Sport

Malisheva, një klub i veçantë futbolli

“Më shumë se një klub futbolli”.

Kështu e ka cilësuar Malishevën trajneri Arsim Thaqi. Ai madje ka theksuar se suksesi historik i Malishevës është arritur falë angazhimit nga të gjithë, ndërsa meritat më të mëdha thotë se i kanë futbollistët. Sipas Thaqit, korrektësi ka treguar presidenti i klubit, e po ashtu edhe Komuna e Malishevës.

Trajneri nga Malisheva të dielën për KOHËN ka theksuar se futbolli është sporti i vetëm që në Malishevë i bashkon edhe partitë politike.

“Historia shkruhet vetëm një herë dhe këtë herë e pati fatin Malisheva. Është me të vërtetë historike për qytetin, sepse për herë të parë inkuadrohemi në Superligë. Është një ekip me shumë entuziazëm, është sporti i vetëm në Komunën e Malishevës që i bashkon edhe partitë politike. Një pjesë të meritave të këtij suksesi e ka edhe Komuna e Malishevës, kurse pjesa tjetër u takon lojtarëve, që kanë treguar një disiplinë të jashtëzakonshme dhe një motiv shumë të madh për të luajtur dhe për ta arritur qëllimin. Ka qenë një grup me lojtar të rinj, por me shumë potencial. Kështu që unë mendoj se një pjesë e tyre do t'i duhen edhe Përfaqësueses së Kosovës, pasi mosha mesatare është 21-vjeçare. Pjesa tjetër e meritave është edhe e presidentit të klubit, i cili nuk na ka bërë presion, ndërsa i ka kryer të gjitha obligimet ndaj nesh”, ka thënë Thaqi.

Në fakt, Malisheva vetëm pas fitores së arritur të shtunën – 3:0 ndaj Vëllaznimit në Gjakovë – siguroi për herë të parë ngritjen në elitën e futbollit kosovar. Në grupin A të Ligës së Parë, Malisheva doli në vendin e parë me 60 pikë, dy më shumë se Dukagjini. Disa ndeshje të Malishevës, Flamurtarit dhe Vushtrrisë janë transmetuar direkt nga KTV-ja.

Thaqi ka thënë se synimet e Malishevës janë të mbetet gjatë në Superligë. Por, ai pranon se synimet mund të realizohen vetëm nëse ka një projekt serioz.

“Gjatë këtyre ndeshjeve lojtarët kanë bërë një përvojë dhe klubi ka bazën e ekipit dhe nëse gjërat shkojnë siç duhet dhe me pak ndryshime në ekip, atëherë Malisheva do të jetë edhe befasia e Superligës për edicionin e ardhshëm”, është shprehur Thaqi.

Thaqi ka vlerësuar lart futbollistët e tij, duke shtuar se kanë treguar karakter të fortë. Madje, është habitur për qetësinë e treguar në përballjen e fundit ndaj Vëllaznimit, që për ta ishte vendimtare.

“Një kompaktësi e një grupi homogjen e bën diferencën në komplet ligën. Kemi funksionuar si familje dhe kjo u dëshmua edhe në ndeshjen e fundit, ku në asnjë moment lojtarët nuk e kanë ndier presionin e lojës. E kam bërë krahasimin e ndeshjes Dukagjini – Llapi, që është vërejtur presioni, ndërsa te lojtarët e mi aspak. Malisheva ka një bazë dhe mund të luajë pa problem në Superligë.

Ish-trajneri i Prishtinës e Trepçës ’89 thotë se Malishevës i duhet organizim i mirëfilltë për të qenë e denjë në elitën e futbollit kosovar.

“Tashmë jam qe 20 vjet në futbollin e Kosovës, me klube të Superligës dhe Ligës së Parë, dhe ka qenë përparësi për klubin sepse i kam njohur lojtarët, nivelin e ekipeve dhe në këtë drejtim kemi punuar dhe kemi arritur rezultate. I mbetet klubit për sezonin e ardhshëm të mendojë se cilët janë hapat e tjerë. Kemi gjëra të konfirmuara nga Komuna dhe donatorët dhe nëse klubi organizohet dhe e shpall kandidaturën për kreun e tabelës, normal që do të jem edhe unë në rrugëtimin e tij. Çdo ndryshim plani – apo nëse nuk saktësohen gjërat të paktën deri në fund të qershorit – do të jetë shumë i vështirë edhe për mua”, ka theksuar Thaqi.

Malisheva këtë edicion i ka luajtur ndeshjet si vendase në dalje të qytetit në fushën me bari sintetik. Por, në Superligë mund të mos i luajë ndeshjet në stadiumin e saj, meqë zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës kanë bërë të ditur se në edicionin e ardhshëm të gjitha klubet e Superligës e kanë për obligim që fushat e tyre t’i kenë me bari natyral. Kjo nuk paraqet shqetësim te Malisheva. Thaqi thotë se Malisheva ka kapacitet ta kthejë fushën në bari natyral.

“Nuk e di nëse është vendim i FFK-së, prandaj na duhet konfirmimi se a do të lejohet paraqitja në fusha me bari artificial, por nëse ka vendim atëherë besoj se do të jetë lehtë e realizueshme që edhe Malisheva ta bëjë një investim tjetër dhe ta kthejë fushën me bari natyral për shkak se drenazhën e ka dhe shpejt mund të bëhet. Komuna është duke bërë një investim në tribunën e pjesës zyrtare”, ka thënë Thaqi.

Në Superligë, nga Grupi B është ngritur Ulpiana e Lipjanit. Në barazh të Ligës së Parë do të luajnë Dukagjini e Flamurtari. Fituesi i kësaj ndeshjeje luan me të tetin e Superligës për vend në elitë edicionin e ardhshëm.