Klubi i futbollit Ulpiana pasditen e së martës ka dalë me një komunikatë. Në komunikatën e publikuar në Facebook thuhet se klubi nga Lipjani do të përfaqësohet në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, të thirrur për 6 prill, me dy delegatë. Sipas njoftimit, delegatë do të jenë Ylli Jashari dhe Enver Duriqi.
Në letrën e publikuar, e që është dorëzuar të hënën në FFK, shkruan se Duriqi dhe Jashari do të jenë delegatë të Ulpianës në Kuvendin Zgjedhor. Duriqi, siç shkruan në letër, mban postin e drejtorit sportiv, ndërsa Jashari të sekretarit të klubit.
Por çështja nuk është e thjeshtë. Se kush do të përfaqësojë klubet në Kuvendin ku do të zgjidhet kryetari i FFK-së, është me shumë rëndësi. Të paktën sa i takon Ulpianës, janë dy palë që pretendojnë se e kanë të drejtën e paraqitjes në Kuvend dhe rrjedhimisht të vendosin se kush do t’i fitojë zgjedhjet. Edhe në klube tjera mund të ketë përplasje të tilla.

Madje tashmë kanë nisur edhe shantazhet e presionet ndaj delegatëve. Kështu të paktën thonë në FFK. FFK-ja të martën doli me një komunikatë përmes të cilës “dënoi shantazhet e presionet”.
Besohet se Jashari e Duriqi janë përkrahës të kryetarit aktual të FFK-së, Agim Ademi. Ndërkohë pala tjetër e klubit Ulpiana e përkrah Gramoz Vokrrin. Madje pala tjetër vlerëson se Ylli Jashari është i pezulluar nga klubi dhe nuk është delegat legjitim.
Në një letër të nënshkruar nga zëvendëskryetari i Ulpianës, Bujar Shabani, dhe të vulosur me vulë të klubit, që mban datën 14 mars, shkruan se Ylli Jashari largohet nga të gjitha funksionet që ka ushtruar deri më tani dhe prej përfaqësimit si delegat në FFK e po ashtu edhe nga të gjitha proceset zgjedhore brenda klubit dhe ato të FFK-së. Në një letër tjetër, po ashtu të nënshkruar nga Shabani dhe po ashtu të datës 14 mars, thuhet se në mbledhjen e bordit të klubit është marrë vendim që nga klubi delegat në kuvendin e FFK-së të jetë zëvendëskryetari Bujar Shabani.
KOHA ka siguruar edhe një letër të dorëheqjes së kryetarit të klubit, Abedin Salihu, të datës 20.12.2021. Dokumenti i dorëheqjes është protokolluar nga Komuna e Lipjanit. Pala e Bujar Shabanit vlerëson se ai e drejton tani klubin pas dorëheqjes së Salihut. Por pala tjetër thotë se Abedin Salihu është ende kryetar dhe se delegatë janë Duriqi e Jashari.
Ylli Jashari thotë se është ende sekretar i Ulpianës.
“Bordi i klubit nuk ka mbajtur mbledhje dhe as nuk ka ndonjë procesverbal që kush ka qenë i pranishëm. Në çdo mbledhje mbahet procesverbali dhe shënohen emrat e personave prezentë dhe krejt në fund duhet të nënshkruhet nga secili anëtar çdo vendim i Bordit të klubit. Kështu që unë jam sekretar i klubit dhe jam prej vitit 2014 i zgjedhur nga Kuvendi Zgjedhor i klubit dhe jo i emëruar. Sa i përket punës se unë jam polic, po është e vërtetë, mirëpo unë kam të drejtën e punës sekondare që do të thotë për punë dytësore kam marrë lejen nga Policia e Kosovës. Unë e kam të drejtën e punës jashtë orarit të punës policore. Kam edhe vendim për këtë çështje. Unë dhe Enver Duriqi jemi delegatët e klubit”, ka thënë Ylli Jashari për KOHËN.
KOHA ka kontaktuar edhe zv. kryetarin e klubit, Bujar Shabani. Shabani ka thënë se për të gjitha do të flasë të mërkurën, kur edhe është afati i fundi i dorëzimit të listave të delegatëve nga klubet e po ashtu edhe të kandidatëve për kryetar të FFK-së.
Për zhvillimet te Ulpiana ka reaguar Arianit Ahmeti, që i takon kampit të Gramoz Vokrrit, tashmë zyrtarisht kandidat për kryetar të FFK-së.
Ahmeti thotë se Jashari nuk është delegat legjitim.
“Pashë një dokument të nënkryetarit të Ulpianës, tani kryetarit në detyrë të klubit, që e ka marrë një vendim për shkak të mossuksesit të klubit dhe pakënaqësive të drejtuesve. Ai ka shkarkuar gjithë kryesinë dhe një person që siç duket është polic. Thanë se është polic i krimeve Ylli Jashari. Atë e ka shkarkuar dhe me një vendim tjetër e ka emëruar veten. Kryetari ka të drejtë ta përfaqësojë klubin në çdo organ të FFK-së”, ka thënë Ahmeti për KOHËN.
“Anomalia tjetër ishte ku të shkarkuarit dalin kundër pronarit dhe e rikonfirmojnë përmes një vendimi se janë delegatë. Nuk heqin dorë. Në vend që të merren me klubin e tyre që është duke rënë nga elita janë më shumë të fokusuar se çka po ndodh në kuvend. Po ta shihni këtë vendim, aty nuk ka as nënshkrim, as personi që e ka bërë këtë akt juridik. Është akt i pavlerë, pasi e rikonfirmojnë veten. Po ta lexoni thirren te kryetari që është jashtë Kosovës, Abedin Salihu. Mirëpo në një dokument tjetër që pashë, Abedin Salihu kishte dhënë dorëheqje më 21 dhjetor. Vendimin mbi dorëheqjen e parevokueshme e kishte dorëzuar në Departamentin e Sportit të Komunës së Lipjanit dhe kishte njoftuar edhe kryetarin e kësaj komune. Shihet që e kanë një prapavijë rreth kësaj ngjarjeje”.
Ahmeti ka ftuar institucionet shtetërore që të marrin masa.
“Ky personi (Ylli Jashari v.j.) dëgjova që ishte pjesëtar i policisë dhe ai nuk duhet të jetë, as të ketë të drejtën të merret me asnjë punë tjetër përveç të zyrtarit policor. Kjo është edhe një shkelje e radhës e FFK-së. Besoj se institucionet e Kosovës do të reagojnë ashtu siç kanë reaguar edhe në të kaluarën që ky kuvend mos t’u ikë nga duart. Delegatët si duket janë vetëdijesuar dhe do të ketë ndryshime aq të pritura. Nuk mund ta ndalë askush këtë valë. Vetë kolegët e tij do të merren me të, i cili në vend që të merret me këtë krim si duket ai vetë do të jetë në bankën e të akuzuarve”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkohë FFK-ja ka lëshuar komunikatë të Komitetit Ekzekutiv për “presionin ndaj delegatëve”.
“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së shpreh mbështetje për të gjithë anëtarët dhe delegatët e FFK-së, dhe ju kërkon që këto presione, shantazhe dhe forma të ndryshme të ndikimit t’i raportojnë te organet përkatëse në FFK-së dhe organet shtetërore të Republikës së Kosovës, si Policia dhe Prokuroria”, thuhet nga FFK-ja.
{gallery}