Sport

Luajti në Botëror e në Bundesligë, por Bunjakut emocionet më të mëdha ia dha Kosova

Albert Bunjaku ka përjetuar shumë emocione gjatë karrierës 20-vjeçare si futbollist. Karrierës së veçantë sulmuesi i dha fund të martën.

Ai luajti me Zvicrën kundër Kilit në Kupën e Botës në vitin 2010. Pati paraqitje impresive në Bundesligën e Gjermanisë me ekipin e Nuernbergun. Por Bunjaku, 38-vjeçar, thotë se emocionet më të forta i ka përjetuar me fanellën e Kosovës.

“Goli i parë që kam shënuar për Kosovën ka qenë momenti më emocional dhe më i miri në karrierë”, ka thënë Bunjaku të martën për KOHËN.

Bunjaku i ishte bashkuar Kosovës në vitin 2014. Luajti në miqësoren e parë zyrtare, atë ndaj Haitit. Më pas shënoi golin e parë të Kosovës në ndeshjet e njohura nga FIFA. Realizoi ndaj Turqisë në miqësore, më 21 maj të vitit 2014. Shënoi edhe golin e parë pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Më 3 qershor të vitit 2016, Bunjaku shënoi golin e parë në fitoren 2:0 ndaj Ishujve Faroe. Në total për Kosovën ka shënuar tre gola në gjashtë ndeshje.

“Kam kaluar karrierë të mirë. Jam shumë i kënaqur që kam pasur rastin të luaj në Bundesligë, për Zvicrën në Botëror dhe sidomos për Kosovën. Jam i kënaqur me të arriturat e mia. Kam mundur të jem edhe një hap më lart, por lëndimet kanë ndikuar në zhvillimin tim. Megjithatë i kam arritur të gjitha që i kam synuar. Goli i parë për Kosovën ka qenë momenti më i mirë dhe më emocional. Kam përjetuar emocione të mëdha, por sigurisht se ndjenjë e mirë ka qenë edhe paraqitja në Kupën e Botës”, ka shtuar Bunjaku.

Ai ka bërë karrierë të madhe, sidomos në Gjermani. Ka luajtur për Paderbornin, Erfurtin, Nuernbergun, Kaiserslauternin. Më pas u kthye në Zvicër ku luajti për St. Gallenin (2014-2017). U kthye sërish të luajë në Gjermani, te Erzgebirge Aue, Viktoria Koeln dhe së fundi te Bonneri. Në Bundesligë shënoi 13 gola. 16 i ka në Bundesliga 2 e 15 në Superligën e Zvicrës. Golat nuk i munguan edhe në kategorinë e tretë dhe të katërt gjermane.

“Pas gjithë kësaj karriere të pasur, erdhi momenti t’i jap fund si futbollist, për të nisur një karrierë tjetër, si trajner. Kam qenë 20 vjet në futboll si senior. Futbolli është pjesë e rëndësishme e jetës sime. Nuk ka qenë i lehtë vendimi, por në anën tjetër jam gëzuar sepse gjithë jetën do të më përcjellin momentet e mira që kam përjetuar. Fillimisht do të pushoj sepse jam 38-vjeçar dhe këmbët kanë filluar të më dhembin. Dy vjetët e fundit kam ndier dhimbje të këmbëve, por jam i gëzuar që karrierën e mbylla pa lëndim”, ka treguar Bunjaku.

Meraku i vetëm i Bunjakut është që nuk luajti në ndonjë klub të Ligës së Kampionëve apo të Ligës së Evropës.

“Kam pasur një mundësi pas paraqitjeve të mira në Bundesligë. Por u lëndova dhe më prishi planet. Gjithsesi jam i kënaqur me atë që kam treguar dhe që kam arritur në karrierë”.

Bunjaku është përgatitur më herët për të ardhmen. Ai është pajisur me licencë A të trajnerit, ndërsa thotë se do ta ndjekë kursin edhe për licencën “profi”.

“Do t’ia nisi punës si trajner. Kam ndërmend të qëndroj në Gjermani. Në Gjermani ka më shumë perspektivë, sepse Zvicra është shtet i vogël dhe është më i vështirë depërtimi. Edhe fëmijët i kam në shkollë dhe nuk dua që t’ua ndërroj sërish shkollën. Shkaku i karrierës sime jam detyruar t’ua ndërroi 3-4 herë shkollën. Hapat e parë në karrierë si trajner dëshiroj t’i bëj në Gjermani, në ndonjë klub të vogël. Unë do të fokusohem maksimalisht për të arritur majat dhe shpresoj që një ditë do të më jepet mundësi ta drejtoj edhe Kosovën”, ka thënë Bunjaku.

Largimi i tij nga Përfaqësuesja e Kosovës nuk ishte në mënyrë të mirë. Ai u largua pasi vlerësoi se po i jepej pak hapësirë nga ish-përzgjedhësi, Albert Bunjaki.

“Unë kuptova që nuk po luaj më dhe isha pak nervoz që nuk luaja aq sa dëshiroja. I ndodh çdo lojtari. Ka qenë faji pak te unë e pak te trajneri. Nuk e kam menduar ashtu largimin, por ka qenë ashtu siç ka qenë. Tash nuk dua t’i lë faj askujt. Ndoshta edhe unë kam qenë fajtor. Por te Kosova kam pasur momente të mira. Ka qenë gjithnjë kënaqësi grumbullimi”, është shprehur Bunjaku.

Bunjaku thotë se Përfaqësuesja e Kosovës ka pasur ngritje. Ai lavdëron edhe Superligën e Kosovës. Shpreson që Kosova të arrijë kualifikimin në ndonjë ngjarje të madhe – Evropian apo Botëror.