Sport

Malisheva synon ta ndalë hovin e Dritës

Në euforinë e fitores së madhe të Ballkanit ndaj Dinamo Zagrebit, zhvillohet xhiroja e nëntë e Superligës së Kosovës në futboll. Vëmendja të shtunën do të jetë pikërisht në Suharekë, nga i cili qytet është Ballkani. Por kampioni nuk ka ndeshje të shtunën. Luan të dielën mbrëma ndaj Prishtinës në “Fadil Vokrri”.

Në Suharekë është derbi tjetër i xhiros së nëntë, Malisheva – Drita. Kjo ndeshje është të shtunën nga ora 15:00.

Malisheva është e katërta në tabelë me 12 pikë. Me fitore barazohet me pikë me Dritën, që renditet e treta me 15 pikë.

Malisheva është në moment të mirë. Ndeshjen e kaluar e fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Lirisë. Por trajnerit të kësaj skuadre, Senad Alirifa, ende i dhemb humbja 3:2 nga Llapi në kuadër të xhiros së shtatë.

“Pas tri disfatave rresht, arritëm të kthehemi me fitore nga Prizreni. Por, realisht, tri ditë para asaj ndeshjeje, kishim një lojë delikate me Llapin ku merituam fitoren, por na u mor nga dora nëpërmjet arbitrave. Për këtë i gjithë opinioni futbolldashës e di. Ne patëm krizë në rezultate në këto ndeshje, por nuk patëm krizë në lojë. Besoj që pas kësaj loje ne do të rikthehemi më të fortë në vazhdim”, ka thënë Alirifa për KOHËN, të premten.

Ai vlerëson Dritën dhe pret ndeshje të vështirë. Por është optimist.

“Sigurisht se do të jetë ndeshje shumë e vështirë pasi luajmë me një kundërshtar të vështirë siç është Drita. Ne besojmë në grupin tonë dhe jam më se optimist që Malisheva do të marrë rezultat pozitiv nga kjo ndeshje”.

Malishevës i mungon Drilon Hazrollaj i suspenduar.

“Sigurisht, Hazrollaj është mungesë e madhe por ne funksionojmë si grup i fortë dhe besoj që lojtarët që do të luajnë do t’i kryejnë detyrat në përpikmëri dhe do të minimizojnë mungesën e tij”, ka theksuar Alirifa.

Drita në xhiron e kaluar fitoi 2:0 derbin lokal ndaj Gjilanit. Është në seri prej tri fitoreve, ndërsa nuk di për humbje në shtatë ndeshjet e deritashme.

Trajneri i Dritës, Akis Vavalis e di që skuadrën e tij e pret udhëtim i vështirë. Ai vlerëson mënyrën se si luan Malisheva, por pranon se në Suharekë gjilanasit shkojnë për pikë të plota.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Kur e shikoni Malishevën duke luajtur e kuptoni që ka një ide të lojës, sidomos ofensive, dhe ka shënuar shumë gola. Por, kjo do të varet edhe nga qasja jonë, ndeshjen që do ta zhvillojmë dhe angazhimi ynë. Për mua më e rëndësishme është të fitojmë, të marrim pikë, sepse e kemi parë se të gjitha ekipet po luajnë në defensivë. Por, ne do të mundohemi të jemi çdo ndeshje mirë e më mirë”, ka thënë Vavalis.

Të shtunën janë edhe dy ndeshje të tjera të xhiros së nëntë. Feronikeli 74 e Fushë Kosova takohen në Drenas, ndërsa ndeshje tjetër është ajo mes Gjilanit dhe Dukagjinit.

Xhiroja mbyllet të dielën me dy ndeshje.

Superliga – IX

E shtunë (15:00)

Feronikeli 74 – Fushë Kosova

Gjilani – Dukagjini

Malisheva – Drita

E diel (15:00)

Llapi – Liria

Prishtina – Ballkani


1. Ballkani 7 6 1 0 13:5 19

2. Llapi 8 5 1 2 14:8 16

3. Drita 7 4 3 0 12:3 15

4. Malisheva 8 4 0 4 17:12 12

5. Prishtina 8 2 5 1 11:10 11

6. Dukagjini 8 1 5 2 7:10 8

7. Gjilani 7 2 1 4 4:7 7

8. Feronikeli 74 8 2 1 5 8:18 7

9. Liria 8 1 3 4 6:10 6

10. Fushë Kosova 7 0 2 5 6:16 2