Sulmuesi i Malishevës, Hasan Hyseni, shpreson të vazhdojë me gola dhe kështu ta ndihmojë ekipin e tij të marrë rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në futboll.
Në këtë xhiro Malisheva e pret në stadiumin “Liman Gegaj” nënkampionen në fuqi, Dritën. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën prej orës 16:00. Hyseni është golashënuesi më i mirë i Malishevës. Në dy ndeshje ka realizuar tri gola prej katër në total sa i ka ekipi i tij, i cili prin në tabelë me katër pikë të grumbulluara.
Për Malishevën ky është edicioni i parë që po luan në elitën e futbollit kosovar dhe Hyseni beson në rezultat pozitiv edhe në duelin ndaj Dritës. Në dy duelet e para të këtij sezoni Malisheva ka barazuar në shtëpi me Prishtinën (1:1), kurse ka triumfuar në udhëtim ndaj Ulpianës (3:1).
“Jam në formë të mirë dhe shpresoj që me këtë ritëm të vazhdoj deri në fund të sezonit duke e ndihmuar ekipin për të arritur synimin që ka. Sa i përket ndeshjes me Dritën, mund të them se do të jetë një përballje shumë e vështirë, por ne jemi përgatitur mirë dhe jemi gati”, është shprehur Hyseni për KOHËN, të premten.
“Duke parë punën që e kemi bërë deri më tani, jam i bindur se do të futemi për një rezultat pozitiv edhe ndaj Dritës, pasi synimi është që të vazhdojmë me këtë formë. Jam optimist për këtë”.
Edhe Drita, sikurse Malisheva, nuk di ende për humbje këtë edicion. Skuadra e trajnerit Ardian Nuhiu ka një fitore e një barazim dhe gjithashtu ka tubuar katër pikë pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani. Trajneri Nuhiu ka bërë të ditur se ekipi i tij e ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme pushimin dyjavor. Superliga ishte në pauzë për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve.
Sa i përket përballjes me Malishevën, Nuhiu ka thënë se Drita është gati për të vazhduar me rezultatet pozitive që i ka pasur në dy xhirot e para.
“Kemi shfrytëzuar këto dy javë të pushimit për t’i eliminuar gabimet në dy ndeshjet e para. Më gëzon fakti që futbollistët që kishin shqetësime të vogla i kanë kaluar ato, janë rikuperuar dhe me klubin janë rikthyer edhe futbollistët që ishin me kombëtaret e tyre. Përballë kemi një kundërshtar që është futur me entuziazëm në Superligë. Ka bërë dy ndeshje të mira, duke marrë rezultate pozitive dhe nesër kemi përballë një skuadër të motivuar. E kemi studiuar kundërshtarin, një ekip mjaft agresiv dhe shumë e disiplinuar, jemi përgatitur për ndeshjen e nesërme, jemi të vetëdijshëm që duhet shumë punë për të marrë më të mirën”, theksoi Nuhiu të premten.
Ndërkohë, skuadra e Drenicës po synon ta shfrytëzojë startin e dobët të kampiones në fuqi, Prishtinës, për ta mposhtur në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, të shtunën. Kështu ka insistuar qendërmbrojtësi Arbios Thaçi. Drenica ka katër pikë, tri më shumë se Prishtina që në dy ndeshjet e para ka marrë vetëm një barazim të vështirë me Malishevën.
“Për ne është një motivim shtesë që do të luajmë kundër kampiones në fuqi, Prishtinës, dhe synimi është që të vazhdojmë formën e mirë që e kemi pasur. Duam të tubojmë sa më shumë pikë për të qenë në pjesën e epërme të tabelës. Kemi pasur kohë të mjaftueshme që të përgatitemi dhe besoj se ndaj Prishtinës do t’i marrim tri pikë”, insistoi Thaçi.
Te Prishtina kanë insistuar se nuk ka më vend për gabime dhe se në Skenderaj do të udhëtojnë për fitoren e parë këtë edicion.
“Është ndeshje shumë e vështirë, por ne jemi të motivuar mjaft shumë sepse gabimet nuk tolerohen më. Do të shkojmë t’i marrin pikët e plota, pavarësisht se nuk do të jetë aspak lehtë”, ka thënë mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi.
Të shtunën luhet edhe ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Ulpianës. Ballkani në këtë ndeshje futet pas fitores në udhëtim ndaj Prishtinës, ndërsa Ulpiana pas humbjes nga Malisheva në stadiumin në Suharekë. Ulpiana e rikthyer në Superligë pas më shumë se një dekade, ka vetëm një pikë të mbledhur deri më tani. Ballkani i ka katër pikë.
“Duhet patjetër ta fitojmë këtë ndeshje, sepse nëse nuk fitojmë atëherë nuk do të ketë vlerë triumfi në Prishtinë. Megjithatë, duhet të japim maksimumin, sepse Ulpiana ka një ekip të mirë dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të japim gjithçka për fitore”, paralajmëroi mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaçi, që ishte i grumbulluar te Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet kualifikuese të Botërorit “Katari 2022”.
Të dielën zhvillohen dy ndeshjet e fundit të xhiros së tretë që startojnë gjithashtu prej orës 16:00.
Superliga – III
E shtunë (16:00)
Ballkani – Ulpiana
Malisheva – Drita
Drenica – Prishtina
E diel (16:00)
Gjilani – Dukagjini
Llapi – Feronikeli