Sport

Llapi synon ta ndalë serinë e Gjilanit dhe të kalojë në gjysmëfinale të Kupës

Llapi dhe Gjilani do të përballen sërish, vetëm tri ditë pas barazimit 1:1 që e patën në kuadër të Superligës. Të mërkurën prej orës 13:00, Llapi do të jetë nikoqir i Gjilanit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Kjo ndeshje i takon çerekfinales të Kupës së Kosovës. Fituesi kalon në gjysmëfinale, ndërsa Llapi është fitues në fuqi i kësaj gare. Gjilani dhe Llapi janë takuar tri herë në kampionat këtë sezon. Gjilani ka një fitore dhe dy ndeshje janë mbyllur baras. Llapjanët janë pa fitore ndaj Gjilanit këtë edicion. E fitoren e parë Llapi po synon ta arrijë në Kupë. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili ishte i pakënaqur me ndarjen e drejtësisë në duelin e së dielës, ka thënë se atmosfera në ekipin e tij është shumë e mirë. Ai shtoi se Llapi ka ndërmend të kalojë në gjysmëfinale. Sipas tij, rruga përmes Kupës është më e shkurtër për të luajtur në garat evropiane.

“Atmosfera te Llapi është shumë e mirë. Lojtarët janë të motivuar, sidomos para paraqitjeve të mira në ndeshjet e fundit. Llapi synon kalimin në gjysmëfinale të Kupës dhe po ashtu edhe mbrojtjen e kupës që e kemi fituar në vitin e kaluar. Rruga e Llapit për të dalë në Evropë është edhe përmes Kupës, pasi është rrugë më e shkurtër. Kemi ekip cilësor, madje edhe më cilësor sesa vitin e kaluar. Synimi që të kalojmë tutje dhe ta fitojmë Kupën nënkupton që synojmë ta ndalim edhe serinë pa humbje të Gjilanit pasi nuk kemi rrugë tjetër”, u shpreh Batatina për KOHËN, të martën.

Skuadra e Gjilanit ka seri prej 22 ndeshjesh pa humbje këtë edicion, 20 në kampionat dhe dy në Kupë. Kjo ecuri fantastike e gjilanasve nuk po e frikëson trajnerin Batatina, i cili thotë se ndaj Gjilanit në ndeshjen e fundit ekipi i tij pati paraqitje superiore.

“Ecuria e Gjilanit prej 22 ndeshjeve pa humbje nuk na frikëson fare. Sigurisht do të jetë ndeshje e vështirë, pasi e dimë se çfarë ekipi cilësor ka Gjilani. Por, nëse e shikojmë ndeshjen që e kemi luajtur në fundjavën që shkoi, atëherë shihet që e kemi dominuar dhe vetëm fati nuk ka qenë në anën tonë. Kemi pasur paraqitje spektakulare, ndoshta ndeshja më e mirë e Llapit ishte ajo kundër Gjilanit”, tha Batatina, që ka thënë se ka respekt për homologun e tij, Ismet Munishi. “Ismet Munishin e kam shok të mirë, por në fushë e kam kundërshtar dhe do të mundohem ta mposht Ismetin dhe Gjilanin në këtë rast”.

Në fund ai u shpreh se Llapi do ta ketë mbështetjen më të madhe nga tifozët që nga fillimi i pandemisë dhe do të thyhet rekordi i shikueshmërisë për këtë periudhë.

Francisco Rivera do të jetë mungesa e vetme e Llapit kundër Gjilanit. Meksikani Rivera u ndëshkua me karton të kuq ndaj Gjilanit dhe do të mungojë në dy ndeshje.

Ndërkohë te Gjilani ka optimizëm për një paraqitje të mirë ndaj Llapit dhe kualifikim në gjysmëfinale. Kështu ka insistuar futbollisti i Gjilanit, Fiton Hajdari.

“Ndeshjet e Kupës janë shumë të rëndësishme e po ashtu edhe të vështira. Para vetes e kemi një skuadër shumë të mirë siç është Llapi. Ne jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Llapin. Atmosfera është shumë e mirë në skuadër. Gjithçka është perfekt dhe presim më të mirën në këtë takim për të kaluar tutje në Kupë”, tha Hajdari.

Sipas tij, ecuria prej 22 ndeshjeve pa humbje në kampionat dhe kupë është motiv shtesë për Gjilanin në këtë përballje.

“Kemi një ecuri shumë të mirë pa humbje dhe kjo po na jep motiv që të arrijmë sa më shumë dhe të jemi skuadër e pamposhtur në çdo ndeshje. Për mua është çdo ndeshje e rëndësishme. Por, normalisht që kur luan ndaj ekipit të vendlindjes është një motiv shtesë për të treguar më të mirën dhe për të arritur rezultat pozitiv. Normal, edhe për të shënuar gol”, përfundoi Hajdari.

Gjilani do të jetë i kompletuar për duelin ndaj Llapit. Përveç Kupës, Gjilani po lufton edhe për titullin e kampionit. Ndodhet në vendin e dytë me dy pikë më pak se Ballkani që është lider. Ndërkohë Llapi zë vendin e katërt në tabelë dhe ka dhjetë pikë më pak se Ballkani. Të mërkurën do të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera çerekfinale. Interesante pritet të jetë sfida mes Ballkanit dhe Prishtinës, e cila luhet në Suharekë. Ndërkaq Drita luan ndaj Ulpianës në Gjilan. Të enjten zhvillohen ndeshja e fundit çerekfinale, ndërmjet Ramiz Sadikut dhe KEK-u. Të gjitha ndeshjet nisin prej orës 13:00.

E mërkurë (13:00)

Llapi – Gjilani

Ballkani – Prishtina

Drita – Ulpiana

E enjte (13:00)

R. Sadiku – KEK-u