Sport

Lojtari që nuk e afroi Kosova shkëlqeu te Suedia ndaj Shqipërisë

Petrit Zhubi kishte një ëndërr. Ajo i është shuar tashmë.

Zhubi shpresonte të luante për Kosovën. Por Kosova nuk e afroi dhe Zhubi është duke shkëlqyer te Suedia, të cilën e përfaqëson prej vitit 2015. Zhubi madje është kapiten i përfaqësueses së Suedisë në futsall (futboll të sallës).

“Nuk jam ftuar asnjëherë nga Kosova dhe Shqipëria. Nuk pata kurrë një shans të luaj për Shqipërinë apo Kosovën, mendova se kurrë nuk do të më merrnin. Mendova se kishin lojtarë shumë më të mirë se unë dhe nuk do të përfshihesha kurrë në skuadër”, ka thënë Zhubi të enjten për KOHËN.

Zhubit, megjithatë, nuk i ka mbetur shumë hatri. Kosova dhe Shqipëria kanë respektin e tij.

Pasi luan për Suedinë do ta japë më të mirën për të arritur suksese me këtë përfaqësuese. 33-vjeçari shpreson që me Suedinë të kualifikohet në ndonjë ngjarje të madhe të futsallit.

Zhubi nuk është i vetmi shqiptar te përfaqësuesja e Suedisë. Suedia të martën e mposhti Shqipërinë në kuadër të raundit preliminar të kualifikimeve për Botërorin 2024. Zhubi shënoi golin e dytë, derisa i pari mban firmën e Donat Gashit.

Suedia fitoi 4:0 ndaj Shqipërisë. Zhubi ishte kapiten.

Albert Hiseni, Noraldin Azizi, Liridon Makolli janë lojtarë të tjerë të Suedisë.

Falë fitores së arritur ndaj Shqipërisë, Suedia kaloi në fazën kryesore (Main Round) të kualifikimeve nga vendi i parë në grup. Shënoi dy fitore, ndërsa kishte edhe një barazim.

“U gëzova shumë kur pashë Shqipërinë në grup. Kam përcjellë ekipin e Shqipërisë. Unë njoh disa lojtarë, kështu që ishte vërtet argëtuese. Besova se do të kalojmë tutje, por jo në mënyrën siç ndodhi. Mendova se Austria duhet të luftojë më shumë se Shqipëria. Kemi bërë ndoshta kampin më të mirë ndonjëherë në historinë e përfaqësueses. Dy fitore, një barazim dhe asnjë humbje”, ka theksuar Zhubi.

Lojtari i futsallit thotë se i vinte të këndonte bashkë me lojtarët e Shqipërisë himnin kombëtar.

“Kam qenë shumë i emocionuar. Imagjinova për një moment që jam në skuadrën shqiptare. Më lëvizi trupi kur dëgjova himnin kur luajtëm kundër Shqipërisë”.

Zhubi pjesë e Suedisë është prej vitit 2015, ndërsa në vitet e fundit është kapiten. Ai ka luajtur 42 ndeshje dhe ka shënuar 23 gola për Suedinë.

“Ishte ndoshta paraqitja më e mirë me Suedinë, për mënyrën se si luajtëm. Unë jam me të vërtetë i impresionuar nga djemtë, sepse ne kemi një ekip të ri. Por ata po marrin më shumë përvojë ndërkombëtare tani”, ka theksuar kapiteni kosovar i Suedisë.