Të mërkurën dhe të enjten do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll.
Vëmendja do të jetë në Gjilan ku përballen rivalët lokalë, Drita dhe Gjilani. Kjo ndeshje zhvillohet të enjten prej orës 13:00.
Por edhe ndeshjet e të së mërkurës pritet të jenë interesante, sidomos ajo në Malishevë.
Lideri Ballkani do të jetë mysafir i Malishevës. Dueli nis prej orës 13:00 dhe zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj”.
Malisheva, që renditet e shtata dhe po lufton për mbetje në Superligë, shpreson në pikë ndaj Ballkanit, që është në vendin e parë dhe në kërkim të titullit të parë në histori.
Malisheva paraqitet pas fitores së thellë kundër Feronikelit 6:1, kurse Ballkani ka seri pozitive në pranverë me trajnerin Ilir Daja, ku ka shënuar pesë fitore rresht. Të fundit e arriti në fundjavë kundër Llapit.
Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, e vlerëson lart skuadrën e Ballkanit. Sipas tij, çdo rezultat, përveç humbjes, do të ishte pozitiv për skuadrën që e drejton.
“Për ndeshjen kundër Ballkanit nuk kemi mungesa. Ndeshjes do t’i qasemi që të marrim maksimumin. Por, duke e ditur se Ballkani ka vërtet ekip cilësor, çdo rezultat tjetër, përveç humbjes, do të na konvenonte”, u shpreh Thaqi për KOHËN, të martën.
Ai pohon se ekipi nga Suhareka meriton respekt.
“Nëse analizojmë ndeshjet që ka zhvilluar Ballkani dhe nivelin e ekipit që ka, kuptohet që meriton respekt. Ndeshjen kundër Ballkanit e zhvillojmë në Malishevë dhe objektivat e të dyja ekipeve janë të kundërta. Derisa Ballkani lufton për titullin kampion, skuadra jonë lufton për mbetje në elitën e futbollit kosovar”, përfundoi Thaqi.
Malisheva ka një barazim 0:0 në shtëpi në kuadër të këtij kampionati kundër Ballkanit, kurse ka humbur në Suharekë me shifrat 2:0. Ballkani e ka eliminuar Malishevën nga Kupa.
Mesfushori i Ballkanit, Meriton Korenica, ka thënë për KOHËN të martën se në Malishevë do të udhëtojnë për pikë të plota.
“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen kundër Malishevës, që do të zhvillohet të mërkurën. Është një ndeshje me shumë rëndësi për ne. Do ta japim maksimumin për të dalë me pikë të plota”, tha Korenica.
Futbollist nga Prizreni shtoi se synimi i Ballkanit është që të vazhdojë me këtë ecuri dhe në fund ta arrijë titullin.
“I marrim ndeshjet një nga një dhe vazhdojmë deri në fund për t’i arritur objektivat tona që i kemi si ekip. E kemi nisur mirë stinorin pranveror. Jemi duke ecur me seri pozitive që prej fillimit dhe shpresoj që deri në fund të vazhdojmë me këtë ecuri”, theksoi Korenica.
Duel interesant pritet të zhvillohet edhe në Lipjan. Ulpiana e pret Dukagjinin, ndeshje kjo që i vë përballë dy skuadra që po luftojnë për mbetje në elitë. Ulpiana është e nënta në tabelë me 22 pikë, kurse Dukagjini i teti me dy pikë më shumë. Dy ndeshjet e këtij edicioni mes këtyre ekipeve kanë përfunduar baras, 1:1 në Klinë dhe 0:0 në Lipjan.
Po të mërkurën, Feronikeli pa gjasa për t’i shpëtuar rënies, e pret Prishtinën në krizë të thellë. Prishtinasit kanë 26 pikë në vendin e gjashtë, sa edhe Malisheva.
Prishtina e ka pozitën e barazhit dy pikë larg, kurse vendin e nëntë që në fund të kampionatit dërgon në Ligën e Parë, vetëm katër pikë. Kryeqytetasit i kanë shënuar dy fitore kundër Feronikelit këtë edicion.
Superliga – Java 24
E mërkurë (13:00)
Malisheva – Ballkani
Ulpiana – Dukagjini
Feronikeli – Prishtina
E enjte (13:00)
Drita – Gjilani
Llapi – Drenica
1. Ballkani 23 14 6 3 33:15 48
2. Gjilani 23 12 10 1 33:18 46
3. Drita 23 12 5 6 33:16 41
4. Llapi 23 11 6 6 38:25 39
5. Drenica 23 9 4 10 28:28 31
6. Prishtina 23 6 8 9 26:25 26
7. Malisheva 23 7 5 11 27:28 26
8. Dukagjini 23 5 9 9 21:28 24
9. Ulpiana 23 5 7 11 21:39 22
10. Feronikeli 23 3 2 18 9:47 11