Sport

Lushtaku: Goli i parë ndikoi në humbje

Trajneri i skuadrës së Drenicës, Tahir Lushtaku, ka thënë se ka qenë pikërisht goli i parë i marrë nga skuadra e tij që ndikoi në rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

Ballkani të shtunën fitoi në Suharekë ndaj Drenicës 3:2 në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll.

“Kemi nisur siç u morëm vesh, nuk jemi mbrojtur por kemi luajtur lojën në mënyrën më të mirë të mundshme. Në pjesën e parë kemi qenë më të mirë, më konkret dhe më të rrezikshëm në raste ku edhe shënuam gol. Ju thash djemve në pushim që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, pa u tërhequr prapa dhe shënuam nëpërmjet penalltisë. Situata e golit të parë ishte një moment pakujdesie dhe morëm gol të lehtë. Kjo ndikoi te futbollistët. Nga ai moment nuk arritëm të këndellemi dhe u tërhoqëm shumë. I këshilloja vazhdimisht lojtarët të dalim para, por goli i parë ndikoi, pasi edhe dy të tjerët ishin të lehtë, pavarësisht që Ballkani krijoi shumë raste për shënim”, tha pas ndeshjes trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku.

Në xhiron e nëntë të Superligës pas dy javësh, Ballkani luan në udhëtim te Gjilani, kurse Drenica luan në shtëpi ndaj Feronikelit.