Sport

Llapi kërkon një tjetër fitore të madhe, këtë herë ndaj kampiones

Prishtinë, 12 shkurt – Kualifikimi në çerekfinale të Kupës së Kosovës ka motivuar skuadrën e Llapit që të kërkojë fitoren edhe në hapje të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës në futboll, që nis të shtunën. Do të ishte një tjetër fitore e madhe për llapjanët, që përballë do të kenë kampionen aktuale dhe lideren e klasifikimit, Dritën.

Llapi të martën eliminoi Ballkanin e Suharekës në 1/8 e finales së Kupës, pas penalltive. Të shtunën është mysafir i Dritës në Gjilan, në ndeshjen e xhiros së 19-të të kampionatit, që nis prej orës 13:00. Drita këtë vit nuk ka pasur rezultate të mira. Ka humbur dy ndeshjet e para garuese, për Superkupë dhe për Kupë nga Prishtina, si dhe disa miqësore në Antalia. Këtë moment do të mundohet ta shfrytëzojë Llapi.

Drita e ka mbyllur stinorin vjeshtor të Superligës në pozitën e parë me 41 pikë të mbledhura derisa Llapi është i teti në tabelë me 20 pikë dhe ka synim largimin nga zona, që edicionin e ardhshëm dërgon në një rang më të ulët të garave.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, të premten për KOHËN ka thënë se ekipi i tij është i gatshëm për fillimin e stinorit pranveror, por ka pranuar se ekipi është pak i lodhur pas 120 minutave lojë kundër Ballkanit. Në dy ndeshjet e luajtura në stinorin vjeshtor, Drita ka bilanc pozitiv ndaj Llapit, pasi e ka mposhtur dy herë. Në Gjilan, Drita fitoi 1:0, kurse në Podujevë fitoi me shifrat 2:1.

“Drita ka një super ekip, kurse ne ditë më parë e kemi pasur një ndeshje shumë të vështirë dhe jemi munduar të rigjenerohemi për të qenë plotësisht të gatshëm për duelin e parë të pranverës. Megjithatë, ngarkesa ishte e madhe për shkak të ritmit të lojës për 120 minuta kundër Ballkanit dhe jemi paksa të lodhur. Por në udhëtojnë për të shfaqur një lojë të mirë që të marrim një rezultat pozitiv”, është shprehur Batatina.

“E kemi parasysh se përballemi me kampionin në fuqi dhe na pret një ndeshje shumë e vështirë. Besoj se jemi të gatshëm për ta dhënë maksimumin si në çdo ndeshje tjetër. Duhet pranuar që Drita ka cilësi brenda ekipit dhe është skuadra me përvojën më të madhe në Superligë”.

Ndërkohë te Drita kanë insistuar se tashmë kanë lënë prapa dy humbjet nga Prishtina dhe janë të fokusuar që të kthehen te rezultatet pozitive në kampionat. Pas eliminimit në kupë, Dritës i ka mbetur vetëm mbrojtja e titullit dhe këtë synim e kanë pranuar edhe në ekip.

““Nuk kemi startuar mirë, por e kemi treguar edhe më parë se dimë të ringrihemi. Këtë e besojmë fuqishëm, sepse kemi futbollistë me shumë personalitet. Atmosfera është shumë e mirë. Nuk mund ta quajmë pozitiv eliminimin nga Kupa, por pa diskutim se tani përqendrimi do të jetë shumë i madh në kampionat”, ka thënë Nuhiu për KOHËN. “Jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë maksimumin nga ndeshja në ndeshje. Do të mundohemi atë që kemi marrë deri tash ta ruajmë me shpirtin luftarak të grupit, karakter dhe autoritet”.

Te skuadra e Prishtinës besojnë se do të vazhdojnë me fitore edhe në kampionat. Skuadra e trajnerit Zekirija Ramadani të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret Drenicën, ekip që gjatë afatit kalimtar të janarit ka bërë 12 transferime. Prishtina është e treta në tabelë me 32 pikë të mbledhura derisa Drenica zë vendin e parafundit me vetëm 19 pikë nga 18 ndeshje të luajtura në vjeshtë.

“Gjithmonë kur luajmë kundër ekipeve të forta motivi është i madh. Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe do të dalim në fushë me ambicie të mëdha edhe pse Prishtina ka një ekip të mirë”, tha mesfushori i Drenicës, Qemail Elshani.

Mbrojtësi i krahut të djathtë te Prishtina, Besnik Krasniqi beson në fitoren e ekipit të tij. Ai thotë se pas fitores në Superkupë dhe Kupë, rendin e ka triumfi në kampionat, ndonëse pranon se Drenica mbetet një kundërshtare e papërshtatshme.

Prishtina edhe në këtë ndeshje do të jetë pa sulmuesin kryesor, nigerianin Otto John, që po vazhdon të stërvitet në vendlindje për shkak se ende nuk i është vazhduar pasaporta për t’u kthyer në Kosovë.

“Vijmë pas një serie shumë të mirë të rezultateve këtë vit dhe mendoj se do ta marrim fitoren kundër Drenicës për të paralajmëruar një start të fuqishëm. Kemi punuar shumë dhe besoj se jemi gati edhe për kampionat. Ndeshjet me Drenicën kanë qenë gjithmonë të vështira, por ne jemi të motivuar të japim gjithçka nga vetja për të marrë tri pikët dhe ta nisim stinorin pranveror në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk do të jetë aspak lehtë, por kam besim tek ekipi”, ka insistuar Krasniqi.

Edhe ndeshja mes Prishtinës e Drenicës nis në orën 13:00 sikurse ajo në Brestovik të Pejës ndërmjet Besës e Ballkanit.

Besa tashmë mund të llogaritet ekip i Ligës së Parë pasi renditet e fundit në tabelë me vetëm 6 pikë, 32 më pak se Ballkani, që është i dyti dhe po lufton për titullin e kampionit.

Kjo xhiro do të mbyllet të hënën kur do të zhvillohen dy ndeshje. Në Drenas, skuadra e Feronikelit e pret Gjilanin, i cili të mërkurën u eliminua nga Kupa e Kosovës pas humbjes në udhëtim nga Istogu me rezultatin 2:0. Ndërkohë, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë do të zhvillohet dueli ndërmjet Trepçës ’89 dhe Arbërisë së Dobrajës.

Superliga – XIX

E shtunë 13:00

Drita – Llapi

(S. Isufi, B. Morina, I. Kabashi, I. Mehmeti)

Prishtina – Drenica

(T. Maloku, B. Selimaj, G. Mehmeti, I. Ceroviku)

Besa – Ballkani

(G. Nuza, G. Hyseni, A. Bullatovci, B. Jahmurataj)

E hënë

Feronikeli – Gjilani

(D. Çaka, F. Berisha, E. Bicaj, V. Ibërdemaj)

Trepça ’89 – Arbëria

(Arbitra: M. Bejtullahu, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, B. Ajeti)

1. Drita 18                       41

2. Ballkani 18                  38

3. Prishtina 18                 32

4. Gjilani 18                     29

5. Feronikeli 18               23

6. Arbëria 18                   21

7. Trepça ’89 18              21

8. Llapi 18                       20

9. Drenica 18                  19

10. Besa 18                      6