Sport

Majlinda Kelmendi nuk e ndien presionin që kishte në Rio

Majlinda Kelmendi shpreson ta përsërisë në Tokio suksesin që e pati në Lojërat Olimpike “Rio 2016”: ta fitojë medaljen e artë. Xhudistja e artë olimpike thotë se presionin e ka shumë më të vogël për Tokio sesa që e kishte në Rio. Ajo shprehet se tashmë nuk është e vetme, pasi janë edhe katër xhudistë të tjerë të Kosovës që po tregojnë suksese në arenën ndërkombëtare. Kelmendi, 30-vjeçare, ka theksuar se në Tokio njëri prej pesë xhudistëve të Kosovës pjesëmarrës me normë do të kthehet me medalje nga Japonia.

“Ishte shumë më e vështirë për mua të përgatitesha para Rios sesa që është tani për Tokio. I gjithë presioni ishte mbi mua. Sot jam shumë e relaksuar. Nuk jam më vetëm. Jemi pesë. Ne të gjithë po garojmë për medalje dhe të paktën njëri prej nesh do të ketë sukses”, ka thënë Kelmendi në një intervistë për AFP-në.

Kelmendi insiston se ëndrra e saj është realizuar pesë vjet më parë, kur fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike që u organizuan në Brazil. Medaljen e fitoi në kategorinë deri në 52 kilogramë.

“Çfarëdo që do të ndodhë në Tokio, ëndrra ime tashmë është realizuar”, është shprehur Kelmendi.

Kelmendi do ta udhëheqë ekipin olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” që mbahen nga 23 korriku deri më 8 gusht. Ajo pritet të jetë edhe bartëse e flamurit të Kosovës në ceremoninë hapëse të kësaj ngjarjeje. Në Tokio, Kelmendi nuk do të jetë xhudistja e vetme. Nga xhudoja me normë do të shkojnë edhe Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka. Me normë Kosovën do ta përfaqësojë edhe mundësi Egzon Shala, ndërsa ftesë kanë marrë shenjëtari Drilon Ibrahimi, boksierja Donjeta Sadiku, atleti Musa Hajdari, dy notarët Eda Zeqiri e Olt Kondirolli.

Kelmendi është e bindur që trajneri i saj, Driton Kuka, do të nxjerrë në të ardhmen edhe kampionë të tjerë olimpikë. Ajo insiston që Kuka ka energji dhe vullnet për t’i bërë gati kampionët e rinj. Në klubin “Ippon” të Pejës xhudistët po punojnë me intensitet të lartë për pjesëmarrje të denjë për LO “Tokio 2020”.

“Nuk do të jetë befasi nëse Toni vazhdon të përgatisë kampionë të rinj olimpikë në këtë sport. Është një sport i vështirë, por nëse e do harron gjithçka tjetër”, tha ajo.