Sport

Malisheva në kërkim të fitores së parë ndaj Dritës

Të mërkurën dhe të enjten do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Dueli kryesor i së mërkurës do të luhet në stadiumin “Liman Gegaj”, ku Malisheva e pret Dritën e Gjilanit (13:00). Malishevasit kanë një fitore dhe një barazim në stinorin pranveror dhe renditen në vendin e shtatë me 23 pikë. Një fitore dhe një barazim e ka edhe Drita, e cila zë pozitën e tretë me 38 pikë.

Malisheva nuk ka fituar asnjëherë në Superligë ndaj Dritës. Në vizitën e kaluar në Malishevë, Drita kishte fituar 1:0. Me të njëjtin rezultat gjilanasit kishin triumfuar edhe si vendës.

Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, e vlerëson duelin kundër Dritës si shumë të rëndësishëm.

“E kuptueshme që do të jetë ndeshje e vështirë. Jemi dy ekipe me ambicie të ndryshme. Derisa Drita lufton për titull të kampionit, ne luftojmë për të siguruar mbetjen në elitë. Kuptohet që objektiv e kemi fitoren sepse luajmë si vendas”, deklaroi Thaqi për KOHËN, të martën.

Ai konfirmon dy mungesa të rëndësishme.

“Agron Bruqi dhe Labinot Ibrahimi do të mungojnë për shkak të kartonëve. Por besoj që të gjithë lojtarët që do të luajnë do të japin më të mirën”.

Edhe trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, pret ndeshje të vështirë kundër Malishevës. Ai ka besim se skuadra që drejton në fund do të arrijë fitore.

“Jemi të vetëdijshëm për forcën e skuadrës kundërshtare. Malisheva ka një start mjaft të mirë. Është përforcuar në afatin kalimtar me futbollistë të cilët e njohin shumë mirë kampionatin, me lojtarë me përvojë. Jemi munduar ta përgatisim skuadrën tonë. Thjesht, të jemi vetvetja dhe të luajmë në mënyrën siç dimë ne. Ndeshja kërkon vlerësim, kërkon qasje të plotë dhe mendoj që do të marrim vendimet e duhura për të dalë nga kjo ndeshje shumë mirë. Do të jetë ndeshje e vështirë, duke e ditur se Malisheva befasoi edhe kampionen në fuqi”, tha Nuhiu.

Te Drita do të mungojnë Ilir Blakçori për shkak të lëndimit dhe Hamdi Namani për arsye të kartonëve. I gatshëm do të jetë Muharrem Jashari.

Të mërkurën, lideri, Ballkani, do të jetë nikoqir i Ulpianës. Ndërkohë në “Zahir Pajaziti”, Llapi e pret Feronikelin.

Të enjten luhen dy ndeshjet e fundit të xhiros së 21-të. Drenica në “Bajram Aliu” do të përballet me Prishtinën. Gjilani – Dukagjini është dueli tjetër i së enjtes.

Superliga –XXI

E mërkurë (13:00)

Malisheva – Drita

Ballkani – Ulpiana

Llapi – Feronikeli

E enjte (13:00)

Drenica – Prishtina

Gjilani – Dukagjini

1. Ballkani 20 11 6 3 28:15 39

2. Gjilani 20 10 9 1 27:15 39

3. Drita 20 11 5 4 30:12 38

4. Llapi 20 9 6 5 31:22 33

5. Drenica 20 8 3 9 25:24 27

6. Prishtina 20 6 6 8 23:21 24

7. Malisheva 20 6 5 9 20:22 23

8. Ulpiana 20 4 7 9 18:33 19

9. Dukagjini 20 3 9 8 15:25 18

10. Feronikeli 20 3 2 15 6:34 11