndeshje. Po ashtu, edhe këto përballje do të nisin në orën 13:00.
Superliga – 15
E premte (13:00)
Malisheva – Ballkani
E shtunë (13:00)
F. Kosova – Dukagjini
Feronikeli ’74 – Liria
E diel (15:00)
Prishtina – Drita
Gjilani – Llapi
1. Ballkani 12 10 2 0 25:8 32
2. Drita 13 7 4 2 18:7 25
3. Llapi 14 7 4 3 20:12 25
4. Malisheva 14 6 2 6 23:19 20
5. Prishtina 14 3 9 2 18:17 18
6. Dukagjini 14 3 8 3 16:19 17
7. Gjilani 13 4 2 7 9:14 14
8. Feronikeli ’74 14 3 3 8 13:24 12
9. F. Kosova 14 2 4 8 11:22 10
10. Liria 14 1 6 7 12:23 9