Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ishte i buzëqeshur para se të pranonte pyetjet nga gazetarët në konferencën para ndeshjes finale të Kupës së Kosovës, që u mbajt të mërkurën. Por kur trajneri llapjan nisi të fliste për synimin që ka ekipi i tij në finale të Kupës kundër Dritës ndryshoi pamje në fytyrë. Tha se synimi i Llapit është mbrojtja e trofeut të Kupës, derisa te Drita presin triumfin në Kupë pas më shumë se dy dekadash. Finalja e Kupës së Kosovës zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe nis nga ora 20:00. Batatina insistoi se ka besim te futbollistët e tij për ta fituar duelin ndaj Dritës, i cili do të jetë edhe i fundit për këtë sezon.
“Skuadra është në formën e duhur duke ditur se brenda ekipit të Llapit kemi kontingjent të lojtarëve shumë cilësorë, të cilët kanë mbajtur barrën kryesore në kampionat, barrën kryesore në Kupë dhe mendoj që në finale e gjithë skuadra do të jetë e gatshme për ta dhënë maksimumin ashtu siç kam menduar ta luaj në këtë ndeshje finale. Një grup, i cili është i bashkuar në nivelin më të lartë, një grup i cili ka arritur të jetë në finale.
Më gëzon fakti që Llapi ka ardhur në finale duke u përballur me skuadrat më të forta të Superligës së Kosovës, siç ishin Gjilani, Prishtina, Ferizaj që është inkuadruar në ligë, dhe mendoj që kjo më bën të ndihem mirë si trajner. Nganjëherë kur arrin në finale duke i mposhtur pretendentët kryesorë për titull kampioni, ndoshta është një motiv më i madh për mua si trajner dhe për skuadrën. Jemi në finale me plot meritë”, ka thënë Batatina.
Nën drejtimin e tij, sezonin e shkuar, Llapi fitoi për herë të parë në histori të klubit trofeun e Kupës. Batatina e la gjatë në duart e llapjanëve trofeun e Kupës. Thotë se do ta shëtiste trofeun edhe sivjet, nëse do të mbetet te Llapi.
“Me vetë faktin që e ka emrin Kupa e Kosovës, është mirë të shëtitet në të gjithë Kosovën. Nuk është trofe vetëm i një qyteti. Kështu që Kupën do ta shëtitim. Ajo mbetet për tifozët, adhuruesit dhe për njerëzit që e duan sportin. Llapi asnjëherë, as kryesia, as unë si trajner nuk pretendojmë që ta mbajmë Kupën të izoluar. Kupa do të kalojë edhe në qytet që ta shohin njerëzit, të cilët e ëndërrojnë. Dyert do të jenë të hapura për Kupën e Kosovës dhe të Llapit. Nëse e arrijmë objektivin, pse jo të jetë nëpër çdo cep të Llapit, nëpër çdo cep të Gollakut. Kudo që tifozët dëshirojnë ta kenë prezent. Ne luftojmë për ta, ata na përkrahin dhe besoj që nuk do të kemi problem”, është shprehur Batatina.
Batatina vetëm pasi iu përgjigj pyetjeve rreth finales së Kupës u relaksua disi. Tregoi se ka refuzuar edhe oferta të klubeve nga Maqedonia e Veriut dhe të Ligës së Parë të Turqisë. Tha se Llapi është pesë shkallë më lart se klubet tjera të elitës së futbollit kosovar. Përkrah Batatinës në konferencë ishte edhe Ilir Avdyli. Ngjashëm si Batatina, edhe portieri Avdyli është i bindur se Llapi do ta mbrojë trofeun e Kupës.
“Finalet janë ndeshje mjaft të vështira, si për portierë ashtu edhe për lojtarë. Puna e portierit është më e ndjeshme, sepse gabimet duhet të jenë minimale, ose të mos jenë fare. Për të luajtur në finale, e kam përvojën e duhur, jam pjekur si portier. Është bërë kohë e gjatë që luaj. Kam luajtur edhe më herët me Llapin në finale të Kupës. Thjesht duhet ta menaxhojmë lojën si duhet. Presioni është në anën e Dritës, sepse u mungon ky trofe tash e dy dekada. Objektivi i Llapit që ka qenë dalja në Evropë është arritur këtë vit”, është shprehur Avdyli.
