Sport

Malisheva nis përgatitjet për edicionin e ri, ende synon transferime cilësore

Të hënën pasdite në stadiumin “Liman Gegaj” skuadra e Malishevës i ka filluar përgatitjet për edicionin 2022/2023. Malishevasit do të garojnë sërish në elitën e futbollit kosovar. Biletën e siguruan vetëm në barazh duke e mposhtur Vushtrrinë e Ligës së Parë.

Të pranishëm në stërvitjen e parë kanë qenë shumica e futbollistëve të cilët do të jetë pjesë e malishevasve në sezonin e ri.

Malisheva ka pësuar ndryshime. Nga skuadra janë larguar disa lojtarë që kanë qenë vendimtarë për ta mbajtur në Superligë, në mesin e tyre edhe Mërgim Pefqeli e Hasan Hyseni.

Skuadrën e Malishevës do ta drejtojë sërish trajneri Arsim Thaqi.

“Sot kemi nisur stërvitjet dhe ka shkuar shumë mirë. Grupi nuk ka qenë i kompletuar, por në ditët në vazhdim do të bashkangjitet edhe pjesa tjetër e lojtarëve. Faza e parë është e vështirë për shkak të ngarkesave që janë më të larta”, u shpreh trajneri i Malishevës.

Sipas tij, disa lojtarë janë larguar me vetëdëshirë.

“Lojtarët si Mërgim Pefqeli, Hasan Hyseni e Gentrit Dumani janë larguar me vetëdëshirë”, shtoi Thaqi.

Ai konfirmoi se krahas lojtarëve të rinj skuadra do të përforcohet edhe me futbollistë me përvojë në mënyrë që të rritet cilësia.

“Besoj që shumë shpejt sjellim lojtarë në ekip të cilët kanë cilësi. Disa lojtarë i kemi marrë të rinj, por e kem marrë edhe Fiton Hajdarin që ka eksperiencë në Superligën e Kosovës. Jemi në bisedime edhe me disa lojtarë me eksperiencë në mënyrë që ta rrisim ende cilësinë në ekip”, theksoi Thaqi.

Thaqi thekson se ende nuk e kanë të qartë se cili do të jetë objektivi i klubit për këtë kampionat.

‘Në bazë të prurjeve të reja do t’i dimë edhe ambiciet e klubit. Sa më cilësore që do të jenë prurjet, aq më të mëdha do të jenë ambiciet’’.

Ish-trajneri i Prishtinës, Flamurtarit e Trepçës ’89, tregoi se fazën finale të përgaditjeve do ta kryejnë jashtë vendit.

“Në fund të muajit besoj që do të zhvendosemi në Maqedoni të Veriut për fazën finale të përgatitjeve’’, u shpreh Arsim Thaqi.

Me Thaqin në krye, Malisheva u inkuadrua në Superligë për herë të parë në vitin 2021. Në edicionin e parë në Superligë përfundoi në vendin e tetë dhe mbetjen në elitë e siguroi përmes barazhit.