Sport

Siç pritej, Llapi kalon në finale të Kupës

Ashtu siç pritej, Llapi e ka siguruar kalimin në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në futboll. Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale që u zhvillua në Podujevë, Llapi barazoi me Prishtinën 2:2. Llapjanët kaluan tutje, falë fitores që e arritën në duelin e parë në kryeqytet me shifrat 3:2. Me rezultatin e përgjithshëm prej 5:4, Llapi është ekipi i dytë që kalon në finale. Përballë “Legjendave” do të jetë Dukagjini i Klinës që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Kjo është hera e dytë që Llapi e siguron kualifikimin në finale të Kupës. Në vitin 2017 e kishte humbur finalen nga Besa e Pejës pas penalltive. Pikërisht ajo humbje ia kishte pamundësuar daljen në Evropë. Megjithatë, ëndrra e Llapit dhe trajnerit Tahir Batatina për dalje në garat evropiane vazhdon.

Ndeshja e luajtur të mërkurën në stadiumin “Zahir Pajaziti” u karakterizua me shumë raste shënimi dhe u realizuan katër gola, nga dy për secilën skuadër.

Prishtina kaloi e para në epërsi me golin që e shënoi Enis Gavazaj nga penalltia në minutën e gjashtë. Rezultatin në 1:1 e barazoi Ahmed Januzi që shënoi nga afërsia në minutën e 16-të. Januzi kishte shënuar edhe dy gola në ndeshjen e parë dhe kishte bërë një asistim. 1:1 u mbyll pjesa e parë. Prishtina e riktheu epërsinë në minutën e 63-të. Realizues i golit të dytë për kryeqytetasit ishte Mërgim Pëfqeli, i cili kishte shënuar një gol edhe në takimin e parë. Prishtinës i duhej vetëm edhe një gol për ta siguruar finalen, por llapjanët nuk e lejuan një gjë të tillë, pasi Llapin nga humbja e shpëtoi Muhamet Hyseni, dy minuta para fundit të ndeshjes, duke shënuar për të barazuar rezultatin në 2:2, rezultat që ishte final i përballjes së kthimit.

Përderisa Llapi u paraqit me lojtarët më të fortë që kishte në dispozicion trajneri Tahir Batatina, Prishtina në krye me Zekirija Ramadanin kishte vendosur që të mos luante me skuadrën më të mirë.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se falë punës dhe angazhimit të lojtarëve, skuadra e tij ka arritur në finalen e Kupës së Kosovës në futboll. Ai pas ndeshjes e vlerësoi lart skuadrën e Prishtinës, por që kualifikimin e sheh me meritë.

“Kem mposhtur rivalë të fortë si Prishtina e Trepça ’89. Kjo është me meritë, pasi kemi mposhtur skuadra që janë në kreun e tabelës. Prishtina në ndeshjen e parë ishte e lodhur nga ndeshja me Ballkanin. Mund të them se e dhamë më të mirën, pavarësisht se disa lojtarë ishin duke agjëruar”, tha Batatina.

Sipas tij, gjëja më e rëndësishme për të është ta sjellë trofeun e parë në histori të Llapit. Finalen trajneri llapjan ua ka dedikuar të gjithë qytetarëve të Podujevës.

“Ta sjellim Kupën e Kosovës, trofeun e parë, do të ishte gjëja më e rëndësishme për mua, kryesinë dhe lojtarët. Bëmë maksimumin. Kam bërë disa ndryshime për shkak që disa lojtarë kanë rrezikuar me kartonë për t’u mos u paraqitur në finale. Kjo finale është për të gjithë qytetarët e Podujevës. Finalja do të jetë pas Ramazanit dhe shpresojmë që do të jetë më e lehtë”, shtoi Batatina.

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, kishte vendosur të mos paraqitet me lojtarët më mirë. Por ai nuk dha ndonjë arsyetim për këtë, duke përgëzuar futbollistët të cilën vendosi t’i hidhte në fushë.

“Një urim të madh për futbollistët që morën besimin nga stafi. Nuk pritëm që mund ta gjejmë Llapin kaq të dobët dhe t’i shënojmë dy gola. Ngarkesa ishte shumë e madhe për ne, për shkak të ndeshjes në fundjavë. Lilaj në fund të pjesës së parë pati një lëndim. Shpresoj që të mos ketë diçka serioze. Ekipi luajti mirë dhe dha maksimumin. U eliminuam por fituam futbollistë të rinj”, theksoi pas ndeshjes Ramadani.

Prishtina nuk ia doli që të futej në finale dhe të kërkojë trofeun e tetë të Kupës. Klubi nga kryeqyteti është më i trofeshmi në këtë garë. Ka shtatë Kupa të Kosovës. Të fundit në vitin 2020.

Në finale Llapi do të takohet me Dukagjinin. Ekipi nga Klina, që është lider i Grupit A të Ligës së Parë dhe është në rrugë të mirë për t’u rikthyer në Superligë, e eliminoi Istogun në gjysmëfinale. Ekipi klinas kaloi tutje pa pasur nevojë që ta zhvillojë ndeshjen e dytë, pasi Istogu e kishte inkuadruar në lojë një futbollist që nuk kishte të drejtë të luante për shkak të kartonëve. Në bazë të rregullores së garave, pas ankesës së Dukagjinit, Istogu u eliminua pasi kishte shkelur rregullat e përcaktuara në rregullore. Klinasit e kishin fituar ndeshjen e parë ndaj Istogut 2:1 në fushë, por më pas ai takim u regjistrua me rezultat zyrtar 3:0. Për Dukagjinin do të jetë hera e tretë në histori që do të luajë në finale të Kupës. Në dy finalet që i kishte zhvilluar para luftës, kishte pësuar humbje. Në edicionin 1994/1995 ishte mposhtur nga Prishtina 1:0, kurse pas një viti kishte humbur nga Flamurtari 2:1.

Sikurse Llapi edhe Dukagjini është në kërkim të trofeut të parë të Kupës. Por, për dallim prej llapjanëve klinasit janë njëherë kampion të Kosovës në edicionin 1993/1994.

Finalja e madhe e Kupës së Kosovës do të luhet në muajin e ardhshëm në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.