Sport

Llapi me mision për ta ndalur serinë e Gjilanit

Skuadra e Llapit po kërkon të kthehet te fitorja në Superligën e Kosovës në futboll dhe në të njëjtën kohë të ndalë serinë pozitive të Gjilanit. Skuadra gjilanase nuk di për humbje prej xhiros së pestë.

Llapi nuk shënoi fitore në dy ndeshjet e fundit dhe në Gjilan do të udhëtojë për tri pikë.

Dueli mes Gjilanit dhe Llapit zhvillohet të dielën prej orës 13:30 dhe është derbi i xhiros së 25-të në elitën e futbollit kosovar.

Gjilani është i dyti në tabelë me 47 pikë. Llapi i ka 40 pikë dhe mban pozitën e katërt.

Skuadra e Ismet Munishit, Gjilani, nuk di për humbje në 19 ndeshjet e fundit kampionale. Si Gjilani, ashtu edhe Llapi në këtë ndeshje futen pas barazimeve që i patën në xhiron e shkuar, përkatësisht të enjten. Gjilani luajti 1:1 në derbi ndaj Dritës, ndërsa Llapi shënoi tri gola, por që nuk i mjaftuan për ta mposhtur Drenicën, në duelin që u mbyll 3:3. Llapi para barazimit me Drenicën kishte pësuar humbje në udhëtim nga Ballkani, lideri i Superligës me 48 pikë të grumbulluara.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka paralajmëruar se ekipi i tij do të jetë gati për duelin në Gjilan. Edhe pse ka pranuar se do të jetë vështirë, ai ka thënë se Llapi do të japë më të mirën për të dalë me kokën lartë nga stadiumi i qytetit në Gjilan.

“Gjilani ka një ekip shumë të mirë dhe rastësisht nuk është në pozitën e dytë, ku edhe ka një seri prej 19 ndeshjeve pa humbje. E kemi këtë parasysh dhe do të mundohemi të bëjmë një paraqitje të mirë duke e dhënë maksimumin nga vetja për rezultat pozitiv. Nuk do të jetë lehtë sepse përballë kemi një ekip të fortë, por nuk do të dorëzohemi për asnjë moment”, është shprehur Batatina.

Në dy ndeshjet e stinorit vjeshtor, Gjilani ka bilanc negativ me llapjanët. Gjilani ka fituar me shifrat 2:1 në shtëpi dhe ka luajtur pa gola në udhëtim. Këto dy skuadra do të takohen në çerekfinale të Kupës së Kosovës, duel ky që luhet mesjavën e ardhshme në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Te Gjilani duan ta vazhdojnë serinë pa humbje dhe rrugëtimin drejt titullit të parë të kampionit në histori të klubit. Mbrojtësi i krahut të majtë, Yll Hoxha, ka thënë se Gjilani ndaj Llapit futet me qëllimin e vetëm për ta fituar ndeshjen dhe për ta mbajtur hapin për kreun e tabelës.

“Vijmë nga një ndeshje derbi dhe me shumë energji të shpenzuar. Por jemi shumë të motivuar për të vazhduar rrugëtimin drejt objektivave që kemi. Ndeshja ndaj Llapit është shumë e rëndësishme për ne,, pasi që kërkojmë të vazhdojmë ecurinë e ndeshjeve dhe rezultateve të mira. Jemi të vetëdijshëm për cilësitë e kundërshtarit dhe rrezikshmërinë, por edhe ne kemi armët e forta të cilat presim t’i shfrytëzojmë për këtë ndeshje”, ka thënë Hoxha për KOHËN.

Të dielën zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera, por që fillojnë prej orës 13:00. Skuadra e Dukagjinit e pret Dritën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë dhe kërkon t’ia shkaktojë humbjen e tretë në stinorin pranveror ekipit nga Gjilani. Edhe Dukagjini në xhiron e fundit barazoi, 1:1, në udhëtim te skuadra e Ulpianës.

Ndërsa Drenica në Skenderaj e pret skuadrën e Malishevës, që shkaktoi befasinë më të madhe në mesjavë kur ia shkaktoi humbjen e parë Ballkanit pas pesë fitoreve rresht në pranverë. Edhe Drenica është në formë të mirë pasi në dy ndeshjet e fundit ka marrë katër pikë.

Kjo xhiro hapet të shtunën me dy ndeshje. Ballkani në Suharekë është favorit përballë Feronikelit që është në vendin e fundit me vetëm 11 pikë të mbledhura dhe tashmë mund të konsiderohet si anëtar i kategorisë së dytë. Kampionia në fuqi, Prishtina, do të luajë në stadiumin me bari sintetik në qytetin e Gjilanit si vendase kundër skuadrës së Ulpianës.

Superliga – 25

E shtunë

Ballkani – Feronikeli (13:00)

Prishtina – Ulpiana (13:00)

E diel

Drenica – Malisheva (13:00)

Dukagjini – Drita (13:00)

Gjilani – Llapi (13:30)

 

1. Ballkani 24 14 6 4 33:17 48

2. Gjilani 24 12 11 1 34:19 47

3. Drita 24 12 6 6 34:17 42

4. Llapi 24 11 7 6 41:28 40

5. Drenica 24 9 5 10 31:31 32

6. Prishtina 24 7 8 9 29:25 29

7. Malisheva 24 8 5 11 29:28 29

8. Dukagjini 24 5 10 9 22:29 25

9. Ulpiana 24 5 8 11 22:40 23

10. Feronikeli 24 3 2 19 9:50 11