Sport

“Luftë” e madhe dhe e paqartë për mbijetesë në Superligë

Përderisa gara për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në futboll pothuajse është qartësuar, luftë e madhe po zhvillohet për mbijetesë në elitë, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundim të kampionatit. Pesë skuadra po kërkojnë t’i ikin sidomos pozitës së nëntë, e cila në fund të kampionatit dërgon në Ligën e Parë. Deri tani vetëm Besa, që renditet e dhjeta (e fundit), është larguar matematikisht nga Superliga.

Arbëria, Feronikeli, Trepça ’89, Drenica dhe Llapi janë duke garuar për të siguruar qëndrimin në Superligë. Pozita e tetë dërgon në barazh ku luhet një ndeshje përcaktuese me fituesin e barazhit të Ligës së Parë, kurse vendi i shtatë e sipër sigurojnë qëndrimin në elitën e futbollit kosovar edhe për edicionin 2021/2022.

Aktualisht Arbëria është në vendin e nëntë me 37 pikë, një më pak se Feronikeli dhe dy më pak se Trepça ’89. Këto tri ekipe janë më të rrezikuarat. Ndërkohë, komod nuk mund të qëndrojnë as Llapi dhe Drenica, që renditen në pozitat pesë dhe gjashtë me nga 42 pikë.

Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, ka thënë për KOHËN se vetëm dy fitore në dy ndeshjet e fundit mund ta mbajnë ekipin që drejton në Superligë. Morina ka theksuar se është njerëzore që të shpresojnë se do të mund t’ia dalin. Arbëria do të luajë kundër Llapit si vendëse dhe ndaj Dritës si mysafire.

“Arbërinë e mbajnë në Superligë vetëm 6 pikë nga dy ndeshje që do t’i kemi. Pra, dy fitore na mbajnë në ligë, përndryshe do të jetë shumë vështirë. Mund të them se jemi dëmtuar shumë nga gjyqtarët gjatë kampionatit, vendime që tani mund të na kushtojnë. Për ne, të dyja ndeshjet kanë rëndësi të madhe. Është njerëzore që të shpresojmë që të mbetemi në Superligë”, tha Morina.

Sipas tij, të dyja takimet do të jenë shumë të vështira.

“Futbollistët e kanë pasur pushim të hënën dhe që nga e marta do të punojmë për ndeshjen e radhës që do ta kemi ndaj Llapit. Llapi do të ketë ndeshje në Kupë dhe sigurisht që presioni është i madh te ta. Pastaj do ta kenë ndeshjen me ne, e që vijnë pas finales së Kupës. Presioni është shumë i madh edhe te ne dhe atë që shumë ndeshje. Është ngarkesë psikologjike. Për neve ka rëndësi vetëm fitorja dhe do të hyjmë për të shënuar fitore. Vështirë do të jetë edhe ndaj Dritës. Edhe po të mos e kërkonte Drita daljen në Evropë, ajo ka skuadër shumë cilësore”, u shpreh Morina.

Arbëria ndeshjen e fundit e ka zhvilluar si vendëse në Gjilan. Kurse ende nuk është vendosur se ku do ta zhvillojë takimin si vendës ndaj Llapit. Ky ka qenë problem i madh i Arbërisë këtë kampionat. I ka ndërruar pesë stadiume. Është përballur me probleme edhe sa u përket stërvitjeve.

Superligën po kërkon ta sigurojë edhe Drenica. Ky klub së bashku me Prishtinën nuk kanë rënë asnjëherë në Ligën e Parë.

Me ardhjen e trajnerit Sami Sermaxhaj, ekipi nga Skenderaj ia ka dalë që të ikë nga zona e rrezikshme, por që ende nuk ka siguruar asgjë. Tri fitore dhe po aq barazime në gjashtë ndeshjet e fundit janë rezultatet e drenicasve. Trajneri Sami Sermaxhaj ka deklaruar për KOHËN se i kanë filluar përgatitjet për ndeshjen e së dielës kundër Dritës. Ai thotë se dy takimet e fundit janë dy finale për ta.

“Që nga sot kemi filluar përgatitjet me përqendrimin maksimal për dy ndeshjet e fundit që janë vendimtare për ta siguruar mbijetesën. Për ne janë dy finale. Fillimisht fokusi është te ndeshja ndaj Dritës. I kemi marrë të gjitha masat që të vazhdojmë me seri pozitive. Meritat më të mëdha deri tani u takojnë lojtarëve, por edhe kryesisë dhe të gjithë atyre që janë përreth klubit. Presim nga lojtarët performancë të mirë edhe në takimet e radhës në mënyrë që ta mbyllim me sukses kampionatin. Do të jetë sfiduese edhe ndeshja e fundit ndaj Trepçës ‘89”, u shpreh Sermaxhaj.

Ai shton se rezultatet pozitive që i kanë arritur në ndeshjet e fundit, nuk do të kenë vlerë nëse nuk e sigurojnë mbijetesën. Sermaxhaj pohon se Drenica është varur vetëm nga vetja dhe askush tjetër.

“Rezultatet pozitive që i kemi arritur deri më tani janë harruar. Na presin edhe dy duelet e radhës dhe nëse aty nuk bëjmë mirë, atëherë do të jetë vështirë. Ekipi ka bërë mirë deri më tani. I kemi marrë ndeshjet një nga një. Impakt në ndeshjet e kundërshtarëve nuk kemi pasur. Ne jemi varur nga vetja. Por në këtë garë ndodh që edhe rezultatet e të tjerëve, ndonjëherë shkojnë në favorin tonë, ndonjëherë jo”, tha Sermaxhaj.

Llapi që renditet i pesti do të jetë mysafir i Arbërisë dhe do ta presë Feronikelin. Kurse Feronikeli, përveç ndeshje me Llapin në xhiron e fundit, do të luajë edhe kundër Besës në Drenas në kuadër të javës së 35-të.