Duke pasur parasysh ofertat e majme nga Arabia Saudite, klubet evropiane të futbollit në këtë afat kalimtar ka gjasa të mëdha të kthejnë fokusin kah lojtarët e talentuar. Në fakt, klubet e Evropës po synojnë të bëjnë më pak shpenzime dhe po e monitorojnë nga afër tregun e Amerikës së Jugut, saktësisht Brazilit. Disa futbollistë të rinj në Brazil janë gati të bashkohen me skuadra në ligat evropiane gjatë afatit kalimtar aktual. Ata kanë pasur paraqitje mbresëlënëse deri më tani dhe mund të jetë kohë ideale për të bërë hapin e madh në karrierë, duke siguruar marrëveshjet më të mira për të luajtur në Evropë.
Mauricio
Mesfushori 22-vjeçar i Internacionalit ka tërhequr vëmendjen e klubeve evropiane që nga viti i kaluar. Ai ka ritëm, mund të gjuajë nga distanca dhe përshtatet mirë në pozicione të ndryshme në mesfushë. Mauricio shënoi 14 gola në 48 ndeshje këtë vit. Deri kohët e fundit ai ishte në shënjestër të dy klubeve nga La Liga dhe Atalantas të Serie A, por ende ka mbetur në Brazil. Disa raporte të mediave thonë se ai ka një vlerë prej 6 milionë eurosh dhe gjasat janë të mëdha që mund të transferohet në Evropë.
Matheus França
Mesfushori 19-vjeçar i Flamengos është vënë në shënjestër të disa klubeve evropiane dhe Crystal Palace duket se është favorit për transferimin e tij. França luajti 29 ndeshje këtë vit dhe shënoi nëntë gola. Ai barti fanellën me numrin 10 të Flamengos në divizionet e të rinjve, ndërsa ka kontroll mbresëlënës të topit dhe gjithashtu mund të luajë si sulmues. Klubi i Rio de Janeiros refuzoi një ofertë prej 15 milionë eurosh nga klubi i Premier Leagues për të.
Lucas Beraldo
Mbrojtësi 19-vjeçar i Sao Paulos ka qenë një nga lojtarët më të mirë të skuadrës në këtë edicion. Adoleshenti që luan me këmbën e majtë u aktivizua në 27 ndeshje për klubin e tij këtë vit, vetëm një edicion pasi u bë profesionist. Stili i qetë i Beraldos ka tërhequr klubet evropiane dhe e ka bërë atë titullar të padiskutueshëm te Sao Paulo që nga prilli. Ai ende duhet të përmirësohet fizikisht, gjë që disa nga trajnerët e tij kanë lënë të kuptohet se është e meta kryesore e Beraldos.
Matheus Nascimento
Qendërsulmuesi 19-vjeçar i Botafogos ishte pjesë e Brazilit në Kampionatin e fundit të botës U20. Nascimento shënoi tre gola në 19 ndeshje për klubin e tij këtë vit. Shifra e tij totale për Botafogon është 11 gola në 80 ndeshje, që është mbresëlënëse për moshën e tij. Nascimento është finalizues i mprehtë, por ende po përmirësohet fizikisht. Klubi i Rio de Janeiros, i cili aktualisht është lider në kampionatin brazilian, refuzoi një ofertë prej 9 milionë eurosh nga Nottingham Foresti për Nascimenton.
Bruno Mendez
Qendërmbrojtësi 23-vjeçar i Corinthiansit ka luajtur për Përfaqësuesen e Uruguait dhe mund të nënshkruajë parakontratë për t'u larguar falas në fund të vitit. Ndonëse jo shumë i gjatë për një mbrojtës – 180 centimetra - Mendez është shumë efektiv në ajër dhe gjithashtu ka ritmin për të luajtur si mbrojtës i krahut të djathtë.