Dashuria për klubin e zemrës bën që shpesh shumë gjëra të mos shikohen, madje as aspekti financiar që është i rëndësishëm për çdo lojtar.
Mbrojtësi i Drenicës, Shkëlzen Lushtaku, që është rritur te klubi nga Skenderaj dhe vesh fanellën e ekipit të parë qe një dekadë, thotë për KOHËN se kur futet në fushë nuk mendon fare për borxhin. Drenica po përballet me probleme të mëdha financiare. Borxhi i klubit shkon në rreth 600 mijë euro. Lushtaku është prej atyre që Drenica vazhdimisht u mbetet borxh.
“Realisht kur futem në fushë dhe e veshi këtë fanellë nuk e ndiej borxhin. Ashtu siç ka thënë edhe trajneri, unë nuk luaj diku tjetër përveç Drenicës. Do të luaj për Drenicën këta vjet që më kanë mbetur. Po ndihem mirë fizikisht. Edhe stafi këtë sezon ka qenë shumë i mirë. Unë nuk besoj që do ta braktisi klubin. Nëse klubi mbyllet krejt ajo është diçka tjetër, por unë nuk e braktisi Drenicën”, ka theksuar Shkëlzen Lushtaku.
31-vjeçari thotë se pothuajse çdo vit i ka falur borxh Drenicës. Të njëjtë gjë është i gatshëm ta bëjë edhe tani. Borxhi aktual ndaj tij është pesë paga.
“Po, i kam falur borxh Drenicës, ndoshta vit pas viti nga pak. Edhe tash jam në gjendje t’ia fal borxhin Drenicës, çdo herë jam në gjendje t’i fal borxh. Ëndrra ime që kur kam qenë i ri ishte të luaja për Drenicën. Kur shihja Tahir Lushtakun që tani është trajner, Brahim Vojvodën, Arton Hajdarin, Bekim Xanin e Sami Gecin, thosha se kur më vjen dita që edhe unë të luaj për ekipin e parë të Drenicës”, thekson mbrojtësi i krahut të djathtë.
Brenga e Lushtakut është për lojtarët e tjerë, sidomos lojtarët që nuk janë nga Skenderaj.
“Unë i kam kushtet e mira në familje, por pjesa tjetër e ekipit më ka prekur shumë. Ka pasur lojtarë që i kanë kushtet më të liga sesa unë, lojtarë nga jashtë dhe ajo më ka prekur mua shumë. Gjatë gjithë pjesës vjeshtore kam folur që t’i motivoj lojtarët që janë nga jashtë, sepse ata e kanë pasur vështirë”.
Drenica së bashku me Prishtinën janë ekipet që asnjëherë nuk kanë rënë nga Superliga, pavarësisht problemeve të kohëpaskohshme financiare.
“Drenica vazhdimisht ka pasur lojtarë vendorë, pra të rrethit të Skenderajt dhe ajo është që e ka mbajtur Drenicën në ligë dhe ndoshta të organizuar. Po të mos ishte kjo pjesë, unë nuk besoj që Drenica do të ishte as pjesë e Superligës, pasi kur nuk ke lojtarë vendorë, lojtarët e huaj që i merr duhet të paguhen”, u shpreh Lushtaku.
Ai tregon ëndrrën e madhe që ka me klubin ku është rritur.
“Do të ishte kulmi i karrierës sime nëse unë do të fitoja ndonjë trofe me Drenicën dhe do të dilnim në Evropë. Kjo është ëndrra e fëmijërisë”.
Shkëlzen Lushtaku, gjatë karrierës së tij, ka luajtur vetëm gjashtë muaj te 2 Korriku. Thotë se ka pasur oferta, por ka vendosur të mbetet te Drenica.