Sport

Lojtarët brazilianë të Shakhtarit dhe Kyivit të ngujuar në hotel, kërkojnë ndihmë nga autoritetet

Lojtarët brazilianë të Shakhtar Donetskut dhe Dynamo Kyivit i kanë bërë thirrje qeverisë së tyre për një evakuim të menjëhershëm nga Ukraina e përfshirë nga lufta.

Në një video së bashku me familjet e tyre nga një hotel në Kiev, Junior Moraes, i cili luan si sulmues për Donetsk, thotë se grupi është mbledhur në pritje të një plani për t'u larguar nga kryeqyteti.

34-vjeçari vazhdon duke deklaruar se situata është "një dëshpërim" pasi Rusia filloi një pushtim të vendit.

Moraes thotë në rrjetet sociale nëpërmjet gazetarit Arthur Quezada: "Situata është dëshpërim. Unë ju kërkoj ta zbuloni këtë video që të arrijë tek qeveria [braziliane]. Kufijtë janë mbyllur, bankat [janë mbyllur], nuk ka karburant, do të ketë mungesë ushqimi, nuk ka para. Jemi mbledhur duke pritur për një plan për t'u larguar nga Ukraina".

Moraes postoi gjithashtu një deklaratë në faqen e tij zyrtare në Instagram, duke thënë: "Të gjithë miqtë dhe familjarët, situata është serioze dhe ne jemi të bllokuar në Kiev duke pritur një zgjidhje për të dalë. Jemi brenda një hoteli. Lutuni për ne".

Në total, janë 12 lojtarë brazilianë në skuadrën e Shakhtarit, duke përfshirë ish-anësorin e Ajaxit, David Neres, i cili iu bashkua skuadrës ukrainase në janar.

Dodo, Vitao, Marlon, Ismaily, Vinicius Tobias dhe Maycon luajnë në skuadrën e Roberto De Zerbi së bashku me Marcos Antonio, Tete, Alan Patrick, Pedrinho dhe Fernando.

Në videon e mësipërme është i pranishëm edhe Vitinho, sulmuesi që luan për Dynamo Kyiv.