Sport

Majlinda pranon flamurin që synohet të ngrihet lart në Tokio

Pesë vjet më parë Majlinda Kelmendi pranoi flamurin e Kosovës, ndërsa atë e ngriti shumë lart falë suksesit në lojërat olimpike “Rio 2016”. Fituesja e medaljes së artë në Rio premtoi se flamuri do të nderohet në skenën më të madhe të sportit botëror edhe në Tokio, ku prej 23 korrikut deri më 8 gusht do të mbahen Lojërat Olimpike. Kelmendi e pranoi flamurin e Kosovës nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.

Deri te Osmani flamurin e barti atleti premtues Muhamet Ramadani.

Ceremonia e dorëzimit të flamurit u organizua të hënën mbrëma në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, në praninë e shumë sportistëve, zyrtarëve të federatave, si dhe drejtuesve të shtetit.

Majlinda Kelmendi ndihet më e relaksuar para Olimpiadës në Tokio, meqë thotë se ekipi i xhudos ka edhe katër garues që mund të fitojnë medalje.

Kosovën në Lojërat Olimpike në Tokio do ta përfaqësojnë edhe dhjetë sportistë të tjerë, pos Majlindës. Me normë të fituar do të marrin pjesë edhe xhudistët Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova, si dhe mundësi Egzon Shala. Ndërsa me ftesë janë boksierja Donjeta Sadiku, atleti Musa Hajdari, shenjëtari Drilon Ibrahimi dhe notarët Eda Zeqiri e Olt Kondirolli.

Mjeshtri i xhudos, Driton Kuka, thotë se drejt Tokios me nxënësit e tij do të niset për ta fituar ndonjë medalje. Kuka është më meritori për suksesin e madh të xhudos kosovare.

Shpresat për medalje i kanë edhe xhudistët e tjerë.

Edhe presidenti i Komiteti Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka theksuar se ekipi olimpik do të mundohet ta përfaqësojë vendin sa më denjësisht.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bindjen se drejt Tokios sportistët e Kosovës do të nisen për ta bërë krenar vendin.

Sportistëve mbështetje përmes një video-mesazhi nga Athina u dha edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Të hënën është prezantuar edhe uniforma e sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në lojërat olimpike “Tokio 2020”. Uniforma është prezantuar në një konferencë për shtyp ku prezent ishin drejtuesit e KOK-ut dhe një pjesë e sportistëve që do të garojnë në Tokio. Uniformat janë të kaltra dhe të bardha, ndërsa përmbajnë simbolet e Hyjneshës në Fron dhe Vrapueses së Prizrenit.

Pas pak ditësh xhudistët udhëtojnë për në Tokio, ndërsa rreth 20 korrikut edhe pjesa tjetër e ekipit.