Sport

Malisheva mbështetet në përvojë për pranverën e “nxehtë”

Pasi përmendi dy emrat e lojtarëve që do t’i bashkohen skuadrës së Malishevës, trajneri Arsim Thaqi nisi t’i numërojë edhe sukseset e tyre. Bëhet fjalë për dy mbrojtësit nga Lipjani, Fidan Gërbeshi dhe Labinot Ibrahimi, që së fundi i janë bashkuar Malishevës nga Arbëria e Dobrajës. Thaqi tha se të dy lojtarët janë me përvojë në futbollin kosovar, ndërsa ka theksuar se do të jenë ndihmë e madhe për Malishevën në stinorin pranveror të Superligës në futboll, që nis muajin e ardhshëm. Por Gërbeshi e Ibrahimi nuk janë lojtarët e vetëm me përvojë që pritet t’i bashkohen Malishevës gjatë këtij muaji. Thaqi tregon se janë pranë arritjes së marrëveshjes edhe me Xhevdet Shabanin e Prishtinës dhe Betim Haxhimusën e Dritës. Thotë se në bisedime janë edhe me Behar Maliqin e Feronikelit, ndërsa KOHA mëson se ish-futbollisti i Përfaqësueses U20 të Zvicrës, Albin Sadrijaj do të arrijë marrëveshje me Malishevën. Sadrijaj së fundi ishte te Vllaznia e Shkodrës.

“Labinot Ibrahimin dhe Fidan Gërbeshin i kemi marrë, kemi folur me Xhevdetin dhe jemi afër marrëveshjes. Jemi të interesuar për Betim Haxhimusën. Kemi biseduar edhe me Beharin, por asgjë nuk ka definitive. Malishevës i duhen lojtarë me eksperiencë tash në këtë fazën e dytë, që i duhen çdo klubi sidomos atyre që luftojnë për mbijetesë dhe normalisht që ne duhet t’i shfrytëzojmë këta lojtarë që kanë përvojë”, është shprehur trajneri i Malishevës, Thaqi, të dielën për KOHËN. “Në Superligën e Kosovës, Labinot Ibrahimi është lojtar me përvojë dhe cilësi që ka luajtur në nivele të larta, ndërsa Gërbeshi është bërë kampion me Dritën dhe Feronikelin. Janë lojtarë që na janë dashur në fazën defensive, ndërsa edhe pjesën tjetër të ekipit gradualisht jemi duke e kompletuar”.

Malisheva stinorin vjeshtor e mbylli në vendin e shtatë në tabelë me 19 pikë të mbledhura, ndërsa synim e ka mbijetesën në elitën e futbollit kosovar, në të cilën po luan për herë të parë në histori të klubit. Thaqi është i bindur se me ardhjet e reja Malisheva do të garojë edhe në sezonin tjetër në elitë.

“Megjithëqë do të vijnë, Malisheva do të jetë edhe sezonin e ardhshëm në elitë. Synimi jonë është mbetja në elitën e futbollit të Kosovës. Qyteti i Malishevës e ka këtë klub ku është bërë punë e madhe, ngritja në Superligë dhe stinori vjeshtor ka qenë mendoj shumë i mirë për faktin se jemi mbi nivelin e disa ekipeve, siç është Dukagjini që ka lojtarë të nivelit prej më të mirëve në Kosovë ndoshta, pasi në mesin e tij ka Ahmed Januzin, Bujar Shabanin, Cariocan, Ergyn Ahmetin. Pra, ka një grup të lojtarëve cilësorë, por ne ia kemi dalë me këtë grup të lojtarëve të jemi sipër Dukagjinit”, është shprehur Thaqi.

Malisheva për stinorin pranveror fazën e fundit përgatitore do ta zhvilloj në Antalia të Turqisë. Në Turqi do t’i zhvillojë edhe katër ndeshje miqësore, tri prej tyre tashmë i ka të konfirmuara.

“Stinori pranveror është më i vështirë dhe për këtë arsye i kemi afruar këta lojtarë dhe synojmë t’i afrojmë edhe të tjerët që kanë cilësi dhe përvojë duke ditur nivelin e garës që është në stinorin pranveror. Me këta lojtarë dhe ata që do të vijnë besoj që Malisheva do të jetë stabile për pranverë me vetë faktin që edhe Kryesia na ka krijuar kushtet që të shkojmë në përgatitje në Antalia. Do t’i kemi katër miqësore në Antalia. Tri ndeshje i kemi të konfirmuara”, ka thënë Thaqi.

Ndeshjen e parë këtë vit Malisheva do ta luajë në kuadër të 1/8 së finales të Kupës së Kosovës. Do të përballet me skuadrën e Ballkanit në Suharekë.