Sport

Malisheva e Drenica luajnë ndeshjen e sezonit

Kampioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll u mësua në mesjavë. Ballkani u kurorëzua me titullin e parë në histori të klubit tri xhiro para fundit dhe do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Kosovën në kualifikimet e Ligës së Konferencës do ta përfaqësojnë dy skuadrat gjilanase, Gjilani e Drita. Ndërkohë, Llapit i duhet edhe një pikë për ta siguruar vendin e katërt, që dërgon në Ligën e Konferencës po ashtu.

Ulpiana e Feronikeli kanë rënë nga liga edhe matematikisht.

Por, ajo që është e paqartë, është pozita e barazhit. Janë plot katër skuadra që synojnë t’i ikin ndeshjes së barazhit, që di të jetë shumë e vështirë për t’u luajtur.

Prishtina, Dukagjini kanë nga 45 pikë, Malisheva e Drenica kanë nga 43 pikë.

Nga xhiroja e 34-t që zhvillohet të dielën prej orës 15:00, mund të përfitojë Prishtina që ka ndeshje më të lehtë në letër. Luan në udhëtim tek Ulpiana.

Derbi i pjesës së poshtme të tabelës vlerësohet të jetë ai mes Malishevës e Drenicës. Çdo gabim, mund t’u kushtojë në fund të kampionatit.

Për këtë është i vetëdijshëm edhe golashënuesi më i mirë i Drenicës deri tani, Kreshnik Uka, që ka shënuar 18 gola. Ka tri gola më pak të shënuar se Gerhard Progni i Gjilanit që prin në këtë listë. Përderisa te Malisheva kanë qenë të heshtur para ndeshjes me Drenicën, Uka e vlerëson këtë ballafaqim si më të rëndësishmin në gjithë sezonin.

“E kemi ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, ndaj kundërshtarit direkt për t’i ikur barazhit dhe besoj se do të jetë takim përcaktues për të dyja skuadrat. Fituam ndaj Llapit, por kemi pasur pak kohë për t’u përgatitur për duelin me Malishevën. Unë besoj shumë te skuadra dhe pres të kthehemi me rezultat pozitiv në Skenderaj”, ka thënë Uka të shtunën për KOHËN.

Ndeshje shumë të vështirë do të ketë edhe Dukagjini që udhëton në Gjilan të dielën. Për shkak të ballafaqimit të ndërsjellë që ka Malisheva me Drenicën, mund të përfitojë Dukagjini. Dukagjini përfundimisht largohet nga barazhi sivjet, vetëm nëse shënon dy fitore rresht. Pra, ta mposhtë Dritën fillimisht si mysafir, e më pas në vendin e vet edhe Llapin. Ndeshjen e fundit e ka me Malishevën, por çfarëdo rezultati nga ai takim, klinasit do të ishin të sigurt dhe do të shpëtonin pa barazh.

Mesfushori i Dukagjinit, Bujar Shabani, e di mirë rëndësinë e përballjes me Dritën. I vlerëson shumë gjilanasit. Me këtë skuadër ka fituar dy tituj kampioni, ndërsa dy të tjerë i ka me Feronikelin. Është prej lojtarëve më me përvojë në Kosovë.

“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë duke e ditur që për kundërshtar e kemi Dritën, që tash e sa vjet është skuadra më e organizuar në vend. Por, ne jemi të motivuar maksimalisht. Duke e ditur edhe rëndësinë e lojës, do të luftojmë deri në fund që t’i ikim pozitës që dërgon në barazh. Shpresoj që edhe fati të na përcjellë në këtë lojë dhe të dalim, pse jo edhe me fitore”, është shprehur Shabani një ditë para ndeshjes.

Dukagjini po e kalon formën më të mirë në Superligë aktualisht. Ka pesë fitore rresht në Superligë. Ka shënuar 10-të gola e ka pranuar vetëm një në këtë seri.

Këto statistika nuk i kanë shpëtuar trajnerit të Dritës, Ardian Nuhiut. Tekniku shkupjan në konferencën për shtyp një ditë para lojës, u shpreh se Drita duhet bërë kujdes nga eksperienca e disa lojtarëve kundërshtarë.

“Kundërshtari ka një formë të jashtëzakonshme dhe ka bërë një gjysmë-stinor të mirë, ka futbollist cilësor që e njohin kampionatin. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të mbyllim pikat kryesore të tyre dhe t’i shfrytëzojmë aftësitë apo potencialin e skuadrës sonë. Duhet që si grup të dalim te loja jonë, sepse ne po luajmë mirë, po krijojmë por duhet të jemi edhe të përqendruar për të fituar këtë ndeshje”, ka thënë Nuhiu.

Të dielën, kampioni i ri i Superligës, Ballkani, luan në udhëtim te Feronikeli, ndërsa Llapi ballafaqohet me Gjilanin. Skuadra llapjane pësoi humbje xhiron e fundit në udhëtim derisa Gjilani barazoi pa gola në shtëpi.

Superliga – 34

E diel

Llapi – Gjilani (15:00)

Drita – Dukagjini (15:00)

Ulpiana – Prishtina (15:00)

Malisheva – Drenica (15:00)

Feronikeli – Ballkani (15:00)


1. Ballkani 33 21 7 5 56:23 70

2. Gjilani 33 15 14 4 50:28 59

3. Drita 33 16 9 8 50:25 57

4. Llapi 33 15 9 9 52:35 54

5. Prishtina 33 12 9 12 44:35 45

6. Dukagjini 33 11 12 10 34:32 45

7. Malisheva 33 12 7 14 41:40 43

8. Drenica 33 12 7 14 45:45 43

9. Ulpiana 33 5 9 19 28:62 24

10. Feronikeli 33 3 3 27 12:87 12