Sport

Lundruesit e notarët në telashe, “mbyllen” për ta liqenet e Batllavës e Badovcit

Federata e Lundrimit e Kosovës në fund të marsit kishte planifikuar ta mbajë një aktivitet në liqenin e Batllavës dhe në atë të Badovcit. Por, lundruesit nuk u lejuan të futen në këta liqene për të zhvilluar garën.

Liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit nuk do të jenë në dispozicion për lundruesit, përkatësisht për Federaten e Lundrimit të Kosovës as gjatë verës. Aktivitetet në këta liqen nuk do të mund t’i zhvillojë as Federata e Notit e Kosovës e as ajo e Peshkatarisë.

Drejtues të federatave thonë se kjo është goditje për sportet e tyre. Sidomos në Batllavë janë zhvilluar më herët aktivitete të rëndësishme të notit, por edhe të lundrimit.

Dy javë më parë u vendosën shenjat për ndalimin e peshkimit dhe të notit në liqenin e Batllavës dhe Badovcit, nga ujësjellësi rajonal Prishtina, duke u thirrur në një vendim të Qeverisë së Kosovës. Vendimi është i vitit 2013. Megjithatë ai nuk është përfillur deri më tani.

Në ujësjellësin rajonal Prishtina janë të vendosur të ndalojnë çdo aktivitet të ndaluar, sipas udhëzimit administrativ për zonat e mbrojtura sanitare dhe vendimeve të Qeverisë për zonat e mbrojtura ujore.

Shenjat sinjalizuese, të vendosura në disa pjesë të liqenit të Batllavës dhe Badovcit, me qëllim të njoftimit dhe ndalimit, janë dëmtuar nga persona të ndryshëm.

“Vendimi është i kamotshëm dhe përderisa ka një vendim, nuk mund të japim leje për shfrytëzimin e liqeneve. Ndalohet me udhëzim administrativ të miratuar nga Qeveria e vendit. Nëse merren parasysh kërkesat e tyre nga Qeveria, atëherë na mbetet që ta zbatojmë, por aktualisht është vendim që të mos lejohet për not dhe peshkim”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i ujësjellësit Prishtina, Sokol Xhafa, të martën për KOHËN.

Nënkryetari i Federatës së Lundrimit të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka thënë për KOHËN se do të dëmtoheshin shumë si federatë nëse u pamundësohet aktiviteti sportiv në dy liqenet.

“Nëse nuk do të lejohemi te bëjmë aktivitete, atëherë si Federatë e Lundrimit do të dëmtohemi shumë, ngase do të na i pamundësonte aktivitet sportive, qoftë ato trajnuese apo garuese. Ne edhe ashtu jemi federatë e re dhe jemi duke u rritur me sportistë dhe pajisje sportive (lundra), pothuajse me mjete vetanake, pa mbështetje institucionale. Aktivitet tona nuk janë te dëmshme për liqenet e Kosovës, ngase lundrat tona janë me vela dhe ato asnjë dëm nuk ua shkaktojnë këtyre liqeneve. Shpresoj se ne do të kemi mirëkuptimin e institucioneve përgjegjëse të Kosovës dhe të na lejohet zhvillimi i aktiviteteve sportive”, ka thënë Haxhijaj.

Noti kryesisht aktivitetet i zhvillon në pishina, por ka gara edhe në liqene. Madje fshati Orllan, ku ka shtrirje liqeni i Batllavës, është i njohur edhe për notarët që i ka pasur e i ka. Ata kanë ushtruar në liqene. Në liqenin e Batllavës është organizuar edhe gara e Maratonës në not.

Notarët presin që institucionet e vendit t’ua lejojnë zhvillimin e aktiviteteve në liqenet e vendit.

“Është maratona që mbahet më shumë se pesë dekada dhe nga viti 2010 është bërë ndërkombëtare. Derisa tre apo katër vjetët e fundit është futur edhe në kalendarin e Evropës. Edhe banorët e atij vendi janë kundër sepse me padurim presin hapjen e sezonit për vizitorët. Në Batllavë ka stërvitur rregullisht klubi i notit Orllani, pastaj edhe klubet e tjera janë përgatitur për maratonën tonë dhe të shteteve të tjera. Viteve të kaluara nuk e kemi pasur asnjë ndalesë. Pra, nuk na ka thënë askush se nuk do të mund ta shfrytëzojmë liqenin e Batllavës”, ka thënë kryetari i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti, për KOHËN.