Llapi e ka fituar sërish të drejtën për pjesëmarrje në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Paraqitjen në Evropë, përkatësisht në Ligën e Konferencës si nënkampione e ka siguruar edhe skuadra e Dritës. Te Drita presin që trofeun e Kupës ta kthejnë në Gjilan pas më shumë se dy dekadash. Kupën për herë të fundit, Drita e ka fituar në vitin 2001. Në finalen e atij viti, Drita pati mposhtur Gjilanin pas penalltive. Në finale të kësaj gare ishte edhe në vitin 2016, por u mposht nga Prishtina. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu thotë se do futbollistët e tij, janë të gatshëm për ta kthyer trofeun që mungon në sirtarin e klubit për një kohë të gjatë.
“Do të mundohemi që të jemi vetvetja, të luajmë në stilin tonë. Skuadra jonë ka dëshirë që ta ketë topin në qarkullim dhe në momente kur nuk e kemi, të jemi sa më agresiv që ta përfitojmë sa më shpejt dhe të mund t'i shprehim vlerat që i kemi. Më gëzon fakti që skuadra është e plotë, nuk do të kemi asnjë mungesë. Të gjithë janë gati për të dalë në fushë. Është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ne që të shkruajmë historinë, që ta fitojmë këtë trofe, për qytetin, për tifozët tanë ‘Intelektualët’, për ne si staf apo edhe futbollistët, të cilët e kanë merituar të stolisen me këtë trofe”, ka thënë Nuhiu.
Dritës nuk i ka munguar suksesi në pesë vjetët e fundit. Skuadra gjilanase është bërë dy herë kampione e Kosovës në këtë periudhë. Fitoi dy tituj kampioni, në sezonin 2017/2018 dhe 2019/2020. Ka fituar edhe Superkupën në vitin 2018. Por klubit me nam nga Gjilani i mungon prej më shumë se dy dekadash Kupa e Kosovës.
“Jemi përgatitur për gjithçka. Është finale dhe mund të ndodhë gjithçka, sepse kemi përballë një skuadër të mirë, të fortë, siç është Llapi dhe jemi përgatitur për gjithçka, qoftë vazhdimet apo edhe penalltitë. Mendoj që skuadra është gati në këtë aspekt për të zhvilluar një ndeshje edhe nëse nuk mbaron brenda 90 minutave. Do të vazhdojmë dhe deri në fund të jemi të përqendruar”, ka theksuar Nuhiu.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani thotë se do të jetë privilegj nëse arrin ta ngrejë trofeun e Kupës. Për Limanin, kjo është finalja e parë në karrierë.
“Mendoj qe çdo trofe është i rëndësishëm për secilin lojtar, por aq më tepër për një kapiten. Si kapiten është privilegj dhe përgjegjësi për ta udhëhequr një klub, dhe në momentin kur e fiton edhe e ngre trofeun, është shumë e veçantë. Për mua kjo do të jetë finalja e parë dhe trofeu do të jetë i veçantë. E di që edhe tifozët e presin me padurim këtë trofe që mungon tash e shumë vjet dhe do të bëjmë të pamundurën për ta fituar”, ka thënë Limani, i cili vlerëson lart Llapin.
“Kemi marrë të gjitha masat për të parandaluar pikat e forta të Llapit, por gjithashtu ata kanë edhe pikat e dobëta, në të cilat do të sulmojmë. Mendoj se jemi të gatshëm 100 për qind për t’u përballur me ta. Përvoja është në anën tonë dhe kohët e fundit kemi fituar trofe dhe e kemi obligim ta menaxhojmë stresin e lojës dhe duhet t’i shpërblejmë tifozët tanë me trofe, sepse ata e meritojnë këtë për shkak të përkrahjes së madhe që na e kanë dhënë gjatë gjithë sezonit”, është shprehur kapiteni i klubit gjilanas.
Rrugën deri në finale, Drita vlerësohet ta ketë pasur më të lehtë se Llapi. Eliminoi Drenasin, Fushë-Kosovën, Ulpianën dhe Ramiz Sadikun, ndërsa Llapi Kikën, Ferizajn, Gjilanin dhe në gjysmëfinale Prishtinën. Drita e suksesshme është treguar edhe në garat ndërkombëtare. Ka arritur deri në rrethin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Evropës.