KF Malisheva në edicionin e ardhshëm do të luajë në Superligën e Kosovës në futboll. Malishevasit e përfunduan edicionin 2020/21 në Ligën e Parë Grupi A si kampion, me 60 pikë në total, duke lënë prapa Dukagjinin me 58 pikë.
Malisheva të shtunën gjatë ditës triumfoi në udhëtim te Vëllaznimi në Gjakovë me rezultatin 3:0, për ta konfirmuar formën e mirë.
Golat për skuadrën e Malishevës i shënuan Viktor Kuka në minutën e 15-të, Altin Aliu në minutën e 27-të, dhe Armend Abazi që realizoi në minutën e 66-të.
Ky sukses i Malishevës u arrit nën drejtimin e trajnerit nga Malisheva, Arsim Thaqi. Malisheva është themeluar si klub në vitin 2016-të, ndërsa majën e futbollit kosovar e arriti pas pesë viteve.
Bylykbashi shënon dy herë, Ulpiana në Superligë
Bardh Bylykbashi ka shënuar dy gola në ndeshjen e fundit të kampionatit në Ligën e Parë, Grupi B. Ulpiana mposhti në Prishtinë Ramiz Sadikun me rezultatin 2:1. Të dyja golat i shënoi Bylykbashi, në minutën 12-të dhe 48-të.
Do të jetë rikthim për skuadrën e Ulpianës nga Lipjani, që për herë të fundit në elitën e futbollit kosovar luajti në edicionin 2008/09.
Në 27 ndeshje të këtij kampionati, Ulpiana arkëtoi 53 pikë në total, duke e lënë pas vetes Flamurtarin.
Flamurtari do të luajë në barazh për inkuadrim në Superligë me skuadrën e Dukagjinit fillimisht, e më pas me vendin e tetë që vjen nga Superliga e Kosovës.